“MonoAkt” për gjashtë ditë, në edicionin jubilar ka sjellë në Prishtinë botën e monodramës. Shfaqje në garë e jashtë saj, punëtori me studentë, promovime e vizita kanë qenë mozaiku që ndërtoi në edicionin e 15-të. Festivali i shndërruar tashmë në adresë jo vetëm rajonale të monodramës, është përmbyllur me ceremoninë e ndarjes së çmimeve.
Monodrama “Bodas de Sangre” e regjisorit spanjoll Pati Domenech është zgjedhur më e mira në mesin e katër shfaqjeve të tjera. Shfaqja futet në histori tragjike dhe prej aty nxjerr rrëfimin jetësor, që jo përherë është me plot ngjyra. Është “Dasmë gjaku”, siç përkthehet në shqip, bazuar në dramën e shkrimtarit dhe regjisorit spanjoll, Federico Garcia Lorcas.
Aktorja Maria Vidal në këtë shfaqje ndërdisiplinore ndërthur tri histori tragjike: atë të nënës, të dashurës dhe vetë Lorcas, i cili përfundon me vdekje tragjike.
Regjisori ka falënderuar organizatorët, publikun e jurinë.
“Maria nuk flet anglisht, unë nuk flas anglisht. E dua Prishtinën, audiencën dhe të gjithë”
Aktorja Maria Vidal me lojën e saj i ka sjellë tjetër çmim kësaj shfaqjeje. Ka marrë çmimin për Aktoren më të Mirë të festivalit.
“Nuk flas mirë anglisht, urime për Festivalin dhe faleminderit për këtë çmim. Jam shumë e lumtur”.
Çmimi për Aktorin më të Mirë i është ndarë gjermanit Philipp Sommer për rolin në shfaqjen “The Case D’Arc”.
“Faleminderit shumë, është kënaqësi të jemi këtu, faleminderit jurisë dhe faleminderit për ftesën në këtë Festival kaq të mirë në Kosovë. Pata kohë shumë të mirë, është nder për mua”.
Juria në përbërje të dramaturges gjermane Mina Mazur, autorit Sashko Nasev nga Maqedonia e Veriut dhe regjisorit gjerman Matthias Gehrt kanë ndarë Çmimin për Regjinë më të Mirë për regjisoren bullgare Bilyana Petrova për shfaqjen “The Star – Child”. Kjo shfaqje e ka mbyllur programin e Festivalit, pak para ceremonisë përmbyllëse.
Dramaturgia gjermane Mina Mazur, është shprehur e lumtur që ka qenë pjesë e jurisë këtë edicion të festivalit “MonoAktit”.
“Ishte vërtet kënaqësi për mua të jem këtu këtë vit. Ky festival është i mrekullueshëm. Ka atmosferë vërtetë të mirë dhe grupet e teatrove ishte shumë të përkushtuar. Dua t’u uroj të gjithë juve sepse të gjithë jeni njerëz të teatrit dhe të jeni të lumtur e të vazhdoni të jeni pjesë e kësaj skene të mrekullueshme çdo vit”.
Çmimi për Vepër Jetësore, post-mortem, u nda për Faruk Begollin, emri i të cilit lidhet edhe me teatrin “Dodona” ku u mbajt “MonoAkti”.
Drejtori i Festivalit, aktori e regjisori Mentor Zymberaj, dikur student i aktorit ikonik të Kosovës, ka thënë se suksesi i skenës së teatrit vjen prej punës së Begollit.
“Ne faktikisht u rikthyen në ‘Dodonën’ tonë, të gjeneratës së parë ku profesori Faruk na hapi dyert e saj dhe vendosëm që edhe Çmimin për Vepër Jetësore ta ndajmë për të, që në njëfarë mënyre ta kujtojmë punën e palodhshme dhe gjithë ato gjurmë që i ka lënë. Gjithë ky sukses është pjesë e tij, sepse ai e ka filluar”.
“MonoAkti” ka sjellë po ashtu edhe festivali i monoperformancave “Monostripi” me studentë, ku Aktorja më e Mirë u zgjodh Albana Gashi, ndërsa Aktori më i Mirë, Ardit Zymberaj.
Mirënjohje u janë ndarë edhe anëtarëve të jurisë, teatrit “Dodona”, Komunës së Prishtinës e Ministrisë së Kulturës për mbështetjen e Festivalit.
“MonoAkti” i sivjetmë u hap me monodramën “Arka” të Mentor Zymberajt që bën thirrje për të mos e lëshuar vendin.