Kulturë

“Monoakt” ringjall skenën e teatrit “Istref Begolli”

Ka disa muaj që në skenën e teatrit “Istref Begolli” në Pejë nuk është prezantuar ndonjë projekt teatror.

Edicioni i dymbëdhjetë i festivalit të monodramës “Monoakt”, për pesë net e ka riaktivizuar skenën e këtij teatri, transmeton KOHA.

Në një organizim modest dhe pa bujë për shkak të pandemisë janë prezantuar monodrama, që janë shfaqur para publikut me numër të kufizuar.

Organizatorët e “Monoakt”-it shprehen të lumtur që ia dolën ta mbajnë festivalin dhe t’i hapin dyert e teatrit, që mban emrin e ikonës së artit skenik shqiptar.

Viti i dymbëdhjetë i organizimit të “Monoaktit”, përfundoi të martën me ndarjen e çmimeve.

“Ora e fundit e jetës së Njegoshit”, nën interpretimin e aktorit nga Mali i Zi, Slobodan Tomoviç, mori çmimin kryesor.

Monodrama e prodhuar nga teatri malazias deri tani është inskenuar në tridhjetë shtete dhe trajton filozofinë e një prifti që beson në pavdekësinë shpirtërore.
“Jam i kënaqur që isha prezent me shfaqjen time në këtë festival që ka traditë qe një dekadë. Për mua dhe për teatrin nacional të Podgoricës është nder shpërblimi me këtë çmim, pasi që festivali është i karakterit ndërkombëtar dhe ballafaqon shfaqje të ndryshme në skenë. Sa i përket shfaqjes, në vitin 1988 është dhënë premiera e parë në kryeqytetin e Malit të Zi dhe që nga ajo kohë në tridhjetë e tre vjet është luajtur në 1500 skena të tridhjetë shteteve. U jam mirënjohës drejtuesve të festivalit që na ftuan për ta prezantuar artin tonë në Pejë, dhe komplimente për guximin e mbajtjes së festivalit në kohë pandemie”, thotë Tomoviç.