Kulturë

“Mos u nxeh Prizren!”- me lojë në mbrojtje të trashëgimisë kulturore

Disa qytete në Shqipëri kanë qenë stacionet e lojës së famshme “Mos u nxeh!”, por të transformuar në promovim e për vetëdijesim mbi peshën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Tash vjen edhe versioni për Prizrenin, nëpërmjet të cilit nxënësit kanë mundësi që duke luajtur të shëtisin e të mësojnë për disa prej monumenteve të qytetit historik

Edukimi i gjeneratave të reja për trashëgiminë kulturore të Komunës së Prizrenit po synohet të realizohet edhe përmes lojës argëtuese “Mos u nxeh Prizren!”. Ky format i lojës i prezantuar vite më parë në disa qytete të Shqipërisë, të mërkurën është shpalosur edhe në kryeqytetin kulturor të Kosovës, me idenë që të rrisë kujdesin për ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore.

Në oborrin e Kompleksit Muzeor të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, para të pranishmëve është paraqitur loja në dimensione për hapësirat publike dhe për tavolina, derisa nxënësit e shkollës “Emin Duraku” kanë qenë të parët që kanë hedhur zarin, për të lëvizur më pas nëpër shtegun e trashëgimisë kulturore të qytetit të vjetër.

Image
Edicioni i lojës “Mos u nxeh Prizren” është dizajnuar nga “EC Ma Ndryshe” në partneritet me Asociacionin e Guidave Turistike të Kosovës, me kontributin e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren dhe me financim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Edicioni i lojës “Mos u nxeh Prizren” është dizajnuar nga “EC Ma Ndryshe” në partneritet me Asociacionin e Guidave Turistike të Kosovës, me kontributin e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, dhe me financim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Drejtori i OJQ “EC Ma Ndryshe”, Valon Xhabali, ka thënë se shumica e pjesëmarrësve nga gjeneratat më të vjetra janë të familjarizuar me këtë lojë, meqë e kanë luajtur në një format tjetër.

“Këtë herë si organizatë jemi munduar me e sjellë edhe një mjet shtesë për ndërgjegjësimin dhe edukimin sidomos të gjeneratave të reja për rëndësinë e mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore”, ka thënë Xhabali, duke shtuar se kjo lojë para disa vjetësh është realizuar në disa qytete të Shqipërisë dhe se në Kosovë për herë të parë vjen dizajni me vlerat e Prizrenit.

Image
Loja është dizajn i referuar në një nga lojërat e preferuara të fëmijëve në vitet ’80 e ‘90 e përshtatur dhe e vendosur në funksion të edukimit dhe trashëgimisë

Ndërsa drejtori i QRTK-së në Prizren, Samir Hoxha, ka thënë se ky aktivitet mundëson prezantimin e vlerave të trashëgimisë kulturore të Komunës së Prizrenit.

“Kjo lojë, e cila një pjesë na kthen në retrospektivë – neve që jemi gjenerata të mesme pse jo edhe ato të vjetra që kemi pasur rastin të luajmë por në formate e emërtime të ndryshme – tani po bëhet realitet me prezantimin e vlerave të trashëgimisë kulturore”, ka deklaruar Hoxha.

Sipas tij, ky aktivitet mundëson edukimin joformal të të rinjve rreth promovimit të trashëgimisë kulturore.

“Përmes këtij aktiviteti, edukimin joformal të gjeneratave të brezave të rinj, të shkollarëve, për të cilët ne kemi shumë nevojë dhe është pjesë e objektivave tona edukimi joformal në përputhje me zbatimin e strategjisë kombëtare të trashëgimisë kulturore dhe këtu zotohemi edhe para ministrit, edhe para juve pjesëmarrësve, prindërve, nxënësve që institucioni ynë do të jetë çdo herë i gatshëm dhe pro bashkëpunimit të fushave të ndryshme me theks të veçantë promovimit të trashëgimisë sonë kulturore”, është shprehur Hoxha.

Në anën tjetër ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku, ka thënë se edukimi për trashëgiminë kulturore duhet të fillojë nga moshat e reja.

“Duhet të fillojë qysh prej moshës më të re dhe mënyra më e mirë për të mësuar diçka është përmes lojës, përmes argëtimit dhe bashkëpunimit me njëri-tjetrin. Natyrisht, loja e ka emrin ‘mos u nxeh’, kështu që ata që humbin s’bën me u nxeh, sepse edhe ata që humbin kanë me fitu, sepse kanë me fitu njohuri, dije për trashëgiminë kulturore”, ka thënë Çeku, duke iu drejtuar nxënësve të pranishëm në këtë aktivitet.

Ai ka shtuar se edukimi përmes lojës është një metodologji e qëlluar.

“Kjo mund të duket diçka e vogël, por në fakt është një metodologji shumë e avancuar për t’i edukuar fëmijët tanë qysh duhet, me vlera, që ata me u rritë me idenë që këto vlera duhet mbrojtur, kultivuar dhe promovuar tutje”, ka theksuar Çeku.

Kjo lojë kreative është dizajnuar më parë për qytete të ndryshme të Shqipërisë, si: Gjirokastra, Tirana, Shkodra, Korça, e të tjera. Loja, sipas bartësve të projektit, përpos që synon të “pushojë” fëmijët nga ekspozimi i tepërt në pajisje elektronike, po ashtu synon rikthimin e një nostalgjie të shumë familjeve kosovare, tashmë në një format ndryshe, ku fëmijët përmes lojës e argëtimit do të mund të (ri)zbulojnë elemente të ndryshme të trashëgimisë së qytetit të tyre, përderisa të rriturit evokojnë kujtimet që ofron loja dhe mund të diskutojnë hapur për temat e mbrojtjes së trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore.

Loja “Mos u nxeh” është krijuar për herë të parë në vitin 2017 nga Trashëgimia Kulturore pa Kufij në Shqipëri (CHwB Albania) si pjesë e koleksionit “E ka kush e ka”, që synon të përfshijë fëmijë dhe të rritur në një seri libërthash e lojërash nëpërmjet të cilave zbulohet e rizbulohet trashëgimia kulturore e vendit ku jetojnë. Loja është dizajn i referuar në një nga lojërat e preferuara të fëmijëve në vitet ’80 e ‘90 të përshtatur dhe vendosur në funksion të edukimit dhe trashëgimisë. Botimi i parë është dizajnuar për qytetin e gurtë të Gjirokastrës, duke vazhduar më pas edhe me Beratin, Korçën, Shkodrën, Elbasanin, Tiranën, Durrësin, Pukën dhe së fundmi me edicionin për Prizrenin, kryeqytetin kulturor dhe historik të Kosovës. Në vitin 2018, kjo lojë është përzgjedhur fituese e çmimit për historitë e Trashëgimisë Evropiane gjatë ditëve të Trashëgimisë Evropiane, të menaxhuara nga Këshilli i Evropës.

Loja në javët në vijim do të prezantohet edhe te shkollat e tjera të Komunës së Prizrenit, me synimin që të jetë një nga mjetet joformale të edukimit për brezat e rinj të Prizrenit.