Në 100-vjetorin e bërjes së Tiranës kryeqytet është duke u restauruar ndërtesa e parë që shërbeu si parlament i Shqipërisë. Tash, Teatri i Kukullave ka nisur të marrë formë e të kthehet në identitet.
“Kur Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërisë, 103 vjet më parë, nisi edhe ndërtimi i një godine që pak vjet më vonë do të bëhej Parlamenti i ri. Ajo është Teatri i Kukullave që kemi sot. Ndërtesa shërbeu edhe si zyrë për disa ministra të qeverisë së re. Sot, kjo godinë është duke u restauruar nga programi ‘EU4Culture’, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS”, ka njoftuar zyra e BE-së në Shqipëri.
Organet e larta të shtetit shqiptar, që dolën më 1920 nga Kongresi i Lushnjës prej 21 deri më 31 janar 1920 u vendosën më 11 shkurt 1920 në Tiranë, që u caktua përkohësisht kryeqyteti i Shqipërisë, kurse përfundimisht Tirana u shpall kryeqytet me statutin e Republikës shqiptare në janar 1925.
Pas vitit 1920, filloi popullimi me banorë të ardhur nga krahina e qytete të tjera të vendit. Më 11 shkurt 1920, populli i Tiranës priti me entuziazëm Këshillin e Naltë dhe Qeverinë, e cila u vendos pikërisht në atë ndërtesë, ku tiranasit kishin ngritur flamurin në vitin 1912.
Autoritetet e larta të shtetit shqiptar që dolën nga Kongresi, në marshimin e tyre (që nisi më 6 shkurt), kaluan në Kavajë dhe në pamundësi për të hyrë në Durrës, i cili ishte i pushtuar nga forcat italiane, u kthyen drejt Shijakut, për të mbërritur në Tiranë.
Arsyet që u vendos të shkohej drejt Tiranës qenë mosprania e forcave të huaja (pushtuese), pozita gjeografike në qendër të vendit, patriotizmi shumë herë treguar i popullsisë së trevës dhe ndodhja e disa ndërtesave që mund të përdoreshin si zyra.
Edhe
Tirana me 104 vjet histori si kryeqytet
Në këtë rrugëtim të rrezikshëm, rol kryesor pati ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu, i cili kishte përkrahësit e tij të armatosur. Sipas kujtimeve të bashkëkohësve, ka qenë moszmbrapsja e tij përballë forcave italiane, (që tentuan t’i ndalonin përfaqësuesit e zgjedhur në Lushnjë), moment kyç për suksesin e kësaj ndërmarrjeje.
Me të mbërritur në Tiranë, Këshilli i Naltë dhe qeveria, më 11 shkurt 1920, mes entuziazmit popullor, e shpallën atë kryeqytet të përkohshëm. Më 1922, Tirana u shkëput si nënprefekturë nga prefektura e Durrësit dhe u bë prefekturë më vete. Më 1923 ajo kishte 12.453 banorë. Më 1924 Tirana u bë arenë e luftës së brendshme politike-Revolucionit të Qershorit dhe rikthimit të Ahmet Zogut, i cili u vu në krye të shtetit, në fillim si kryetar i Republikës Presidenciale (1925-1928) pastaj si mbret (1928-1939).
Data 11 shkurt, datë në të cilën Tirana u shpall kryeqytet i përkohshëm, është e një rëndësie parësore në historinë tonë kombëtare, kjo zgjedhje lidhet ngushtë me veprimtarinë e dendur patriotike të tiranasve, para dhe pas pavarësisë.