Dirigjenti dhe kompozitori amerikan, Gregory Charette, ka ardhur në një format të veçantë para publikut kosovar: si pianist. Një befasi e këndshme ishte programi që kishte përzgjedhur. Veç një vepër: “Muzikë në të pestat” e Philip Glass. Koncerti që mori titullin e veprës qe një prurje interesante e kompozitorit që mban epitetin e me të njohurit dhe krijuesit më me ndikim në minimalizëm
Emri i kompozitorit Philip Glass është shkruar me të arta si kompozitori më i njohur e më me ndikim i muzikës minimaliste. Një vepër nga krijimtaria e tij është shpalosur edhe në kuadër të edicionit të dytë të Garës së Kompozitorëve të Ballkanit. Dirigjenti dhe kompozitori amerikan Gregory Charette ka qenë ai që e ka sjellë frymën artistike të 84-vjeçarit. Luajti veprën “Muzikë në të pestat” (Music in Fifths) të kompozitorit e pianistit amerikan. Vepra sipas përshkrimit të koncertit, që u mbajt online në ueb-faqen e Festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM”, është një nga veprat pioniere të minimalizmit të hershëm.
“Kjo vepër paraqet një sekuencë kaleidoskopike të modeleve të përsëritura, të gjitha të ndërtuara nga materiali më themelor i muzikës: e pesta e përsosur”, është shkruar aty. Glass njihet për përdorimin e shtimit dhe zbritjes së notave në shkallë të thjeshta për të krijuar forma muzikore epike dhe hipnotike. Një atmosferë të tillë hipnotike e solli edhe Gregory Charette.
“Muzikë në të pestat” është vepër të cilën Glass e kishte shkruar si një ngacmim nderues ndaj pedagoges legjendare Nadia Boulanger. Vepra e shkruar plotësisht në të pestat paralele është një kontrapunkt karshi asaj që ia mësoi ajo.
Vetë, Gregory Charette i cili jeton e vepron në Holandë ka thënë për KOHË-n se gjithkund në botë tashmë situata është goxha e vështirësuar, po ashtu dhe në Holandë ka shumë kufizime sa i përket publikut.
“Në të kaluarën nuk kemi qenë të mësuar të performonim për kamerat. Natyrisht që të mungon energjia e publikut, çfarë e bën muzikën shumë emocionuese është energjia mes publikut dhe muzikantit. Veçmas publiku në Prishtinë është shumë i ngrohtë dhe i hapur. Më duhet ta pranoj që në fillim kur hyra ishte shokuese të mos i takoja aty. Por, në fund të ditës muzika është muzikë, është e njëjtë sikur të performosh vetëm në sallë, si me kolegët apo më 2 mijë veta në publik”, ka thënë ai. Sipas tij, e gjitha është për të krijuarit e një përvoje dhe për ta ndarë të njëjtën.
Koncerti “Muzikë në të pestat” ishte paraparë që të transmetohej më 8 shtator. Koncerti u shty pas tragjedisë në spitalin modular në Tetovë. Më 8 shtator modular u përfshi nga zjarri duke lënë të vdekur 14 persona.
Drejtori artistik i “DAM”-it dhe bashkëthemeluesi i Garës, Dardan Selimaj, ka thënë se “Muzikë në të pestat” vazhdoi frymën bashkëkohore të edicionit të sivjetmë të Garës së Kompozitorëve të Ballkanit.
“Programi i paraparë i koncerteve dhe performancave në kuadër të Garës së Kompozitorëve të Ballkanit ka pasur qëllimin të sjellë një pasqyrë të muzikës bashkëkohore dhe kështu ka qenë i kuruar edhe programi i punuar me studentet e Shkollës për Muzikën e Re ‘DAMcademy’ që është modul i kuruar nga ‘DAM Fest’ dhe ‘Oerknal’”, ka thënë ai.
Në kuadër të Garës së Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë sivjet janë dhënë katër koncerte dhe dy performanca. Edhe në koncertin përmbyllës do të theksohet trashëgimia e kompozitorit Glass, kompozimet e të cilit kanë qenë të nominuara edhe për “Academy Awards”. Në program është vepra “Piece in a shape of a Square” nga Glass, i cili e përshkruan veten si një kompozitor të muzikës me struktura të përsëritura, e që e kanë ndihmuar në evoluimin stilistik.
“Piece in a shape of a Square” të dielën do të interpretohet nga flautistja Susanne Peters (Mentore në ‘DAMcademy’) dhe Zanë Abazit - pjesëmarrëse në “DAMcademy”. Me këtë koncert do të përmbyllet edicioni i sivjetmë për t’u lënë vend përgatitjeve për atë të ardhshmin që është paraparë të mbahet në qershor të vitit 2023. Fitues i edicionit të sivjetmë të kësaj gare është kompozitori Tomislav Oliver nga Kroacia, i cili me veprën e tij “Mixórdia IV” mori “Rrëqebullin e argjendtë”.
Në anën tjetër, edicioni i sivjetmë i Festivalit ndërkombëtar të muzikës ”DAM” planifikohet të mbahet nga 10 deri më 14 tetor. Nuk ishte mbajtur në gusht për shkak të pandemisë.