Kulturë

Mungesa e vizitorëve, problematikë në rritje e Panairit të Librit

panairi

Të dielën mbrëma është mbyllur pesëditëshi i Panairit të 25-të të Librit në Prishtinë. Mungesa e hapësirës ka qenë problematikë që në organizimin e një prej ngjarjeve më të mëdha kulturore, e tjetra që vjen përvitshëm, mungesa e vizitorëve, është brenga kryesore e shtëpive botuese. Pjesa dërrmuese e përfaqësuesve të shtëpive botuese konsiderojnë se secili Panair po zbehet më shumë sa i përket frekuentimit në këtë ngjarje e interesimit për librin. Kurse organizatorët vizitat në Panair nuk i shohin si të dhëna kryesore sa i përket leximit

Edicioni me të cilin shënohet një çerekshekull i Panairit të Librit në Prishtinë është dukur goxha i zbehtë. Veç dy ditët e fundit, të shtunën e të dielën, është ngjallur. Mungesa e vizitorëve ka qenë një prej problematikave të shtëpive botuese e njashtu, këtë edicion, edhe mungesa e hapësirës.

Ndonëse me ankesa për mungesë të vizitorëve, midis pjesëmarrësve në Panair ka edhe prej atyre që refuzojnë idenë se nuk lexohet veç pse nuk blihet libri.  Në epokën digjitale, adresë sipas tyre për të arritur te libri janë edhe platformat ‘online’ për të lexuar libra. E në anën tjetër, pjesa dërrmuese e përfaqësuesve të shtëpive botuese konsiderojnë se secili panair po zbehet më shumë sa i përket frekuentimit në këtë ngjarje e interesimit për librin.

“Tashmë është kthyer në traditë pjesëmarrja jonë në Panairin e Prishtinës, është i disati vit që ne marrim pjesë. Është një panair i organizuar mirë, por ajo që vëmë re sivjet ka më pak vizitorë. Shkollat nuk është që e kanë frekuentuar mjaft. Ndoshta është edhe sezoni që ka përfunduar viti shkollor e ai akademik”, ka thënë Klodiana Matani, botuese dhe redaktore në shtëpinë botuese “Muza” nga Tirana.

Ka treguar se ka pasur interes kryesisht në librat për fëmijë.

“Na ndjekin në botime, kemi të njëjtët lexues që i kemi pasur edhe vitet e kaluara dhe i vënë re menjëherë botimet e reja. Kjo është një gjë shumë e mirë. Ndërsa nga botimet për të rritur ka kryesisht romancat që kanë qenë të kërkuara”, ka thënë ajo.

E çështjen e mungesës së lexuesve e ka konsideruar problem social.

“Ky nuk është një problem i ditëve të Panairit. Tashmë është një problem social. Sigurisht se ndikon zhvillimi i teknologjisë, sidomos te brezi i ri që janë gjithmonë e më të tërhequr nga teknologjia. Lexojnë edhe ‘online’, kështu që kanë një kontakt më të paktë me librin fizik. Detyra jonë, e mësuesve, prindërve është t’i shtyjmë të frekuentojnë më shumë organizimet kulturore me librat.”, është shprehur botuesja Matani.

Botuesit nga Shqipëria, me të drejtë, e shohin Panairin në Prishtinë ndryshe nga ai i Tiranës që organizohet çdo nëntor. Por bashkohen në një pikë, në rënien e vizitorëve.

Aida Baro, kryeredaktore në shtëpinë botuese “Pegi” nga Tirana ka thënë se duhen bërë politika për ta afruar lexuesin tek libri.

“Teknologjia e bën të veten dhe e ul përqendrimin e leximit, por duhen bërë politika më të mira për të ofruar lexuesin e ri tek libri. Një problem tjetër është edhe fakti që, kam përshtypjen që ndoshta edhe nuk është bërë një punë informuese për njerëzit, sepse shumë njerëz e kanë marrë vesh momentin e fundit. Për fat të mirë e shtuna dhe e diela kanë qenë paksa më ndryshe sesa tri ditët e para të Panairit”, ka thënë ajo.

Sipas Baros, nëse vazhdojnë panairet me këtë ritëm, rrezikohet edhe pjesëmarrja e shtëpive botuese aty dhe libri do të lihej në harresë.

“Do të duhej të bëheshin politika, sidomos për kulturën. Ka një veçanti. Ne bëjmë një ulje prej njëzet për qind dhe njerëzit kërkojnë vazhdimisht ulje për çmimin, gjë që nuk e kërkojnë tek ushqimet, as te kafeja e birra që e pinë pasdite. Duhet të hiqet kjo mendësi se po shpenzon kot për librin”, ka konsideruar ajo më tej.

Sipas saj, problematike është kërkesa e lexuesit shqiptarë për librin në gjuhë të huaja, në vend të leximit në gjuhën shqipe. Është shprehur se kësisoj rrezikohet gjuha.

“Një problem tjetër shumë madhor që e ndiej edhe në Prishtinë edhe në Tiranë është që të rinjtë kërkojnë libra në anglisht. Ne jemi duke humbur gjuhën dalëngadalë, këtë gjuhë për të cilën në Kosovë është luftuar për shekuj dhe në Shqipëri po ashtu kombi është mbajtur nga gjuha. Dhe ne po i lëmë terren të lirë anglishtes. Ndoshta për një shekull, nëse nuk merren masa të rëndësishme, do ta humbasim gjuhën tonë”, ka thënë Baro.

Përkundër rregullave të Panairit, përfaqësuesit e shtëpive botuese kanë nisur të “paketohen” më herët se orari i ditës së fundit, në orën 19:00.

