Edicioni i nëntë i festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar do të nisë më 13 gush dhe do të zgjasë deri më 19 të atij muaji në Pejë, njoftuan organizatorët e tij.
Bëhet e ditur se nga 1.095 filmave që kishin aplikuar këtë vit për këtë festival, janë përzgjedhur 220 sish dhe ata do të shfaqen në Kinemanë “Jusuf Gërvalla”, Teatrin “Istref Begolli”, Kinemanë “Liqeni” dhe Kinemanë “Kubat”.
Në garë për çmime, ndërkaq, janë 152 filma. Do të ndahen çmime për Filmin më të mirë ndërkombëtar, Filmin më të mirë të punuar nga studentët, Filmin më të mirë të prodhuar në Ballkan, Filmin më të mirë të metrazhit të gjatë dhe Videot muzikore të animuara.
Jashtë garës filmat do të shfaqen në dy kategori, Panorama dhe Programi për fëmijë e adoleshentë.
Krahas programeve garuese, festivali Anibar shfaq edhe programe speciale të kuruara për të komplementuar temën. Shpalosja e programeve speciale dhe tematikave të tyre do të bëhet së shpejti.
Festivali ndërkombëtar i filmave të animuar Anibar 2018’ mbahet nga 13-19 gusht 2018.
