Regjisori Samir Karahoda – i njohur për filmat “Në mes” e “Pa Vend”, që çuan emrin e Kosovës në festivalet më prestigjioze botërore – ishte nisur me të birin për në Aeroport, për të tërhequr një dhuratë. Rrugës do të hapeshin jo pak tema. Këtu do të shkrepte ideja për filmin e radhës të tij. E këtë di ta bëjë vetëm një regjisor i kalibrit të tij. Xhirimet tashmë kanë përfunduar e filmi mbi të gjitha është një portret i Kosovës aktuale. “Arsyeja numër një që kam filluar të bëj filma është t’i trajtoj padrejtësitë që na bëhen në këtë shoqëri, pasi që mendoj se ne nuk jemi të vetëdijshëm për to. Përmes këtij filmi do të ngacmohen disa tema, të cilat do të nxisin njerëzit të mendojnë më shumë”, ka zbuluar thënë Karahoda
Kur përmenden sukseset e filmit të Kosovës në alamet festivalesh botërore, emri i Samir Karahodës është i pashmangshëm. Së fundmi ka qëndruar disi i heshtur, ndryshe prej dy vjetëve më parë, kur emri i tij përmendej gati përditë pasi filmat me vulën e tij s’kishin të ndalur.
Por regjisori nuk ka qenë në pushim. Ka qenë në shesh-xhirim. Tek kur projekti i tij i fundit ka nisur të marrë formë, ai ka pranuar të flasë. Dhe ai vjen pas dokumentarit “Në mes”, me të cilin për herë të parë e vuri emrin e Kosovës në konkurrencën zyrtare të “Berlinales”, një prej festivaleve më të shquara të Kategorisë A, ku u shfaq premierë në shkurt të 2019-s. Me të dytin projekt filmik, “Pa vend” bëri histori si i pari produksion vendor që garoi për “Palmën e Artë”, në Festivalin e Filmit në Cannes, në korrikun e vitit 2021, ku u dha premierë botërore. U bë filmi i parë nga Kosova që Festivali i Filmit të Cannes e kandidoi për Çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit. Qe filmi i parë i Kosovës i nominuar për filmin më të mirë evropian. Ishte në garë edhe për çmimet e Akademisë Amerikane. S’u ndal as më 2022, kur në “Sundance Film Festival” mori çmimin e jurisë në kategorinë e filmave të shkurtër. Të tjerat janë histori. Histori suksesesh. Tash, i është përveshur punës për filmin e tretë.
Ndryshe prej dy filmave të tij të deritanishëm që lundrojnë midis zhanrit dokumentar e artistik, filmi i radhës vjen si fiksion, por i nxitur nga një ngjarje reale, pjesë e së cilës ka qenë vetë autori.
“Ky tregim bazohet në një ditë të zakonshme kur unë me djalin tim ishim në rrugë për në Aeroport për të marrë një dhuratë, e cila i është dërguar djalit tim nga kumbari i tij. Gjatë këtij udhëtimi 15-20-minutash e kuptojmë se çka po ndodh në Kosovë, sfidat e shoqërisë sonë. Njëra ndër temat e tjera është edhe tema e migrimit kur fillojmë me e kuptu dëshirën e fëmijëve të vegjël që dëshirojnë me u largu nga Kosova pasi që shokët e tij të ngushtë dhe trajneri i tij i futbollit veçse kanë migruar. Pavarësisht se babai insiston se si vendlindja nuk ka vend tjetër”, ka zbuluar Karahoda, i ftuar në emisionin “Nëpër film” të Kohavisionit, që transmetohet sot (e shtunë) prej orës 16 e 30. Për këtë projekt ai ka shkruar edhe skenarin.
