“Shihet edhe prej bisedave që projekti ynë ka potencial. Ajo që na mbetet është t’i zgjedhim bashkëpunëtorët që janë më të përshtatshëm për interesat tona dhe që respektojnë mënyrën e procesit të punës sonë”, ka thënë regjisori Samir Karahoda, i cili në Festivalin e Filmit në Cannes prezanton projektin me të cilin debuton në film të gjatë, “Imazhe të humbura”. Është pritur si mjeshtër i dëshmuar në Cannes, e Kosova atje prezanton edhe projektet “Bleach” nga Kaltrina Krasniqi dhe “Symphony of Season” nga Sami Mustafa
Projektet filmike të Samir Karahodës kanë prekur konkurrencën zyrtare të festivaleve më me peshë në botë. Tre filmat e tij të shkurtër janë më të suksesshmit që Kosova ka pasur. Por, nga ajo që shihet në horizont, debutimi i tij me film të gjatë duket se premton shumë.
Samir Karahoda këto ditë është në rivierën franceze me projektin filmik “Imazhe të humbura”, me të cilin prezantohet në “Focus COPRO” në Marché du Film. Kësaj radhe i është kthyer Festivalit të Cannes për të shikuar mundësinë e bashkëpunimeve me producentë e distributorë. Është rikthyer atje pasi ishte dy herë në konkurrencë zyrtare për “Palmën e Artë”. Kosova po ashtu, sikurse tradicionalisht, atje ka shtandin e vet edhe sivjet.
Samir Karahoda është pritur me trajtim prej mjeshtri të dëshmuar në Cannes. Prej atje ka treguar se kanë pasur pas shumë takime e diskutime me producentë e distributorë. Ka thënë se kryesisht interesimi ka qenë nga produksionet franceze.
“Shihet edhe prej bisedave që projekti ynë ka potencial. Ajo që na mbetet është t’i zgjedhim bashkëpunëtorët që janë më të përshtatshëm për interesat tona dhe që respektojnë mënyrën e procesit të punës sonë”, ka thënë Karahoda për KOHËN, të mërkurën, nëpërmjet postës elektronike.
Ka bërë të ditur se kanë marrë ftesë për pjesëmarrje në një ngjarje tjetër të madhe gjatë muajit tetor.
“Deri tash duket që gjithçka po shkon sipas planeve”, ka thënë ai. Pa zbuluar shumë sa i përket ngjarjes ku projekti do të prezantohet në tetor, ka treguar se atje do të jenë gjithsej tetë projekte dhe vetëm dy nga Evropa.
“Po ashtu vlen të përmendet edhe trajtimi special nga Festivali i Cannes si pjesëmarrës i dyfishtë dhe mundësia që më kanë dhënë për të takuar njerëz me ndikim dhe për të vazhduar rrugëtimin tonë në formën më të mirë të mundshme”, ka thënë ai. Sipas tij, Festivali meriton një falënderim të madh për gjithçka që bëjnë për regjisorët të cilëve u besojnë duke i respektuar e duke u dhënë mundësi që është vështirë të gjenden diku tjetër.
Projekti i Karahodës sipas sinopsisit, paraqet një ngjarje të vendosur në Kosovën e pasluftës. “Imazhe të humbura” ndjek historinë e Sherifit, një kameraman dasmash dhe varrimesh, jeta e të cilit fillon të shpërbëhet pasi humb pamjet nga një dasmë madhështore. Ajo që fillon si një gabim teknik shndërrohet në një rënie më të thellë personale dhe shoqërore. Mesazhi do të jetë universal.
“Imazhet...” pritet të jetë një fiksion/dramë 120-minutëshe, producent është Yll Uka nga “Ikonë Studio”. Kosova do të jetë sheshxhirimi. Krejt kjo pas sukseseve me filmat “Pa vend” (2021) dhe “Rrugës” (2024), me të cilët u përzgjodh dy herë në konkurrencën zyrtare të filmave të shkurtër në Festivalin e Filmit në Cannes.
