Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Në shtëpinë e gjeniut të letrave

Në këtë ndërtesë, për 15 vjet me radhë, i ka zbardhur ditët gjeniu i letrave shqipe.

E ndodhur në rrugën e Dibrës në Tiranë, në katin e tretë të objektit që u ndërtua në vitet e ’70-a, shtëpia-studio e Ismail Kadaresë, tash i ka hapur dyert për vizitorë.

Vizita në këtë muze merr formën e një përjetimi të veçantë në një ambient familjar, si një takim intim me shkrimtarin e njohur. Dorëshkrimet e gjësendet personale të Kadaresë, të ekspozuara në këtë vend, zbulojnë prapaskenat e veprave më të njohura të tij, transmeton emisioni Express në KTV.

Nëpër mure janë dokumentuar titujt dhe vitet e veprave, derisa në xhama lexohen fragmente të tyre. Televizori, telefoni i kuq, koleksioni i llullave, biblioteka personale, tavolina e punës, makina e shkrimit e dhjetëra fotografi, e plotësojnë rrëfimin për kohën që shkrimtari e kaloi në kryeqytetin shqiptar.

Shtëpia-studio Kadare ka gjashtë dhoma dhe secila prej tyre e ka një histori më vete.

Edhe Kadareja kujtohet nëpërmjet veprës së tij Kulturë Kadareja kujtohet nëpërmjet veprës së tij

Dhoma e gjumit e fëmijëve, është kthyer në dhomën e Gjeneralit, që ruan edhe letërkëmbimet, për ta kthyer në film veprën e famshme të Kadaresë.

Dhoma e gjumit e çiftit Kadare, tash është kthyer në dhomën e studimit, konceptuar në formën e një arkivi studimor për t’i nxitur hulumtimet mbi veprën e tij.

Studio Kadare përmbledh kujtimet e një prej kohëve më të errëta për shkrimtarin dhe gjithë Shqipërinë si dhe pamje të Tiranës së viteve ’80 shfaqen në ekranet e dhomës së filmit.

Në këtë hapësirë, zëri i Ismail Kadaresë bashkëdyzohet me atë të gruas së tij, Helenës, duke sjellë detaje për kohën kur çifti jetoi në fqinjësi me Dritëro Agollin.

Edhe Ismail e Helena Kadare rikthehen në Shtëpinë Muze Kulturë Ismail e Helena Kadare rikthehen në Shtëpinë Muze

Një prej vizitorëve të parë të këtij muzeu, ishte vetë shkrimtari.

Muzeu që synon promovimin e autorit duke prezantuar gjithashtu një pjesë të historisë e kulturës materiale dhe shpirtërore të periudhës totalitare, u hap në fund të muajit maj.