Për vite të tëra kanë qenë aty, por larg vëmendjes së institucioneve. Janë lëshuar vendime kryesisht komunale për tjetërsim, shitje a ndërhyrje në to dhe shteti ka reaguar tek kur ose u janë humbur jo pak vlera që i kanë pasur, ose kur është alarmuar se ka nisma që të rrafshohen. Në “freskimin” e fundit të Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme janë së paku tri raste të tilla. Ish-kino “Rinia” ka krejt pak shenja kinemaje e tek tash së paku, në letra, është monument për një vit
Janë aty tash e disa dekada. Ka prej tyre që i ofrohen edhe shekullit. Por nuk janë vlerësuar që si ndërtesa të cilat shpalosin histori goxha komplekse të shndërrohen në monumente. Institucionet në disa raste kanë intervenuar tek pasi komuniteti ka bërë zhurmë për shkatërrimin e objekteve. Së paku tre prej tyre – që së fundmi i janë bashkuar Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme – janë marrë nën mbrojtje nga shteti tek pasi kanë nisur punimet për demolimin e tyre ose është ngritur alarmi se ato po rrafshohen.
Në Listë tash është edhe ai që pas Luftës së Dytë Botërore qe burg e në luftën e fundit kamp përqendrimi për shqiptarët. Ndërtesa e rrethuar me mure të larta në Gurrakoc, midis Istogut e Klinës, më në fund është bërë monument. Të paktën i përkohshëm. Ky vendim i Ministrisë së Kulturës ua ka prerë rrugën planeve të Komunës së Istogut për rrënimin e ndërtesës me arsyetimin që “paraqet rrezik për qytetarët”.
Në mesin e 17 monumenteve të reja bën pjesë edhe një tjetër ndërtesë që dikur ishte dhe burg. I privatizuar për një mijë euro, objektit në shtator i ishte larguar kulmi në emër të rinovimit. Pas reagimeve të forta nga qytetarët, Komuna e Podujevës kishte pezulluar lejen për rinovim e më pas kishte kërkuar vlerësim nga institucionet e trashëgimisë kulturore. Verdikti final del të jetë se ndërtesa dykatëshe është pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. E ish-kino “Rinia” në Prishtinë është bërë monument jo pak kohë pasi ka nisur shpërfytyrimi i objektit.
E hartuar për herë të parë më 2012, Lista e trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përkohshme ka afat njëvjeçar. Prej atëherë i zgjatet afati çdo vit. Vitin e kaluar aty bënin pjesë 1605 monumente. Sivjet bashkë me ish-Gjykatën e Vushtrrisë numri shkon në 1622. Prej 12 tetorit janë nën mbrojte edhe për një vit. Bashkë me 23 monumente që prej vitit 2016 janë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, shteti zyrtarisht mbron 1645 monumente.
Të paktën deri në fund të vitit, Lista e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme nuk do të pasurohet më.
“Sa i përket mbrojtjes së përhershme më shume informata do të mund t’ju japim pas datës 13 dhjetor, kur institucionet do t’i dorëzojnë propozimet”, shkruhet në përgjigjet e Zana Fetiut, këshilltare e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku.
Është Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore organi që vlerëson nëse një monument mund të jetë pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme. Qysh prej themelimit, më 2009, KKTK-ja nuk kishte përbërje të plotë deri në vitin 2015. Në korrik të vitit 2015 ishin emëruar shtatë anëtarët e këtij organi në kuadër të fushatës së Kosovës për t’u pranuar në UNESCO.
Për tre vjet punë, anëtarët krejt çfarë kishin bërë ishte miratimi për shpalljen e 23 aseteve të trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përhershme. E qysh prej korrikut të 2018-s deri në korrikun e sivjetshëm ky organ ishte jofunksional, pasi ish-anëtarëve u kishte skaduar mandati trevjeçar. Pas dy dështimeve në vitin e kaluar, në korrik të këtij vitit u zgjodhën 7 anëtarët e rinj të KKTK-së. Ata pritet që t’i hapin rrugë edhe largimit të disa monumenteve nga Lista e përkohshme pasi, sipas Ligjit, ata vlerësojnë se cilat asete duhet të gëzojnë mbrojte të përhershme nga shteti.

Ministria e Kulturës dhe institucionet e saj, 17 monumente kulturore, kryesisht arkitektonike, e kanë “listën e zezë” si objekte që tashmë nuk ekzistojnë, kurse 29 të tjera si të tjetërsuara.
Synon që nëpërmjet ndërhyrjeve emergjente të shpëtojë disa monumente.
