Kulturë

“Në mes” – dokumentari më i mirë i shkurtër dedikuar filmit e arkitekturës

Festivali ndërkombëtar i arkitekturës dhe filmit në Barcelonë “BARQ”, në edicionin e tij të parë në mesin e filmave fitues ka zgjedhur edhe një projekt kinematografik nga Kosova. “Në mes”, nën regji të Samir Karahodës, është zgjedhur filmi më i mirë

Festivali ndërkombëtar i arkitekturës dhe filmit në Barcelonë “BARQ”, që në edicionin e tij të parë ka marrë vëmendjen e shumë filmbërësve. Është i pari i llojit të vet në Spanjë. Arkitektura dhe filmi janë kryefjala e tij e regjisori nga Kosova del të ketë gërshetuar më së miri këto dy elementet në dokumentarin “Ne mes”. Projekti filmik nën regji të Samir Karahodës është zgjedhur më i miri të dielën, kur janë bërë të ditur fituesit e sivjetmë. Ka triumfuar në kategorinë për dokumentarë të shkurtër.

Në 15 minuta “Në mes” trajton dy tema paralelisht: fenomenin e ndërtimit të shtëpive të njëjta nga vëllezërit dhe migrimin, gjë që veçmas theksohet nëpër këto familje. Nëpërmjet personazheve portretizon marrëdhënien dhe solidaritetin në mes vëllezërve, sakrificën dhe vendosmërinë e prindërve për të mbajtur harmoninë brenda familjes, kuptimin e rëndësisë së shtëpisë dhe shpresës në mes të kthimit apo jo në vendlindje. Ndër të tjera, rrëfen se si familjet kosovare kanë migruar, por ato i bashkojnë vendi i tyre dhe shpresa që një ditë do të kthehen.

Festivali ndërkombëtar i arkitekturës dhe filmit në Barcelonë “BARQ”, që nisi më 11 maj, ka përfunduar të dielën. Edicioni i sivjetmë për shkak të pandemisë është gërshetuar me program me prezencë fizike dhe online. Festivali është i vetmi i këtij lloji në Spanjë e që gërsheton filmin dhe arkitekturën. Në kategorinë për dokumentarin më të mirë të gjatë ka triumfuar "A Machine To Live In" nën regji të Meredith Zielke dhe Yoni Goldstein. Filmi është një eksplorim i arkitekturës moderne në Brazil.

“Festivali përfshin një program të gjerë me filma nga e gjithë bota dhe aktivitete të ndryshme paralele, që është një ngjarje kinematografike që nxjerr në pah filmat që tregojnë në një mënyrë inovative çështjet aktuale në lidhje me arkitekturën, si aktivizmi urban, politika, ekonomia, mjedisi, diversiteti kulturor dhe shoqëror, qasje në banim ose të drejtat e barabarta mes njerëzve”, është përshkrimi që i bëhet Festivalit në ueb-faqe. Aty tregohet se “BARQ” do të jetë çdo herë në kërkim të filmave dokumentarë që kërkojnë cilësi, origjinalitet dhe qëndrueshmëri teknike dhe artistike.

“Në mes” ishte në garë me dhjetë filma të tjerë dhe u zgjodh si më i miri nga juria e përbërë nga arkitektja Verena Von Beckerath, regjisori Albert Moya dhe regjisorja Maria Mauti. Edicioni i sivjetmë nisi me filmin “Tokyo ride” nën regji të Ila Bêka dhe Louise Lemoine, kurse u përmbyll me shfaqjen e filmit “Making a Mountain” nën regji të Kaspar Astrup Schröder dhe Rikke Selin. Festivali sipas ueb-faqes zyrtare ndan vetëm dy çmime: atë për dokumentarin më të mirë të gjatë (1 mijë e 500 euro) dhe atë për dokumentarin më të mirë të shkurtër (600 euro).

Karahodës i janë dashur dy vjet punë për ta përfunduar “Në mes”. I njohur si fotograf e drejtor fotografie në disa filma, pikërisht prej fotografive, Karahodës i kishte lindur ideja edhe për film. Samir Karahoda përmes një mesazhi virtual ka falënderuar Festivalin për përzgjedhje dhe jurinë për këtë vlerësim të veçantë për të,

“Filmi ‘Në mes’ vlerësohet për herë të parë nga ana e jurisë profesionale të përbërë nga arkitektë dhe filmbërës”, ka theksuar ai.

Pas premierës në Berlinale të vitit 2019, filmi “Në mes” u shfaq në më shumë se 80 festivale të filmit. Në Berlin filmi dokumentar ishte dhënë shtatë herë në salla me rreth 700 ulëse. Sa u përket filmave dokumentarë, ai i Karahodës del të jetë më i suksesshmi deri i prodhimeve vendore. Ky është çmimi i 11-të për filmin “Në mes”, që është produksion i shtëpisë filmike “SK Pictures”, me producent Eroll Bilibani . Mjeshtëria e Karahodës në filmin që është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës me 13 mijë euro qëndron në atë se vetëm nëpërmjet pamjeve shpalos shumë gjëra. Planet e gjera janë si një mozaik ku ndërthuren shumë tema. Filmi, po ashtu, është mbështetur edhe nga Komuna e Prishtinës, nga ajo e Prizrenit, Banka për Biznes.