Filmi, i cili tashmë gjendet në fazën e postproduksionit, për regjisorin do të jetësohet si një portret i Kosovës aktuale. I karakterizuar nga kuadro minimale, ky film i metrazhit të shkurtër do të zhvillohet në një makinë. Debati i një babai dhe djalit të tij të vogël do të jetë qendra e narratives. Në rrugë nga Prishtina për në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, nëpërmjet diskutimit të dyshes do të pasqyrohen problematikat e Kosovës së vitit 2024, të cilat pa dyshim se përkojnë edhe me problemet globale, përtej kontekstit lokal. Kuadrot të cilat do të lëvizin duke u fokusuar kryesisht në atë se çfarë ndodh brenda makinës dhe këndvështrimit nga jashtë do t’i pasurojnë dhe tri ndalesa gjatë udhëtimit, të cilat sipas regjisorit do t’i shërbejnë mesazhit të filmit.
“Arsyeja numër një që kam filluar të bëj filma është t’i trajtoj padrejtësitë që na bëhen në këtë shoqëri, pasi që mendoj se ne nuk jemi të vetëdijshëm për to. Përmes këtij filmi do të ngacmohen disa tema të cilat do të nxisin njerëzit të mendojnë më shumë”, ka thënë Karahoda duke theksuar se, sipas tij, çdo regjisor duhet të ketë arsye të forta për realizimin e një filmi, vetëdije mbi ndikimin që duhet të ketë ai film.
Sfidat për filmin – i cili fillimisht ishte menduar të mbante titullin” My Godfather sent me an Iphone” (Kumbara im më dërgoi një telefon), por që iu ndryshua për t’u zbuluar më vonë – nuk qenë të pakta.
Nga përkrahja institucionale për këtë projekt, regjisori Karahoda nuk është fort i kënaqur. “Përkrahja nga Qendra Kinematografike e Kosovës ka qenë dëshpëruese, por falë zemrës së madhe të ekipit kemi arritur me realizu një vepër të mirë”, ka thënë ai.
Krahas mungesës së mbështetjes, për filmin nuk kishin munguar as sfidat teknike.
“Për mua, ndoshta ky ka qenë filmi më i vështirë për ta realizuar, pavarësisht se në shikim të parë mund të duket si i lehtë. Skenarin për këtë film e kam shkruar për një mot me mjegull, por fatkeqësisht mjegulla nuk erdhi as pas një vit pritjeje. Pastaj vendosëm për një kohë të vranët, por as ajo nuk ndodhi. Ndryshimi i motit në film është i pafalshëm, ruajtja e kontinuitetit në pamjet e qiellit është sfida kryesore, por besoj që do të arrijmë ta balancojmë atë”, është shprehur Karahoda.
Rolet kryesore në këtë film do të jenë ai i babait që do të luhet nga aktori Ylber Ballata dhe të birit Miron Karahoda, që është djali i regjisorit. Pjesë e listës së aktorëve do të jenë Kumrije Hoxha dhe Anton Ndrecaj. Dizajnin tingullor të filmit, regjisori ia ka besuar Memli Kelmendit, ndërkaq producent është Eroll Bilibani. Për montazhin e filmit është duke punuar Enis Saraçi, bashkëpunëtor i ngushtë i Karahodës, njëri prej emrave që lidhet me filmat më të suksesshëm të Kosovës në dekadën e fundit.
Filmi me titull pune “My godfather sent me an Iphone”, i ndërtuar mbi një bisedë qenësore mes të atit dhe të birit, del si metaforë e një eksplorimi të raporteve familjare përballë ndryshimeve shoqërore, politike e ekonomike të një vendi.
Gara në festivalet prestigjioze, si në “Berlinale” e Cannes, nominimi për “Oscar” evropian, triumfi në “Sundance” janë bazë e denjë që për regjisorin Karahoda, me filmin e tij të ri synim të jenë po ato festivale. Por ekipi i këtij projekti kinematografik është ende duke shqyrtuar mundësitë e një premiere në Kosovë, krahas punës së tyre mbi finalizimin e filmit.