111 vjet më parë në zemër të Shkupit, në familjen Bojaxhiu, lindi Gonxhja, shqiptarja që do të përnderohej si shenjtore për misionin e saj humanist. Pikërisht në këtë përvjetor, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka organizuar të enjten aktivitetin “Nënë Tereza, Kujtesa Kombi”.
Me këtë rast është hapur një ekspozitë me më shumë se 400 ekzemplarë librash të ndryshëm kushtuar misionares shkupjane.
Në fjalën e saj, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL), Alda Bardhyli, ka thënë se 26 gushti, përveçse reflektim shpirtëror, është edhe nevojë për mbështetje në mesazhet që përçon një figurë e tillë vizionare.
“Të kuptosh do të thotë të bëhesh i ndërgjegjshëm mbi dashurinë për veprim. Stili i punës së saj ishte fjalëpakë dhe shumë punë dhe veprim. Ndoshta ky stil i saj është më shumë se asnjëherë i domosdoshëm tek ne sot, pasi ashtu si ajo shprehej ‘Shqipëria bëhet duke punuar së bashku’”, ka deklaruar me këtë rast Bardhyli.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe imzot dom Gjergj Meta, i cili ka thënë se Nënë Tereza përfaqëson mbarë njerëzimin, e cila për shkak të “kokëfortësisë” së saj iu shkoi deri në fund gjërave.
Edhe
Sot përvjetori i lindjes së Shën Nënë Terezës
Ndërkaq Dashnor Dervishi, ish-ambasador i Shqipërisë në Itali, ka rrëfyer përshtypjet nga takimi i tij që kishte realizuar në mjediset e Ambasadës shqiptare në Romë në vitin 1989.
Ndryshe, kjo ekspozitë, e hapur në mjediset e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, do të jetë e hapur deri më 5 shtator, datë që shënon shenjtërimin e saj.
Bijë e prindërve Nikollë dhe Dranafile Bojaxhiu, Anjeza lindi më 26 gusht të vitit 1910 në Shkup, asokohe një prej qyteteve më të rëndësishme të përpjekjeve për pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane.
I ati i Anjezës, Nikolla, vlerësohej si një prej qytetarëve më të rëndësishëm të Shkupit, ndërkohë që biografët e Nënë Terezës kanë vënë në dukje se ai ishte “një burrë me interesime politike, që tregonte simpati për luftëtarët shqiptarë të lirisë, të cilët jo vetëm i mbështeste financiarisht por edhe i mirëpriste”.
Pasi ndërmerrte shpesh pelegrinazhe në Kishën e Letnicës, sot në Viti, Anjeza në moshën 18-vjeçare, më 1928, iu bashkua Motrave të Loretos në Rathfarnham të Irlandës.
Edhe
Viti 1997: Nderimi i Nënë Terezës nga Kalkuta
Një vit më vonë, më 1929, ajo bashkë me simotrat e tjera arriti në Indi. Puna e saj prej misionareje filloi në vitin 1948, duke iu dalë në ndihmë skamnorëve dhe të uriturve.
Gjatë viteve ‘50 dhe ‘60, Nëna Terezë krijoi një koloni për të prekurit nga lebra, jetimore, klinika të shumta për t'iu dalë në ndihmë banorëve të Kalkutës.
E konsideruar si simbol i humanitarizmit në shekullin e njëzet, më 17 tetor 1979, Tereza mori Çmimin Nobel për Paqe “për punën e ndërmarrë në betejën për të kapërcyer varfërinë dhe fatkeqësinë, që përbëjnë kërcënim për paqe”.
Me këto çmime, misionarja shqiptare kryesonte listën e Gallupit për njerëzit më të admiruar të shekullit njëzet.
E vlerësuar gjithandej botës, Nënë Terezës iu dha qytetaria e nderit në Shtetet e Bashkuara në vitin 1996. E njohur asokohe nga mbarë bota, presidenti amerikan Ronald Reagan, gjatë një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë më 20 qershor 1985, i ndau asaj Medaljen e Lirisë.
Edhe
Osmani: Vepra e Nënës Terezë i mbush zemrat me krenari
Me ndërhyrjen edhe të shteteve si Britania e Madhe dhe Franca, regjimi komunist i Ramiz Alisë kishte pranuar më në fund t’ia lejonte hyrjen në Shqipëri Nënë Terezës, vizitë e cila u zhvillua mes datave 14 dhe 17 gusht 1989.
Kur u nda nga jeta, pas vetes kishte lënë një trashëgimi të qëndrueshme: një kongregacion katolik me 4500 murgesha që sot është aktiv në 133 vende gjithandej botës.