Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Muzeu Britanik digjitalizon koleksionin për të parandaluar vjedhjet

Në gusht, Muzeu Britanik zbuloi se objekte që datonin që nga viti 1500 para Erës Sonë e deri në shekullin XIX dhe përfshinin bizhuteri prej ari dhe gurë të çmuar të gjysmëvlefshëm, ishin vjedhur ose dëmtuar. Tash, duke digjitalizuar koleksionin dhe duke e bërë atë të qasshëm gjerësisht, synon një politikë të re kundër vjedhjeve

Muzeu Britanik, një ndër muzetë më të vizituara në botë, është përballur me pasojat e vjedhjeve që nxorën në pah mangësitë dhe çuan në largimin e drejtorit të tij. Muzeu Britanik ka hartuar plane për digjitalizimin e plotë të tërë koleksionit të tij. Projekti, i cili pritet të zgjasë pesë vjet, synon që koleksioni i tij prej rreth tetë milionë artefaktesh të jetë i qasshëm për çdo njeri. Ky veprim vjen pasi sivjet u hetua një seri vjedhjesh.

Në gusht, Muzeu Britanik zbuloi se objekte që datonin që nga viti 1500 para Erës Sonë e deri në shekullin XIX dhe përfshinin bizhuteri prej ari dhe gurë të çmuar të gjysmëvlefshëm, ishin vjedhur ose dëmtuar.

Pas skandaleve, Muzeu njoftoi se kishte pushuar nga puna një pjesëtar të stafit, më vonë u zbulua se ishte Peter Higgs, kustos i kulturave mesdhetare. Bie në sy që ekspertë të antikiteteve kishin paralajmëruar Muzeun Britanik se objekte të ngjashme me ato në koleksionin e tij po nxirreshin në shitje në eBay, disa për 40 paundë (46 euro), por këto paralajmërime u injoruan.

Pasojat e vjedhjeve sollën largimin e drejtorit të atëhershëm, Hartwig Fischer, dhe Muzeu ka nisur një hetim të vetin për vjedhjet, si dhe një thirrje për ndihmën e publikut në rikthimin e eksponateve.

“Pas zbulimit që objektet janë vjedhur nga koleksioni, kemi ndërmarrë hapa për të përmirësuar sigurinë dhe tani jemi të sigurt se një vjedhje e këtij lloji nuk mund të ndodhë më”, deklaroi Mark Jones, drejtor i përkohshëm i Muzeut Britanik. “Por nuk mund të supozojmë dhe duhet të mos e bëjmë këtë, që siguria e koleksionit, në një kuptim më të gjerë, mund të arrihet thjesht duke mbyllur gjithçka. Besoj se përgjigjja më e rëndësishme ndaj vjedhjeve është rritja e qasjes, sepse sa më mirë të njihet një koleksion – dhe sa më shumë përdoret – aq më shpejt vërehet kur diçka mungon”.

“Pra, kështu, në vend që ta mbyllim koleksionin, dëshirojmë që ai të jetë më i shijuar, më i përdorur dhe më i shikuar në botë”, ka shtuar ai.

Edhe Hetimi për humbjen e artefakteve nga Muzeu Britanik merr përmasa ndërkombëtare Kulturë Hetimi për humbjen e artefakteve nga Muzeu Britanik merr përmasa ndërkombëtare

George Osborne, kryetar i këshilltarëve, konfirmoi se tërë koleksioni i Muzeut Britanik do të digjitalizohet për të parandaluar një “vrasje të brendshme” pas vjedhjes së më shumë se një mijë artefakteve.

“Në thelb, ne ishim viktimat e një vrasjeje të brendshme, nga dikush, ne besojmë që gjatë një kohe të gjatë po vidhte nga Muzeu dhe të cilit Muzeu i pati besuar. Ka shumë mësime për t'u nxjerrë si rezultat i kësaj”, ka thënë ai. “Pjesëtari i stafit është pushuar nga puna. Objektet kanë filluar të rikthehen. Kemi ndryshuar kodin tonë për denoncim të veprimeve të paligjshme, politikën tonë për vjedhje dhe sigurinë tonë në depo”, ka shtuar ai.

Marrë nga “EuroNews”. Përktheu: Enis Bytyqi