Për gjashtë ditë, Prishtina është shndërruar në kryeqendër të monodramës me edicionin jubilar të Festivalit ndërkombëtar të monodramës “MonoAkt”. Çmimi kryesor ka shkuar në Spanjë me shfaqjen “Dasmë gjaku”, e cila ka marrë edhe çmimin për aktoren më të mirë. Në këtë edicion është nderuar post-mortem edhe aktori ikonik, Faruk Begolli
Festivali ndërkombëtar i monodramës “MonoAkt” tashmë është urë lidhëse e publikut vendor me shfaqje ndërkombëtare. Mozaiku u përmblodh me shfaqje nga Izraeli, Spanja, Bullgaria, Portugalia e Gjermania. Nisi me “Arkën” e Mentor Zymberajt, e në të njëjtën hapësirë, për gjashtë mbrëmje hapën kapituj rrëfimesh me të cilat e rrugëtuan publikun nëpër kultura evropiane të artit skenik. Në përmbyllje të krejt programit, të enjten mbrëma, u ndanë edhe çmimet e Festivalit që sivjet erdhi me edicionin jubilar, të 15-tin.
Monodrama “Bodas de Sangre” e regjisorit spanjoll, Pati Domenech, është zgjedhur më e mira në mesin e katër shfaqjeve të tjera. Shfaqja futet në histori tragjike dhe prej aty nxjerr rrëfimin jetësor, që jo përherë është me plot ngjyra. Është “Dasmë gjaku”, siç përkthehet në shqip, bazuar në dramën e shkrimtarit dhe regjisorit spanjoll, Federico Garcia Lorcas. Aktorja Maria Vidal në këtë shfaqje ndërdisiplinore ndërthur tri histori tragjike: atë të nënës, të dashurës dhe vetë Lorcas, i cili përfundon me vdekje tragjike. Është vlerësuar për talentin e dhe përkushtimin e krejt ekipit të angazhuar në të. Por ky nuk ka qenë çmimi i vetëm për të.
Regjisori i shfaqjes, Pati Domenech, është shprehur falënderues ndaj organizatorëve, publikut e jurisë.
“Nuk flas anglisht. E dua Prishtinën, audiencën dhe të gjithë”, ka thënë ai shkurt pasi ka pranuar Çmimin.
Edhe aktorja Maria Vidal ka folur shkurt kur në skenë ka dalë për ta pranuar çmimin.
“Nuk flas mirë anglisht, urime për Festivalin dhe faleminderit për këtë çmim. Jam shumë e lumtur”, ka thënë Vidal.
Çmimi për Aktorin më të mirë i është ndarë gjermanit Philipp Sommer për shfaqjen “The Case d’Arc”, në regji të Maja Deleniqit nga Gjermania. Në skenën e “Dodonës” kishte portretizuar jetën fëmijërore të heroinës franceze Zhan d’Arc, marrëdhëniet e saj me prindërit e lidhjen me religjionin. “Faleminderit shumë, është kënaqësi të jemi këtu, faleminderit jurisë dhe faleminderit për ftesën në këtë Festival kaq të mirë në Kosovë. Pata kohë shumë të mirë, është nder për mua”, ka thënë aktori Sommer në skenë.
Juria profesionale në përbërje të dramaturges gjermane, Mina Mazur, atë maqedonas, Sashko Nasev, dhe regjisorin gjerman, Matthias Gehrt, kanë ndarë Çmimin për regjinë më të mirë për regjisoren bullgare Bilyana Petrova për shfaqjen “The Star – Child”. Kjo shfaqje e ka mbyllur programin e Festivalit, pak para ceremonisë përmbyllëse. Në thelb, shfaqja nuk ngjan në një monolog të mirëfilltë. Derisa aktori bullgar Deyan Zhekov, ka luajtur, në prapavijë ka qenë e projektuar si në mjegull fytyra e një gruaje e zëri i saj si i përhumbur dëgjohet derisa aktori komunikon.
Ndonëse pa titra në shqip, sikurse krejt shfaqjet e tjera, reagimet e publikut derisa jepej shfaqja bënin të ditur se skena bullgare nuk është krejt e panjohur për publikun vendor. “The Star – Child” ka qenë si protestë dhe me personalitete të shumëfishta në një person.

Aktori Deyan Zhekov ka thënë se shumë dimensione e kahe i janë dhënë shfaqjes.
“Ka shumë gjëra brenda saj, ka pjesë të ndryshme, së pari në tekst e pastaj në lojë. Të luash është e vështirë në përgjithësi, por kur je vetëm në skenë është paksa më e vështirë. Është hera e parë të luaj këtu. Ndoshta do të ishte më mirë të kishte titra. Mbrëmë isha publik në shfaqjen gjermane dhe nuk e kuptova aspak”, ka thënë aktori Zhekov.
Sipas tij, shfaqjes i është dashur t’i ndërrohet struktura për shkak të formatit të Festivalit.