“Masa preventive – intervenime emergjente tanimë është në zbatim. Kanë filluar të realizohen punimet në rajonin e Gjakovës, aktualisht në Kullën e Zeqë Ramë Brovinës, Kullën e Et’hem Godenit, në rajonin e Gjilanit, aktualisht në Shtëpinë e Sahit Agës në Gjilan e në Mullirin në Binçë. Në kuadër të programit ka edhe të tjera asete që do t’iu nënshtrohen ndërhyrjeve”, ka thënë Fetiu, e cila ka treguar se asnjë monument nuk është larguar nga Lista e trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përkohshme.
Sali Shoshi i cili udhëheq Fondacionin Kosovar Trashëgimia Kulturore pa Kufij, “CHwB Kosova”, ka thënë se deri tash nuk ka ekzistuar ndonjë vizion se si të dilet nga mbrojta e përkohshme në të përhershme e pastaj të bëhet hapja e monumenteve për publikun nëpërmjet programeve e ideve që njerëzit të merren me monumente.
“Ishte dashtë të ekzistojë një plan që do ta maste fuqinë e shtetit në financa e kapacitete në mënyrë që të bëhet lista e përhershme dhe të funksionalizohen monumentet”, ka thënë Shoshi. Sipas tij, duhet bërë financim të projekteve që ia kthejnë shoqërisë monumentet.
“Mbrojta është veç një bazë që publiku të ketë vëmendje për një monument të rëndësishëm. Qëllimi është që të kthehet te publiku si faktor për zhvillim ekonomik, social, turistik e të tjera”, ka thënë Shoshi. Sipas tij, fondet ekzistuese duhet të kanalizohen në këtë drejtim. Ka thënë se Ministria e Kulturës duhet t’i restaurojë monumentet e më pas shoqëria civile të hartojë e implementojë plane për shfrytëzimin e këtyre aseteve.
Se si do të bëhet shfrytëzimi i monumenteve të reja nuk dihet.
Ka kohë që në ndërtesën e viteve ’50 janë zhvilluar aktivitete të tjera. Ishte diskotekë e edhe hapësirë e lojërave të fatit. Tash ngjan me një gërmadhë që e kanë bjerrë koha e njerëzit. Veç dyshemeja e pjerrët është shenjë e një kinemaje të dikurshme.
Vitin e kaluar AKP-ja kishte provuar ta jepte me qira hapësirën prej 1722 metrash. Bëhet fjalë për ndërmarrjen shoqërore “Genci”, që menaxhon me atë që dikur ishte kino “Rinia” në rrugën “Migjeni” dhe me Kinemanë ABC në rrugën “Rexhep Luci”, që ishte kino “Vllaznimi”.
Në shtator ishte bërë alamet reagimi kundër rinovimit të shtëpisë së banimit dikur burg në Podujevë. Institucionet para rreth 5 vjetësh kishin bërë vlerësim, por nuk e kishin marrë atë nën mbrojtje.

Sivjet kanë vendosur ndryshe.
Por sipas Sali Shoshit, vendimmarrja për trashëgimi nuk është gjithmonë vendim i ekspertëve dhe institucioneve. Ka thënë se konventat si ajo Faros vlerësimin e trashëgimisë e kthejnë te njerëzit apo komuniteti.
“Jo definitivisht vlerat janë arkitekturore, artistike e të tjera. Por lidhen edhe me vlera të tjera që mund të lidhen me një komunitet të caktuar. Pra, mund të ketë diçka shumë të rëndësishme për komunitetin pasi ka memorie kolektive”, ka thënë ai. Sipas tij, është pozitive që komunitetet e luajnë rolin e vet dhe e vlerësojnë atë që ka vlerë për ta. “Ekspertët dhe institucionet janë në shërbim të komunitetit”, ka thënë Shoshi.
Lista e monumenteve të reja nën mbrojtje të përkohshme
1. Vendbanim në Vojdull, Istog
2. Tuma në Shpenadi, Prizren
3. Nekropoli tumular në Sfërkë, Klinë
4. Burgu i Gurrakocit, Istog
5. Xhamia në Prapashticë, Prishtinë
6. Kino “Rinia”, Prishtinë
7. Teatri “Dodona”, Prishtinë
8. Shtëpia e vjetër – ish-Stacioni Policor, Podujevë
9. Xhamia e Sibovcit, Podujevë
10. Shtëpia e familjes Luboteni, Prizren
11. Mulliri i familjes Isaku - Vuçitërna, Rahovec
12. Shkolla fillore “Emin Duraku”, Prizren
13. Çenar çezme, Gjilan
14. Shtëpia e Qemajl Selmanit, Gjylekar, Viti
15. Shtëpia e Gjon Serreçit, Ferizaj
16. Shkolla “Gjon Serreçi”, Ferizaj
17. Koleksioni privat i krijimtarisë së instrumenteve frymore Shaqir Hoti, Mitrovicë