Thirrja e përvitshme për drejtësi dhe zbardhje të fatit të të pagjeturve nga lufta në Kosovë është përsëritur edhe sivjet midis simbolikave të hënën në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur me forcë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Murali me Ferdonije Qerkezin e “ndalon” kalimtarin dhe e detyron atë reflektojë. Murali rikthen vëmendjen te plaga ende e hapur e Kosovës. Portreti i Ferdonije Qerkezit nga Gjakova e cila humbi bashkëshortin dhe katër djemtë e saj, është përtej një historie personale. Është metaforë vizuale e një realiteti kolektiv
Imazhi ikonik i Ferdonije Qerkezit e vetme në tavolinën me gjashtë pjata para saj tek pret djemtë dhe bashkëshortin, është përjetësuar në një nga objektet e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në Prishtinë. Murali nga artistja Ermira Murati synon të prekë ndërgjegjen, duke e rikthyer atë si simbol të fuqishëm të mungesës, pritjes e dhimbjes që nuk shuhet. Por mbi të gjitha, si simbol i qëndresës e dinjitetit të mbi një mijë e 500 familjeve të të zhdukurve me dhunë.
Thirrja e përvitshme për drejtësi dhe zbardhje të fatit të të pagjeturve nga lufta në Kosovë është përsëritur edhe sivjet midis simbolikave, të hënën në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur me forcë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMurali e “ndalon” kalimtarin dhe e detyron atë reflektojë. Ashtu siç ngjante edhe gjatë procesit të punës së veprës kur artistja Murati ishte duke u marrë me finesat e kësaj vepre.
Murali rikthen vëmendjen te plaga ende e hapur e Kosovës. Portreti i Ferdonije Qerkezit nga Gjakova e cila humbi bashkëshortin dhe katër djemtë e saj është përtej një historie personale. Është metaforë vizuale e një realiteti kolektiv. Tavolina e shtruar, por e zbrazët, përfaqëson pritjen e heshtjen që rëndon mbi shoqërinë dhe nevojën për kërkim të së vërtetës.
Ngjarja është organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë. Drejtoresha e organizatës, Marigona Shabiu, ka thënë se për më shumë se dy dekada, procesi i zbardhjes së fatit të personave të zhdukur është karakterizuar me vonesa, mungesë transparence dhe vullnet të pamjaftueshëm politik.
“Institucionet tona kanë një obligim të qartë ligjor dhe moral që të veprojnë, të intensifikojnë kërkimet, të hapin arkivat relevante, të forcojnë bashkëpunimin ndërinstitucional ndërkombëtar dhe të sigurojnë që siguria të vihet në vend. Por, mbi të gjitha, padyshim se barrën kryesore për zbardhjen e fatit të të pagjeturve natyrisht se e mban shteti i Serbisë, prej të cilit sot e çdo ditë tjetër kërkojmë të vërtetën e drejtësinë për të gjithë viktimat e luftës në Kosovë”, ka thënë ajo.
Shabiu ka thënë se murali shfaq realitetin se si fati i personave të zhdukur mbetet i panjohur. Se imazhi i Qerkezit e përfaqëson kërkimin e dhimbjen e përhershme të tyre.
“Ky mural nuk flet vetëm për të. Ai përfaqëson mbi një mijë histori të tjera. Sipas të dhënave të Kryqit të Kuq ndërkombëtar, 1581 persona mbeten ende të zhdukur në Kosovë. Pas çdo numri është një grua, një fëmijë, një burrë, një plakë e një plak, një histori e tmerrshme, një familje dhe një e drejtë e mohuar. Prandaj, kjo çështje nuk i takon vetëm të së kaluarës”, është shprehur Shabiu.
E ka konsideruar Ferdonije Qerkezin si simbol të qëndrueshmërisë dhe të dinjitetit për të gjitha familjet e personave të zhdukur në Kosovë.
“Ky mural mban portretin e një gruaje që përfaqësojn këtë realitet në mënyrën më të qartë, jo vetëm për atë që ka përjetuar, por për mënyrën sesi ka vendosur të qëndrojë e fortë e të vazhdojë të kërkojë të vërtetën e drejtësinë”, ka thënë ajo më tej.
Protagonistja në mural, Ferdonije Qerkezi, ka qenë e pranishme në përurim.
