Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Holanda do të zbusë masat përkundër rritjes së rasteve me COVID-19

Mark Rutte

Qeveria e Holandës ka thënë se do të zbusë kufizimet e vendosura për ta luftuar përhapjen e COVID-19, nga e mërkura, njofton BBC.

Baret, restorantet dhe muzetë, u mbyllën në Holandë që nga 18 dhjetori për të parandaluar përhapjen e variantit Omicron.

Por, përkundër kufizimeve, rastet me COVID kanë vazhduar të rriten, duke shkuar tash deri në 60 mijë raste ditore.

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, në konferencë për media ka thënë se shteti po “merr rreziqe” dhe po i zbut masat.

Rutte, që është përballur me thirrje të vazhdueshme për zbutje të masave në javët e fundit, pas rënies së numrit të vdekjeve dhe pranimeve në kujdes intensiv, ka shtuar se rregullat e reja do të jenë në fuqi deri më 8 mars.

Kafenetë, baret dhe restorantet do të lejohen të qëndrojnë hapur deri në ora 22:00, mirëpo do të kërkohet nga klientët të paraqesin dëshminë e vaksinimit apo se kanë kaluar së fundi virusin.

Klubet e natës do të mbesin të mbyllura, ndërsa kapacitetet në ngjarjet sportive e kulturore do të limitohen në 1250 persona.

Rihapja pason pas një vale të zemërimit nga punonjësit e gastronomisë me vendimin e Qeverisë që lejoi shitoret, palestrat, floktaritë e shtëpitë publike t’u kthehen punës më 15 janar, ndërsa sektori i tyre mbeti i mbyllur.

Kafenetë në disa qytete u hapën në kundërshtim me kufizimet ndërsa dhjetëra muze e teatro u hapën si sallone ondulimi për një ditë në shenjë proteste

Artikuj të ngjashëm