“Viteve të kaluara kemi hasur në probleme të theksuara me botues, që të dielën zhvendosen nga stendat në herët se orari i mbylljes (19:00). Një gjë e tillë është rreptësisht e ndaluar”, shkruhet midis tjerash në rregulloren e Panairit për shtëpitë botuese.

I organizuar nën moton “Inteligjenca rrjedh nga libri”, edicioni i 25-të ka qenë kundërpërgjigje e ndikimit të Inteligjencës Artificiale te libri.

Ish-gazetarja Vjollca Fetatu-Zalli, që në Panair prej vitesh ekspozon librat e bashkëshortit të saj, autorit të ndjerë për fëmijë, Shkëlzen Zalli, ka konsideruar se megjithatë, libri nuk vdes.

“Kam mbi 15 vjet që rregullisht marrë pjesë në këtë Panair. Interesi vjen duke rënë. Inteligjenca digjitale ka futur thonjtë goxha në letërsi, sidomos në atë për fëmijë. Është për të ardhur keq. Por libri nuk do të vdesë kurrë”, është shprehur ajo.

Pos si festë e librit e vendtakim i lexuesit me autorët e shtëpitë botuese, Panairi sivjet ka qenë edhe imazh i rënies së interesimit për lexim, mungesës së hapësirave kulturore.

Shoqata e Botuesve të Kosovës që e organizon këtë ngjarje sivjet nuk ka shpalosur të dhëna sa i përket numrit të vizitorëve. Të shtunën në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, kishte thënë se sivjet sfidat e ngjarjes kanë qenë më të theksuara. Pa Atelienë e Pallatit të Rinisë, ajo që konsiderohet si festë e librit, u ka bërë strehë rreth 100 botuesve në një hapësirë më të ngushtë sesa në edicionet e kaluara.

“Është pashmangshëm një nga ngjarjet kryesore kulturore dhe shpresojmë shumë që politikanët që e vizitojnë për çdo vit Panairin, ta kenë kuptuar më në fund brengën tonë kryesore e që është krijimi i hapësirave të përshtatshme për organizimin e ngjarjeve të tilla. Është një nga arsyet që ndikon që ngjarjet kulturore po e humbasin efektin e tyre dhe dita-ditës mbase edhe po veniten”, kishte thënë Zeneli.

Kishte theksuar se në përgjithësi skena kulturore – e përqendruar kryesisht në hapësirat e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve –  infrastrukturën e ka problem të përbashkët.

“Përkundër sfidave – që janë të panumërta dhe praktikisht kam përshtypjen që të gjitha ngjarjet kulturore në Kosovë vijojnë ta kenë problem kryesor infrastrukturën e cila pastaj i bllokon të gjitha potencialet e tjera kulturore –  kemi arritur ta krijojmë një traditë çerekshekulli që konsideroj se nuk është pak”, kishte thënë ai më tej.

Jetlira Avdijaj është fituese e çmimit “Autori i vitit (letërsi shqipe)” me romanin e saj “Toka e babës” të botuar nga Botimet KOHA. Vepra me të cilën Avdijaj vitin e kaluar u shpall laureate e shpërblimit “Rexhai Surroi” për letërsi, e përballë lexuesin me realitetin emocional të shoqërisë që mbështjell plagët në heshtje. E mysafirja e sivjetme e Panairit, Sophie Kepes ka marrë çmimin tjetër, po aq të rëndësishëm, “Autori i vitit” për librin me titull “Çpërkatësia”, tashmë të përkthyer në shqip. Juria e sivjetme ka qenë në përbërje nga Behar Gjoka, kryetar dhe anëtarët Majlinda Nana-Rama e Dan Ibrahimi. Çmimin për prozë e ka marrë Ahmet Prençi për përmbledhjen e tregimeve “Në emër të gjakut”. Çmime për poezi kanë marrë Shpëtim Selmani  për “Kureshtje dhe terror” e Arti Lushi për veprën “Zoti i Kripës”.

Në fushën e përkthimit, me çmimin “Përkthyesi i vitit 2025” janë vlerësuar Zija Vukaj e Pandeli Pasko Kuteli. Ky i pari për përkthimin e “Pinokut” të Carlo Collodit.

“‘Pinoku’ i Carlo Kolodit është rimarrë nga disa përkthyes shqiptarë dhe në pamje të parë duket sikur, meqenëse është përkthyer një herë, ç’punë kemi me të? ‘Komedia Hyjnore’ e Dante Alighierit është përkthyer 165 herë në gjermanisht dhe 65 herë në frëngjisht. Përkthimet e veprave që futen në fondin klasik, janë të pafundme. Sa herë merren në dorë, çdoherë do të ketë interpretime dhe këndvështrime të reja”, është shprehur ai.

E Kuteli është vlerësuar për përkthimin e veprës “Lufta ime ndaj indiferencës”.

“Jam shumë i emocionuar, sepse në emrat e mëdhenj të përkthimit dhe të prozës shqipe, Mitrushi zë vend të veçantë. Vëmendja që i është dhënë nga juria që të shkojë një nderim i tillë në familjen e Mitrush Kutelit, është kënaqësi shumë e veçantë”, ka thënë ai në ceremoninë e çmimeve.

Çmimin special të Panairit e ka marrë Durim Abdullahu për kontribut të shquar në botimin e librit “Lufta e Kosovës 1997-1999: Një bibliografi e përzgjedhur”. Me çmimin për vepër kapitale në edicionin e 25-të është nderuar shtëpia botuese “Albas” për botimin e serisë së veprave të Petro Markos.