“I falënderoj për vizitat që m’i bëjnë, për përkrahjen e popullit. Faleminderit edhe për muralin, për të gjitha gjërat që i bëjnë për mua”, ka thënë ajo shkurt.
Koordinatori i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, ka theksuar detyrën e institucioneve për ndriçimin e fatit të të pagjeturve.
“Përmes këtij murali gjithsesi që nderojmë mijëra familje dhe kujtojmë të gjithë ata që na mungojnë, por në të njëjtën kohë, përmes këtij murali ndërtojnë një kujtesë të përbashkët që duhet t’u përcillet brezave, që historia të njihet, të kujtohet dhe të mos përsëritet kurrë më. Është detyrë e jona që kjo pritje të mos mbetet vetëm simbol, por të shndërrohet në angazhim të vazhdueshëm deri në ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes të të gjithë personave të zhdukur me forcë”, ka thënë ai.
Ferdonije Qerkezi vazhdon të mos dijë asgjë për fatin bashkëshortit dhe të të dy djemve që ende i pret prej marsit të vitit 1999 kur policët serbë ia morën nga shtëpia në qytetin e Gjakovës. Me dy djemtë e tjerë çmallet te varret e tyre qysh prej vitit 2005, kur iu gjetën eshtrat.
Në mars të 2023-s, në ambientet e Muzeut Etnologjik të Kosovës, Ferdonije Qerkezi kishte zhvilluar ritualin e tash e 27 vjetëve për t’u ulur në tavolinë e vetme me gjashtë pjata para. Pesë gjella mbesin të paprekura. Ishte pjesë e ekspozitës “Mirë se vini në tavolinë”, me autor Artan Korenicën. Nga aty ka zënë fill fotografia ikonike të cilën Erëmirë Murati e njohur si “Orange Girl” e ka transformuar në mural me dimensione prej afro 70 metrash.
E zeza dhe e portokallta janë ngjyrat e vetme të cilat përcjellin mesazhin. Artistja Murati ka uruar që dita që sjell vëmendjen tek të pagjeturit të reflektojë tek udhëheqësit shtetërorë.
“Qëllimi i veprës ka qenë të bëhet në një hapësirë publike ku njëkohësisht të qëndrojë permanente dhe si reflektim e rikujtim i gjithë shoqërisë për përgjegjësinë kolektive ndaj kësaj çështje. Uroj që kjo datë të kujtohet edhe nga përfaqësuesit tanë që kjo temë dhe shumë tema tjera janë shumë më jetike për shoqërinë tonë sesa ngërçet politike që po ndodhin. Le të jetë ky një reflektim sesi duhet të procesohen përpara gjërat që janë shumë më me rëndësi”, është shprehur ajo.
Është parë tejet e emocionuar në përurimin e muralit. Veçmas në një bisedë me Qerkezin, e cila si përherë qëndron stoike, por duket se dhimbja e mosha e ka dërrmuar fort.
Artistja Murati ka thënë se vepra ka qenë e rëndë emocionalisht për t’u punuar.
“Kam pasur përzierje të emocioneve, kjo nuk do diskutim. Edhe kam qarë sa kam qenë atje lart. Natyrisht, nuk ka qenë e thjesht të perceptohet se çfarë jam duke bërë dhe çfarë peshe të madhe ma kanë besuar për të paraqitur një gjë të tillë në të cilën reflekton çdo gjeneratë me shpresën që do të zgjidhet dhe do të bëhet përmirësim në këtë pjesë. Ka pasur vështirësi emocionale, vështirësi logjistike, por ja ku jemi sot. Përfundoi, jam afër nënës Ferdonije, më bëhet qejfi që ajo është sot këtu, më mbushet zemra”, është shprehur Murati për KOHËN.
E portokallta është ngjyrë kreative në punën e saj. E zeza – e errtë. Kjo praktikë e bën veprën e saj të dallueshme në publik. Arti i saj jo rrallë gjendet në muret e kryeqytetit dhe jo vetëm, duke trajtuar kauza të ndryshme.
Në qendër të jetës urbane, përjetimi personal është përditshmëri e qytetit. Murali është thjesht rikujtim se pas çdo numri të personave të zhdukur qëndrojnë histori familjesh, jetë të ndërprera dhe një pritje që vazhdon.