Eksperti i arsimit, Xhavit Rexhaj, ka kritikuar performancën e deputetëve, duke thënë se megjithëse shumica janë të kualifikuar në aspektin arsimor, puna e tyre në sallën e Kuvendit lë shumë për të dëshiruar.
“Nëse e shikon kualifikimin, pa bachelor nuk është asnjëri. Por nëse e shikon performancën – kush del me fol, sa herë del me fol, çka flet në foltore, cila është aftësia, gatishmëria për negociata në interes të popullit – ajo është e dobët”, ka deklaruar Rexhaj në “Konfront”.
Ai theksoi se vetëm një numër i vogël deputetësh përgatiten seriozisht për debatet parlamentare.
“Dhjetë veta flasin më shpesh, prej tyre pesë përgatiten. E kam parë Hykmeten Bajramin. Shumica dalin pa përgatitje, pa hulumtime. Flasin një herë dhe më kurrë”, shtoi ai.
Rexhaj vlerësoi se pjesëmarrja e ulët në debatet e Kuvendit, veçanërisht nga përfaqësuesit e komuniteteve, tregon për një situatë të zymtë.
“Serbët nuk dalin kurrë, komunitetet fare. Nuk është fare mjeshtëri për ta kuptuar se kemi Kuvend të varfër”, përfundoi ai.
Rexhaj: Me Rugovën e Thaçin gara kishte dinjitet
Eksperti i arsimit, Xhavit Rexhaj, ka vlerësuar se skena politike në Kosovë ka humbur dinjitetin dhe maturinë që e karakterizonte në të kaluarën. Ai thotë se, ndonëse dikur kishte përplasje e akuza të forta, ato zhvilloheshin me një nivel më të lartë politik sesa sot.
“Këtë e shoh si pasiguri dhe papjekuri e liderëve të tashëm politikë - ajo përcillet edhe te ndjekësit e tyre”, ka deklaruar Rexhaj në “Konfront” kur u pyet për akuzat e shumta të politikanëve për lidhjet me Serbinë.
Sipas tij, edhe pse koha pas luftës ka qenë më e ashpër dhe emocionet më të forta, politikanët si Ibrahim Rugova dhe Hashim Thaçi kanë ruajtur dinjitetin në garën politike.
“Një Ibrahim Rugovë dhe një Hashim Thaçi kanë pasur bre më shumë dinjitet dhe ka pas gara një farë kuptimi. Tash ka rënë niveli tërësisht. Atëherë ka pas akuza por ka qenë koha menjëherë pas luftës, koha ka qenë më afër luftës, ne të gjithë kemi qenë më agresivë, edhe unë kam qenë më agresiv seç jam tash sepse sapo ishim dalë nga lufta”, ka theksuar ai.
Ai apeloi që vendimmarrja të mos mbetet në duart e liderëve të pasigurt, por të kthehet te populli.
“Me një mendësi të tillë politike, vendimmarrjen mos me ia lënë këtyre politikanëve me pasiguri, por popullit”, ka deklaruar ai.
Rexhaj: Premtimi i partive për digjitalizim të shkollave, modë - s'e kanë seriozisht
Eksperti i arsimit, Xhavit Rexhaj, ka thënë se premtimet për digjitalizim të shkollave janë vetëm në modë dhe ata që i premtojnë nuk e kanë seriozisht.
Sipas tij, komunat nuk kanë para për digjitalizimin e shkollave.
“Premtimi i partive për digjitalizim të shkollave është modë. S’e kanë seriozisht. Mos u frikësoni. S’e kanë njëmend. 93.8% e grantit komunal investohet në paga, çfarë digjitalizimi po premtojnë komunat? S’kanë pare. Nuk janë serioze. Janë në modë. Po e thotë ai, po e them edhe unë”, ironizoi Rexhaj.
Rexhaj: Sistemi zgjedhor që na la OSBE-ja funksionon vetëm në demokraci të zhvilluara
Xhavit Rexhaj, ekspert i politikave arsimore, ka thënë se sistemi zgjedhor që ka lënë OSBE-ja në Kosovë funksionon vetëm në demokraci të zhvilluara.
Ai ka shtuar se udhëheqësit politikë inatin e kanë më të madh sesa interesin publik, sepse siç tha ai, ata nuk kanë “gatishmërinë e guximin që të hynë në bisedime për formimin e institucioneve”.
"Ky sistemi jonë proporcional zgjedhor po prodhon rezultate që po kërkojnë negociata shumë të lodhshme për të formuar qeverinë. Kjo ka treguar se një sistem zgjedhor që na ka lënë OSBE-ja që është sistem zgjedhor që e ushtron një konstalacion politik në themelim, në fillimet e veta, që të bisedojë për formimin e institucioneve. Por, sot pas 20 vjetëve doli se ne nuk jemi të gatshëm për një sistem të tillë proporcional sepse nuk e kemi gatishmërinë, mjeshtërinë dhe guximin për të biseduar, bërë marrëveshje për të bëre një qeveri në funksion të popullit”, ka thënë ai në Konfront.