Javën e kaluar, kryeministri holandez, Mark Rutte, zvogëloi kufizimet për disa biznese jothelbësore si: floktoret, palestrat dhe bordellot, por ka thënë se muzetë, kinematë dhe mjediset e tjera argëtuese do të mbeten të mbyllura. Si kundërpërgjigje, dhjetëra organizata të artit nisën një protestë të quajtur “Floktar Teatri”
Po kërkoni një sallon për manikyr në Amsterdam? Ndaloni në muzeun “Van Gogh”. Muzetë dhe teatrot në Holandë janë kthyer përkohësisht në sallone dhe palestra në shenjë proteste ndaj kufizimeve të vazhdueshme në sektorin e arteve në mënyrë që të parandalohet përhapja e koronavirusit. Të gjitha bizneset, jothelbësore në vend janë mbyllur që nga fundi i dhjetorit, si përpjekje për të ngadalësuar rritjen e rasteve që kërcënonin të mbingarkonin sistemin shëndetësor.
Javën e kaluar, kryeministri holandez, Mark Rutte, zvogëloi kufizimet për disa biznese jo thelbësore, si floktoret, palestrat dhe bordellot, por ka thënë se muzetë, kinematë dhe mjediset e tjera argëtuese do të mbeten të mbyllura. Si kundërpërgjigje, dhjetëra organizata të artit nisën një protestë të quajtur “Floktar Teatri”. Rihapën dyert e tyre si palestra dhe sallone. Muzeu “Van Gogh” tani ofron prerje flokësh, rregullim të mjekrës dhe art të thonjve, gjithë këto frymëzuar nga Van Gogh. Muzeu i Amsterdamit ofronte klasa të jogës, ndërsa muzeu “Frans Hals” leksione akrobatike.
“Me këtë duam të tërheqim vëmendjen për situatën e rëndë në sektorin e kulturës dhe nevojën për rihapjen sa më të shpejtë të muzeve. Ne e dimë që kjo është e sigurt dhe duam t'ua dëshmojmë të gjithëve”, është shkruar në uebfaqjen e organizatorëve.
Hyrja e kufizuar në ngjarje ishte falas, por berberët dhe artistët e thonjve janë paguar për shërbimet e tyre. Në disa vende, interpretues profesionistë holandezë edhe argëtonin njerëzit. Për shembull, njerëzit që prisnin flokët në sallën mbretërore të koncerteve të Amsterdamit, dëgjonin edhe muzikë klasike.
Në Holandë, infeksionet ditore janë rritur në nivele të larta rekord: gati 243 mijë raste të reja të virusit u dokumentuan gjatë javës së kaluar, sipas të dhënave të publikuara nga qeveria. Megjithatë, pranimet në kujdesin intensiv dhe vdekjet po bien. Mijëra demonstrues u mblodhën në rrugët e Amsterdamit në fillim të këtij muaji në shenjë proteste ndaj masave të bllokimit, të cilat janë ndër më të ashprat në Evropë për momentin.