“MonoAkt” tashmë në edicionin e 15-të dhe një adresë me peshë jo vetëm si festival shfaqjesh, në ditën e pestë ka hapur diskutimin për monodramën. Ka sjellë në kryeqytet emra të njohur të skenës botërore dhe mesdita e së martës në Fakultetin e Arteve është rezervuar që të trajtohen qasjet dhe eksperiencat e të qenët vetë në skenë.
Kësaj konference ndërkombëtare të titulluar “Monodramë” gjithashtu i parapriu promovimi i veprës dramatike “Drama e humbur në kohë” nga Sashko Nasev, producent dhe shkrimtar nga Maqedonia e Veriut, njëherësh anëtar jurie në këtë edicion të “MonoAkt”.
“Monodrama është një stil modern i punës, por është shumë i komplikuar, sepse artisti duhet të kujdeset për gjithçka. Të jesh i vetëm në skenë është e vështirë. Kam punuar si mësues drame rreth 30 vjet dhe është e vështirë të ndash këtë me nxënësit. Mendoj se monodrama është thjesht një pjesë e dramës. Drama është prezente gjithandej. Drama është prezente në televizion, në rrugë, në politikë, kështu që monodrama është gjë e mirë”.
Ky zhanër dramatik, që gjatë gjithë konferencës u theksua për vështirësinë e interpretimit të tij, sipas Mentor Zymberajt, është mjaft i zhvilluar në Kosovë.
“Ne deri më tash në Kosovë ia kemi dalë goxha mirë, sepse monodramën e kemi zhvilluar në shumë formë, si dramaturgji, si regji, e pastaj edhe si lojë. Kemi arritur ta mbjellim në mendjen e artistëve të rinj që monodramës nuk kemi pse t’i frikësohemi. Artistët nëpër botë tentojnë të realizojnë atë pjekurinë maksimale dhe pastaj ta luajnë një monodramë, sepse është gjinia më e vështirë skenike, kuptohet”.
Se ky lloj zhanri dhe drama në përgjithësi është e mirëfunksionalizuar në Kosovë, ka thënë edhe Sashko Nasev, i cili është njëherësh juri në këtë edicion të festivalit.
“Kam parë në 2021-tën se monodrama në Kosovë është shumë e mirë. Akte shumë të mira, aktorë shumë të mirë, nga më e thjeshta e deri te materiali gjeneral. Dje pamë edhe studentët teksa performuan disa tekste. Ishte e mrekullueshme të shohësh njerëz të rinj me një energji shumë të mirë dhe teksa flasin me shumë dashuri për teatrin. Kështu që mendoj se këtu ka një të ardhme”.
Konferenca ndërkombëtare “Monodrama” qe vetëm njëra ndër pesë aktivitetet e së martës në kuadër të “Monoaktit”. Festivali do të jetë i hapur deri të enjten e kësaj jave.