Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, u ka bërë thirrje gjyqtarëve të Gjykatës Speciale në Hagë që, para se të marrin vendimin për ish-krerët e UÇK-së, të mendojnë për pasojat që mund të ketë ai vendim.
Duke folur në marshin solidarizues në Prishtinë, Hamza ka thënë se në shesh nuk po sheh vetëm mijëra qytetarë, por, sipas tij, po sheh Kosovën dhe familjet që kanë paguar çmim të lartë për lirinë.
“Sot në këtë shesh nuk po shoh vetëm mijëra qytetarë, po e shoh Kosovën, po i shoh njerëzit që e kanë mbajtur këtë vend gjallë në ditët më të vështira, po shoh familje që e kanë paguar shtrenjtë çmimin për liri”, ka thënë Hamza.
Ai u shpreh se qytetarët janë mbledhur për të nderuar dhe mbrojtur UÇK-në, por edhe për të përcjellë mesazhin se Kosova po pret drejtësi nga Haga.
“Nuk kemi ardhur vetëm për të marshuar, për të dëshmuar se kujton, nderon dhe mbron UÇK-në. Kemi ardhur për të thënë se Kosova po pret, po e pret drejtësinë, edhe tri ditë e pak orë”, u shpreh ai.
Edhe
Hamza kërkon unitet në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë
Hamza iu drejtua drejtpërdrejt gjyqtarëve që do të marrin vendimin për ish-krerët e UÇK-së.
“Atyre që marrin vendimin në Hagë u themi: mendoni për pasojat para se të merrni vendimin. Vendimi i padrejtë është mbi të gjitha dënim për Kosovën, dhe padrejtësinë nuk e pranojmë”, deklaroi Hamza.