Në Festivalin që ka nisur në ditën e 13-të të këtij muaji dhe do të mbyllet në ditën e 24-të, Kosova është e pranishme në Marché du Film, siç njihet tregu i filmit, vendtakim për produksione e producentë nga të katër anët e botës. Në shtandin 137, bashkohen Kosova dhe Shqipëria. Nëpërmjet një posteri tregohet se Kosova ofron 30 për qind rabat për produksionet që ia mësyjnë të xhirojnë filma në shtetin ballkanik. Kësisoj shteti synon të joshë kompani të mëdha të kinematografisë.
Drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, e cila ndodhet në Cannes ka thënë se pjesëmarrja këtë vit është e përfaqësuar me tri projekte të rëndësishme nga QKK-ja: “Imazhe të humbura” nga Samir Karahoda në platformën “Focus CoPro”, “Bleach” nga Kaltrina Krasniqi në “Producers Network” dhe “Symphony of Season” nga Sami Mustafa në kuadër të shtandit të “Creative Europe MEDIA”.
“Këto janë projekte që pasqyrojnë jo vetëm potencialin artistik, por edhe ambicien për bashkëpunime ndërkombëtare. Përveç këtyre, në Cannes janë të pranishëm edhe kineastë të tjerë nga Kosova, të cilët janë këtu për të promovuar projektet e tyre dhe për të kërkuar mundësi bashkëprodhimi”, ka thënë ajo.
Sipas Zeqirit, prania e QKK-së në këtë ngjarje ka shumë rëndësi, sepse i shërben jo vetëm rrjetëzimit profesional, por edhe promovimit të përgjithshëm të kinematografisë kosovare në një prej tregjeve më të mëdha dhe më të rëndësishme të filmit në botë.
“Pavijoni i përbashkët Kosovë-Shqipëri është tashmë një traditë që prej 13 vjetësh dhe është kthyer në një pikë takimi të rëndësishme për komunitetin tonë krijues, duke kontribuar ndjeshëm në rritjen e dukshmërisë sonë ndërkombëtare”, ka thënë ajo. Sipas Zeqirit, atmosfera është shumë pozitive dhe çdo ditë është e mbushur me takime me profesionistë të industrisë nga vende të ndryshme.
“Ndihet vërtet energjia e bashkëpunimit dhe e zhvillimit të mëtejshëm të projekteve tona”, ka thënë ajo.
Në mbrëmjen e së martës së kaluar midis glamurit e nën moderimin e aktorit dhe regjisorit Laurent Lafitte, mbi dy mijë veta kanë marrë pjesë në ceremoninë hapëse të Festivalit. Ata i janë bashkuar nderimit të yllit të kinematografisë, Robert de Niro. Atij i është ndarë “Palma e Artë e Nderit” për kontributin në film për disa dekada.
Pos anës formale të ceremonisë hapëse, të pranishmit kanë parë edhe filmin që ka ndezur ekranin e Cannes për sivjet, “Leave One Day” të Amélie Bonnin. Në 94 minuta në këtë film tregohet historia e personazhes Cécile, e cila është gati të hapë restorantin e saj, duke realizuar më në fund ëndrrën e saj, kur papritur i ati pëson një sulm në zemër dhe ajo thirret të kthehet në fshatin ku ishte lindur. Larg zhurmës dhe vrullit të jetës parisiene, ajo has sërish dashurinë e saj të adoleshencës. Kujtimet e së kaluarës rikthehen vrullshëm duke tronditur bindjet e saj.
Politika ka gjetur vend po ashtu në këtë edicion të festivalit, i 78-ti me radhë.
Kryetarja e jurisë, aktorja franceze Juliette Binoche s’ka kaluar shumë mirë përballë gazetarëve. E pyetur për paralajmërimin e presidentit Donald Trump për tarifë 100 për qind për filmat që tregojnë histori amerikane dhe xhirohen jashtë shtetit, ajo ka thënë se s’ka një hulumtim se si mund të ndikojë kjo tarifë në industri.
“E dimë që presidenti po mundohet ta mbrojë vendin e tij”, ka thënë ajo. Festivalin e Cannes e ka përshkruar si një alamet ngjarje ku njerëzit vijnë për të parë filma dhe për t’u bashkuar me njëri-tjetrin. Ka heshtur përballë pyetjes se përse nuk u është bashkuar artistëve që kanë nënshkruar një peticion për ndaljen e luftës në Gazë.