Kulturë

Shteti e jep me qira dhe ia ndërron veprimtarinë ish-“Kino Rinisë”

Ndërhyrjet që janë bërë në objekt e kanë tjetërsuar. Në prag të dhënies me qira ishin nisur të bëheshin rinovime të cilat janë ndalur. E në ish-“Kino Rininë” do të ushtrohen veprimtari të tjera, që sipas Qendrës Kinematografike të Kosovës bien ndesh me ligjin (Foto: Alban Bujari \ KOHA)
 

Ata që nuk e kanë ditur se dikur ishte kinema e kanë të vështirë ta identifikojnë përmes pamjes se për çfarë ka shërbyer ndërtesa. Tash ngjan me një gërmadhë që e ka bjerrë koha e njerëzit. Veç dyshemeja e pjerrët është shenjë e një kinemaje të dikurshme. Se çfarë mund të shërbejë ajo që ishte “Kino Rinia” në Prishtinë, nuk dihet ende. Varet se kujt ia ka dhënë me qira për një vit Agjencia Kosovare e Privatizimit

Salla e përdheses, që dikur kishte 850 karrige për ata që donin të shikonin filma, është e tjetërsuar. Ka kohë që aty janë zhvilluar aktivitete të tjera. Ishte diskotekë e edhe hapësirë e lojërave të fatit. Tash ngjan me një gërmadhë që e ka bjerrë koha e njerëzit. Veç dyshemeja e pjerrët është shenjë e një kinemaje të dikurshme. Se çfarë mund të shërbejë ajo që ishte “Kino Rinia”, në Prishtinë nuk dihet ende. Varet se kujt ia ka dhënë me qira për një vit Agjencia Kosovare e Privatizimit. Në konkursin e mbyllur muajin e kaluar për atë që titullohet “Hapësira afariste e tenderuar me sipërfaqe të përgjithshme prej 1722m2 është e ndarë në katër hapësira” janë dhënë dy oferta. Bëhet fjalë për ndërmarrjen shoqërore “Genci”, që menaxhon me atë që dikur ishte “Kino Rinia” në rrugën “Migjeni” dhe me Kinemanë ABC në rrugën “Rexhep Luci”, që ishte “Kino Vllaznimi”. Me vetë “Gencin” si kompani për distribuimin dhe shfaqjen e filmave menaxhon AKP-ja. Asetet e “Gencit” janë në likuidim qysh prej vitit 2014. Por nuk janë privatizuar ende.

Ligji për kinematografi përcakton se pa lejen e Qendrës Kinematografike të Kosovës nuk mund t’iu ndryshohet destinimi kinemave. Madje edhe nëse ato shiten.