Qytete me drita, bulevarde të ndriçuara, autostrada me dritë, kolonizim i krejt planetit me dritë artificiale. Kështu po krijohet natyra e dytë e njerëzimit, ku dita zgjatet e nata bëhet ditë. Edhe qielli përthyhet me ngjyra të tjera si pasojë e “diellit artificial”, që valëzon tutje një varg ndryshimesh që prekin edhe kafshët dhe bimët.
Ngjyrat e dritave krijojnë edhe identitetin e qyteteve dhe infrastruktura e ndriçimit përbën një nga veçantitë thelbësore të urbanistikës bashkëkohore. Këto shtjellime të pazakonta ishin pjesë e ligjëratës së artistes italiane Jessica Bizzoni, që u mbajt të enjten mbrëma në Kino Armata në kuadër të festivalit “Kosovo Architecture Festival”.
Në këtë ligjëratë, që hapi programin publik të festivalit, artistja italiane Jessica Bizoni ka shpalosur projektin e saj “Dielli Elektrik” (Electric Sun) të përbërë nga një set fotografish që zhbirojnë mjediset e ndriçuara urbane gjatë natës. E zhytur në kërkime disavjeçare në Itali, Holandë e së fundmi edhe në Kosovë, ajo ka analizuar kufirin e mjegullt mes teknosferës dhe biosferës.
“Një mjedis i qytetëruar gjithmonë nënkupton një infrastrukturë ndriçuese, asisoj që drita elektrike e kudondodhur është bërë si natyrë e dytë. Drita elektrike është një mundësi për një ditë të dytë. Ndërveprimi mes njerëzve dhe dritave krijon shfrytëzime, rituale dhe përdorime”, ka thënë Bizoni, teksa ka shpalosur një nga një fotografitë që dokumentojnë këto realitete të reja të teknosferës.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")