Kulturë

Ndërrohet Këshilli i Librit, botuesit duan qasje të re përballë sfidave

Për dy vjet i është shkurtuar mandati përbërjes së kaluar të Këshillit të Librit. Anëtarë të përbërjes së re premtojnë se do të kenë qasje tjetër në ndihmë të botuesve dhe autorëve. E Shoqata e Botuesve të Kosovës pret hapa konkretë që botuesit të nxirren nga kriza e thelluar në kohë pandemie

Prishtinë, 30 qershor – Ndërrimi i anëtarëve të Këshillit të Librit ka zgjuar shpresat e botuesve për politika të reja në raport me librin. Në kohë pandemie, aktiviteti i botuesve ka rënë ndjeshëm. E pezullimi i edicionit të sivjetmë të Panairit të Librit në Prishtinë del të jetë midis problemeve kryesore që mund ta thellojë krizën e shtëpive botuese.

Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, ia ka shkurtuar mandatin katërvjeçar ish-përbërjes së Këshilli të Librit. Të emëruar në fillim të vitit 2018 nga ish-ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, nga përbërja “e vjetër” kanë mbetur pesë prej njëmbëdhjetë anëtarëve.