“Gruaja që është parë në sfond është aktore që gjithashtu luan në shfaqje. Ne do të luanim së bashku, por pasi këtu ishte ideja për monolog, ne e bëmë në versionin e monodramës”, ka treguar aktori bullgar.
Dramaturgia gjermane, Mina Mazur, është shprehur e lumtur që ka qenë pjesë e jurisë këtë edicion të festivalit.
“Ishte vërtet kënaqësi për mua të jem këtu këtë vit. Ky festival është i mrekullueshëm. Ka atmosferë vërtet të mirë dhe trupat teatrore ishin shumë të përkushtuara. Dua t’ju uroj të gjithë juve, sepse të gjithë jeni njerëz të teatrit dhe të jeni të lumtur e të vazhdoni të jeni pjesë e kësaj skene të mrekullueshme çdo vit”, është shprehur Mazur.
Dramaturgu maqedonas, Sashko Nasev, e ka vënë theksin te vlerësimet për Festivalin.
“Si juri, vendosëm të vlerësojmë admirimin tuaj për Festivalin, jo vetëm për një performancë. Në tërësi është një zhvillim shumë estetik”, ka thënë ai. Ndërsa regjisori gjerman, Matthias Gehrt, po ashtu pjesë e jurisë së festivalit “MonoAkt”, ka thënë se festivali është edhe një urë lidhëse midis artistëve.
“Është mbresëlënëse, unë bëra miq këtu dhe pashë artistë shumë të talentuar. Mbi të gjitha, takova publikun që për mua ishte shumë interesant që kishte sy kritik”, ka thënë Gehrt.
Çmimi për Vepër Jetësore, post-mortem, u nda për Faruk Begollin.
Drejtori i Festivalit, Mentor Zymberaj, ka thënë se suksesi i skenës së teatrit vjen prej punës së Begollit.
“Ne faktikisht u rikthyen në ‘Dodonën’ tonë, të gjeneratës së parë ku profesori Faruk na hapi dyert e saj dhe vendosëm që edhe Çmimin për Vepër Jetësore ta ndajmë për të, që në njëfarë mënyre ta kujtojmë punën e palodhshme dhe gjithë ato gjurmë që i ka lënë. Gjithë ky sukses është pjesë e tij, sepse ai e ka filluar”, ka thënë Zymberaj.
Për çmimin kryesor, atë të shfaqjes më të mirë ka treguar se të gjithë anëtarët kanë qenë të mendimit që t’i ndahet shfaqjes spanjolle.
“Shfaqja më e mirë ishte ‘Bloody Wedding’ dhe u zgjodh unanimisht, qoftë nga anëtarët e jurisë, nga kritikët vlerësues, nga audienca. U mirëprit dhe vazhdoi suksesin e kësaj shfaqjeje, pasi ka vite që është duke vazhduar me suksese nëpër botë”, ka thënë Zymberaj pas përfundimit të ceremonisë së çmimeve.
Aktiviteteve të veçanta të festivalit “MonoAkt” kanë qenë edhe festivali e monoperformancave “Monoperformansa” dhe “Monostripi”.

Albana Gashi u zgjodh fituese e “Monostripit”.
“Është mundësi shumë e mirë që na ka dhënë profesori Mentor që ne ta dëshmojmë në veten në monostrip, po ashtu edhe ta dëshmojmë veten si aktorë të rinj që, edhe u dëshmova, e mora Çmimin”, ka thënë ajo.
Ndërsa “Monoperformansën” e fitoi Ardit Zymberaj.
“Faleminderit shumë, jo vetëm për festivalin ‘MonoAkt’, por edhe për katër vjet studime”, ka thënë ai derisa i është drejtuar Mentor Zymberajt.
Mirënjohje u janë ndarë edhe anëtarëve të jurisë, Komunës së Prishtinës e Ministrisë së Kulturës për mbështetjen e Festivalit e teatrit “Dodona”.
“Po shpresoj se edhe më të ardhmen do të kemi mundësi t’ju sjellim ngjarje të tilla me vlerë të madhe”, ka thënë ushtruesi i detyrës së drejtorit të teatrit “Dodona”, Valdet Rama.
Është vlerësuar gjithashtu edhe gatishmëria e Fakultetit të Arteve për bashkëpunim. Një pjesë e ngjarjeve të Festivalit ishin mbajtur në ambientet e saj.
“Këtë mirënjohje natyrisht se do ta lë në zyrën e dekanit dhe kushdo që vjen do ketë kontakt me të. Urime për Festivalin, i dëshiroj jetë të gjatë dhe rrugëtim sa më dinjitoz siç ishte edhe kësaj here në këtë jubile”, ka thënë dekani i Fakultetit të Arteve, Hazir Haziri.
E para monodramë që kishte hapur edicionin e festivalit kishte qenë “Arka” me regji e tekst të Mentor Zymberajt që kishte qenë jashtë garës. Më pas ishte shfaqur edhe “My great grand-father’s songs” e regjisorit izraelit, Richael Riskin dhe “Parandjanov”, nën regji dhe skenar të Pati Domenech që në skenën e “MonoAktit” solli dy shfaqje të tij.