Kulturë

Muzeu holandez ia huazon Japonisë veprën me nam të Vermeerit

Girl with a pearl earring’

“‘Girl with a pearl earring’ (Vajza me vath perle) është një nga pikturat më të famshme në botë dhe është një nga arsyet kryesore pse shumë vizitorë vijnë në “Mauritshuis”. Për këtë arsye, ajo huazohet në institucione të tjera vetëm në rrethana jashtëzakonisht të veçanta”, shkruhet në deklaratën e muzeut

Muzeu “Mauritshuis” në Holandë ka njoftuar të enjten se vepra më e njohur e koleksionit të tij “Girl with a pearl earring” e Johannes Vermeerit, do të udhëtojë drejt Japonisë këtë vjeshtë. Lajmi u raportua nga “Japan Times”.

Kryevepra e shekullit XVII do të huazohet përkohësisht në Muzeun e Artit Nakanoshima në Osaka, gjatë kohës që muzeu holandez në Hagë do të jetë i mbyllur për rinovime në muajt gusht dhe shtator. Piktura është huazuar për herë të fundit në vitin 2023 në “Rijksmuseum” të Amsterdamit, për retrospektivën kushtuar Vermeerit.

“‘Girl with a pearl earring’ (Vajza me vath perle) është një nga pikturat më të famshme në botë dhe është një nga arsyet kryesore pse shumë vizitorë vijnë në “Mauritshuis”. Për këtë arsye, ajo huazohet në institucione të tjera vetëm në rrethana jashtëzakonisht të veçanta”, thuhet në deklaratën e muzeut. 

Një nga vetëm 34 pikturat e njohura të Vermeerit “Girl…” paraqet një vajzë të re, e veshur me një mbulesë koke ekzotike dhe me vathin karakteristik, e cila kthen kokën drejt shikuesit me buzët pak të hapura. Vepra fitoi famë botërore edhe pas botimit të romanit me të njëjtin titull, i cili u përshtat në film në vitin 2003, me aktoren Scarlett Johansson në rolin kryesor.

Ekspozimi në Osaka do të mbështetet financiarisht nga konglomerati japonez i medias “The Asahi Shimbun Company”, i cili do të shërbejë edhe si partner projekti i “Mauritshuis” për katër vitet e ardhshme. Muzeu do ta përdorë këtë mbështetje për të financuar ndryshime në ambientet e tij, përfshirë ndërtimin e një qendre të re edukimi, që pritet të hapet në vitin 2028.

“Për ‘Mauritshuis’ udhëtimi i veprës në Japoni është një mundësi unike për ta ndarë atë me publikun japonez, ndoshta për herë të fundit”, ka thënë në një deklaratë Martine Gosselink, drejtoreshë e përgjithshme e muzeut.