Udhëheqja e dalë prej Kongresit të Lushnjës – njëra prej mbledhjeve vendimtare për vazhdimësinë e shtetit shqiptar – e kishte të pamundur që të vendosej në Durrës. Ajo që njihej si Qeveria e Durrësit, e cila nuk shtrinte pushtetin në krejt Shqipërinë, ishte kundër Kongresit e mbrohej edhe nga forcat italiane.
Të parrugë për në Durrës, delegatët e Kongresit të Lushnjës, të mbajtur në janarin e vitit 1920 bashkë me Qeverinë në krye të së cilës ishte Sulejman Delvina, do të vendoseshin në Tiranë më 11 shkurt të vitit 1920. Këtë qytezë me pamjen e një kasabaje osmane do ta bënin kryeqytet të përkohshëm. Por, një vit më pas, Tirana do të bëhej kryeqytet i përhershëm.
Sipas të dhënave të Muzeut Kombëtar Historik më 11 shkurt 1920, populli i Tiranës priti me entuziazëm Këshillin e Lartë dhe Qeverinë, e cila u vendos pikërisht në atë ndërtesë, ku tiranasit kishin ngritur flamurin në vitin 1912.
“Autoritetet e larta të shtetit shqiptar që dolën nga Kongresi, në marshimin e tyre (që nisi më 6 shkurt), kaluan në Kavajë dhe në pamundësi për të hyrë në Durrës, i cili ishte i pushtuar nga forcat italiane, u kthyen drejt Shijakut, për të mbërritur në Tiranë”, shkruhet në tekstin e Muzeut për Tiranën si kryeqytet. Sipas këtij institucioni, arsyet që u vendos të shkohej drejt Tiranës qenë mosprania e forcave të huaja, pozita gjeografike në qendër të vendit, patriotizmi shumë herë i treguar i popullsisë së trevës dhe ndodhja e disa ndërtesave që mund të përdoreshin si zyra.
“Në këtë rrugëtim të rrezikshëm rol kryesor pati ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu, i cili kishte përkrahësit e tij të armatosur. Sipas kujtimeve të bashkëkohësve, ka qenë moszmbrapsja e tij përballë forcave italiane, që tentuan t’i ndalonin përfaqësuesit e zgjedhur në Lushnjë, moment kyç për suksesin e kësaj ndërmarrjeje. Një vit pas shpalljes si kryeqytet i përhershëm, më 1922 Tirana u shkëput si nënprefekturë nga prefektura e Durrësit dhe u bë prefekturë më vete.
“Më 1923 ajo kishte 12.453 banorë. Më 1924 Tirana u bë arenë e luftës së brendshme politike-Revolucionit të Qershorit dhe rikthimit të Ahmet Zogut, i cili u vu në krye të shtetit, në fillim si kryetar i Republikës Presidenciale (1925-1928) pastaj si mbret (1928-1939)”, shkruhet në tekstin e MKH-së.
Të dielën kur edhe është shënuar përvjetori i Tiranës si kryeqytet, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka prezantuar një ekspozitë mbi fillesat dhe rrugëtimin e kryeqytetit.
Edhe
Në 103-vjetorin e Tiranës kryeqytet, restaurohet ish-Parlamenti
Ekspozita dokumentare dhe fotografike “Tirana kryeqytet” është hapur në ambientet e ndërtesës së Presidencës gjatë ceremonisë festive me dyer të hapura, të organizuar nga presidenti i Republikës, Bajram Begaj. Sipas DPA-së, ekspozita ilustroi përmes dokumenteve dhe fotove rrugëtimin e kryeqytetit të caktuar në punimet e Kongresit të Lushnjës, si dhe zyrtarizimin e këtij vendimi me mbërritjen në Tiranë të anëtarëve të Këshillit të Lartë, siç ishin: Aqif Pasha, Mihal Turtulli dhe Abdi Toptani.
“Mes materialeve të paraqitura, të pranishmit patën mundësinë të njiheshin me disa fragmente të historisë së kryeqytetit (1604-1937) nën autorësinë e Osman Myderrizit, me telegramin dërguar qyteteve të vendit për ngritjen e flamurit në Tiranë (28 nëntor 1912), me foto të godinës ku u vendos qeveria pas Kongresit të Lushnjës, me një imazh të Bashkisë së vjetër”, shkruhet në sqarimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.
Gjatë kohës sa Ahmet Zogu udhëhoqi Shqipërinë, Tirana kishte nisur të ndërronte pamje nga një kasaba e stilit osman në një qytet ku urbanizmi perëndimor po merrte frymë. Studiot e arkitektët më me nam në Itali ishin angazhuar për të projektuar zhvillimin e qytetit. Të asaj kohe janë edhe qendra e qytetit në plan të gjerë e po ashtu edhe disa prej ndërtesave më ikonike. Pas vitit 1945, kur regjimi komunist mori vendin në dorë, kryeqytetit iu shtuan ndërtesa qeveritare e pallate banimi në stil që për shumë arkitektë qe i shëmtuar. Kurse pas rënies së komunizmit në fillim të viteve ’90 degradimi urbanistik i qytetit mori hov si asnjëherë tjetër. Tash Tirana, sa i përket arkitekturës, rrezikon edhe bërthamën e saj shkaku i ndërhyrjeve të viteve të fundit.