Futbollistet e Kosovës janë gati për një tjetër rezultat pozitiv kundër Turqisë. Kosova nga dy përballjet e mëhershme, ka shënuar një fitore 2:0 dhe një barazim pa gola përballë Turqisë, në kuadër të kualifikimeve për Evropian.
Ndeshjen e tretë Kosova kundër Turqisë e zhvillon të premten. Ndeshjen e parë të plejofit për kualifikim në Ligën B të Ligës së Kombeve, Kosova kundër Turqisë e zhvillon në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë nga ora 17:00, ndërsa e kthimit katër ditë më pas në Izmir.
Kosova përfundoi e dyta në Grupin 6 të Ligës C të Ligës së Kombeve me shtatë pikë. Letonia zuri vendin e parë me tetë pikë.
Paraqitjen në plejofin për kthim në Ligën B e siguroi si e dyta në ranglistën e përgjithshme.
Përzgjedhësi i Sami Sermaxhaj, pret angazhim dhe përkushtim maksimal nga futbollistet e Kosovës.
“Kemi bërë një analizë të detajuar të kundërshtarit, si unë ashtu edhe futbollistet. Synimi ynë është të jemi sa më sulmues, të krijojmë më shumë raste dhe të jemi efektive në finalizim. Kemi vendosur një plan të qartë për t’iu kundërvënë Turqisë, si në momentet kur ata e kanë topin, ashtu edhe kur ne jemi në fazën e sulmit. Pres përkushtim maksimal dhe fokus 100%. Vajzat janë të vetëdijshme për rëndësinë e lojës dhe shpresoj që si produkt i punës sonë të dalim nesër fitues”, deklaroi Sermaxhaj.
Kapitenia e Kosovës, Erëleta Memeti, ka folur për anët e forta të Turqisë.
“Me Turqinë kemi luajtur në vitin 2019, ishte edhe ndeshja ime e parë zyrtare për Kosovën. Janë pothuajse të njëjtat lojtare nga ajo kohë. Ne kemi disa vajza që luajnë në ligën turke, i njohim mirë kundërshtaret. E dimë që janë të forta në duele dhe kanë kundërsulme të shpejta, por besoj se jemi përgatitur mirë për këtë përballje”, tha Memeti.
Një prej lojtareve që luan në kampionatin elitar të Turqisë është, Kaltrina Biqkaj.
“Është një ndeshje e vështirë, duke ditur se bëhet fjalë për ‘plejof’, ku vendoset kush qëndron në Ligën B dhe kush bie në Ligën C. Të gjitha futbollistet janë të gatshme dhe kemi cilësinë e duhur. Kemi punuar shumë gjatë gjithë javës dhe kemi ndërtuar një plan për të dalë fitimtare”, tha Biqkaj.
Futbollistet e Kosovës kanë bërë thirrje për përkrahje të madhe nga tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri”.
Kosova ishte paraqitur në Ligën B në kualifikimet për Euro 2025. Në kualifikime për Evropian, Kosova mbeti e fundit në Grupin B4, prapa Uellsit, Ukrainës dhe Kroacisë. Rrjedhimisht ra në Ligën C. Tani synohet kthimi në nivelin e dytë, por kjo do të varet nga dy ndeshjet kundër Turqisë.