Stile e botë të ndryshme artistike janë bërë tok në një hapësirë. Veprat e rreth tridhjetë artistëve përbëjnë mozaikun e ekspozitës në kafe-galerinë, “Monet”, në kryeqytet. Pa ceremoni hapëse, për shkak të masave parandaluese kundër pandemisë së koronavirusit, artistët veç e veç i kanë sjellë punimet e tyre. Kjo ekspozitë shitëse organizohet tash e tre vjet për festat e fundvitit. Aty janë përmbledhur punime të piktorëve të gjeneratave të ndryshme, të cilat janë në shitje me një çmim më të ulët. Një gjë e tillë bëhet me synimin për t’i afruar artdashësit me artin në festat e fundvitit, pasi që këtë vit për shkak të situatës veprat e artistët kanë qëndruar më larg galerive e atyre që e duan artin.
Por veç në ditën e parë të hapjes së ekspozitës në galerinë që ka rihapur dyert para rreth tri javësh në kryeqytet, janë shitur gati dhjetë piktura. E për vizitorët ajo është si një zhytje në ngjyra e kompozicione të veçanta artistike, të cilat rrinë më pranë se kurrë.
Artistja Blerta Surroi, organizatore e ekspozitës, ka thënë se për shkak të pandemisë e kanë pasur të vështirë derisa kanë vendosur për mënyrën e realizimit të ekspozitës, mirëpo, sipas saj, që në ditën e parë është parë si një mundësi e frytshme për artdashësit dhe artistët.
“Ideja e këtij edicioni është që artdashësit të blejnë piktura, punime me çmime pak më të lira. Është një mundësi shumë e mirë për ata që në shtëpitë e tyre t’i kenë veprat e artistëve të tyre të preferuar”, ka thënë Surroi. Ekspozita në “Monet” ua ka dhënë mundësinë njerëzve të vijnë në galeri dhe të jenë sa më pranë veprave artistike.
“Gjatë kohës së pandemisë, njeriu i është kthyer vetvetes në një formë tjetër. Kërkesat e tij janë tjera tash, kështu që kemi shumë interesim dhe njerëzit kanë filluar ta vizitojnë galerinë. Është e mirë e dyanshme. Është e mirë edhe për artistin dhe për blerësin”, ka shtuar ajo.
Peshqit janë subjekt i punimeve që i ka ekspozuar artistja Surroi. Veprat e saj të punuara në qeramikë janë pjesë e ekspozitës personale, që do ta hapë së shpejti.
“Jam duke punuar vazhdimisht për një ekspozitë personale. Tash për tash janë këto katër punime të miat me peshqit. Është cikël të cilin nuk e kam përfunduar ende”, ka treguar ajo.
Fatmir Krypa, Shyqri Nimani, Veli Blakçori, Hajrush Fazliu, Eshref Qahili, Mjellma Goranci-Firzi, Merita Maloku, Veton Gusia, Rron Qena, Arben Shala, Leonid Palushaj, Mina Krasniqi, janë disa prej artistëve pjesëmarrës në ekspozitë.
Shqipe Kamberi ka ardhur me vepra nga cikli “Gruaja”. Punimet e saj, që qëndrojnë pranë njëra-tjetrës e janë të rrethuara me veprat e kolegëve të saj, paraqesin gruan symbyllur. Botën e gruas shqiptare, artistja Kamberi e dërgon kudo që i jepet mundësia për ta ekspozuar artin e saj. Në sytë e saj të mbuluar ajo mbështjell fatin e tyre ndër shekuj.
Kamberi ka thënë për KOHËN se kjo ekspozitë tradicionale është një mundësi shumë e mirë që artdashësit të dërgojnë në shtëpi një vepër origjinale artistike me një çmim shumë të volitshëm.
“Ekspozita e fundvitit në galerinë ‘Monet’ është një ekspozitë që praktikohet në shumë vende të Evropës dhe më gjerë. Kjo ekspozitë bashkon artistë eminentë të skenës sonë artistike vizuale, andaj ndihem e nderuar që punimet e mia janë të ekspozuara në mesin e tyre”, ka thënë Kamberi.
E prapa çdo pikture të artistit Eshref Qahili fshihen edhe disa skica të saj. Tri të tilla ka vendosur t’i ekspozojë në ekspozitën e fundvitit. Për Qahilin, këto skica shpesh janë më të rëndësishme se pikturat. E organizimin e kësaj ekspozite e sheh si shumë të rëndësishme, që artdashësit ta shtojnë në koleksionin e tyre ndonjë vepër arti dhe që pikturat të jenë pjesë e festave të fundvitit.
“Është edhe një efekt i mirë i kësaj ekspozite, që së paku më u mundu që për dhurata të fundvitit t’iu dhurojnë piktura të afërmve dhe miqve, në vend se të blejnë gjëra më të parëndësishme”, ka thënë Qahili.
Ekspozita shitëse e fundvitit në galerinë “Monet” do të qëndrojë e hapur për një muaj, ndërsa gjatë kësaj kohe do të pasurohet vazhdimisht me vepra të reja të cilat do të jenë në shitje.