Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Ministria zbret mbështetjen trevjeçare për kulturën deri në 60 për qind

Sivjet, për “përkrahjen e kulturës”, në kategorinë e subvencioneve, sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore, Ministria ka 4.4 milionë euro, krahasuar me 4.3 milionë vitin e kaluar

Sivjet, për “përkrahjen e kulturës”, në kategorinë e subvencioneve, sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore, Ministria ka 4.4 milionë euro, krahasuar me 4.3 milionë vitin e kaluar

Foto: Driton Paçarada

Vjet dhe më 2024, tek ajo që ishte kategoria e parë – “Mbështetje trevjeçare për zhvillim organizativ dhe programor të OJQ-ve të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore” – shuma minimale e përkrahjes ishte 50 mijë euro, ndërsa ajo maksimale deri në 100 mijë euro. Disa organizata kanë marrë mbështetje edhe në kufirin prej 100 mijë eurosh në vit. Por sivjet kanë ndryshuar qasjen, pa kurrfarë sqarimi. Shuma minimale e përkrahjes është 10 mijë euro, ndërsa ajo maksimale 40 mijë. Nëse krahasohet maksimumi i vjetshëm me atë të këtij viti, zbritja shkon saktësisht në 60 për qind

Shpejt i ka dalë boja nismës së Ministrisë së Kulturës për përkrahje trevjeçare për organizatat e kulturës dhe trashëgimisë kulturore me deri në 100 mijë euro në vit. Institucioni më i lartë kulturor në vend nuk po mund ta mbajë ritmin e proklamuar me pompozitet për mbështetjen e organizatave. Sivjet nuk ofron as pragun minimal të mbështetjes që ofronte vjet dhe më 2024. Ministria e Kulturës dhe Turizmit e ka kthyer thuajse në standard sjelljen për të mos iu përgjigjur pyetjeve që kërkojnë sqarime për veprimet dhe vendimet që merren. Kurse për skenën e pavarur, kthimi prapa në kuptimin financiar të përkrahjes është goditje e madhe për artin dhe kulturën.

Vjet dhe më 2024, tek ajo që ishte kategoria e parë – “Mbështetje trevjeçare për zhvillim organizativ dhe programor të OJQ-ve të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore” – shuma minimale e përkrahjes ishte 50 mijë euro, ndërsa ajo maksimale deri në 100 mijë euro. Disa organizata kanë marrë mbështetje edhe në kufirin prej 100 mijë eurosh në vit. Por sivjet kanë ndryshuar qasjen, pa kurrfarë sqarimi.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kategoria e parë e thirrjes së hapur këto ditë – ndër më të vonuarat ndonjëherë në kalendarin e thirrjeve, pasi vetëm afati i aplikimeve shkon deri në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit – titullohet “Ngjarjet tradicionale në fushën e artit dhe kulturës me program deri në tre vjet”. Shuma minimale e përkrahjes është 10 mijë euro, ndërsa ajo maksimale 40 mijë. Nëse krahasohet maksimumi i vjetshëm me atë të këtij viti, zbritja shkon saktësisht në 60 për qind.

Vjet, me deri në 40 mijë euro përkrahej kategoria e dytë, që ishte “Organizimet tradicionale të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore”. Sërish bëhej fjalë për mbështetje trevjeçare, ku shuma prej 40 mijë eurosh jepej për një vit.

Në thirrjen e sivjetme, që është e hapur deri më 22 qershor, kategoria e dytë titullohet “Projektet njëvjeçare dhe ngjarjet tradicionale të fushës së artit dhe kulturës”. Shkalla e mbështetjes vjetore nis nga 10 mijë dhe shkon deri në 30 mijë euro.

Vjet, te kategoria e tretë përfshihej edhe trashëgimia kulturore. Ajo titullohej “Programet njëvjeçare dhe organizimet tradicionale të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore” dhe mbështetja shkonte deri në 40 mijë euro në vit.

Por në thirrjen e këtyre ditëve, të titulluar “Projektet dhe ngjarjet e njëhershme në fushën e artit dhe kulturës”, ku përfshihen organizatat dhe individët, shuma maksimale e përkrahjes shkon deri në 20 mijë euro. Po ashtu, sivjet kategoria e krijuesve të rinj merr mbështetje për projekte deri në 5 mijë euro, ndërsa për ngjarje që kanë mobilitet, deri në 10 mijë euro. Edhe këtu përfshihen organizatat dhe individët.

Në këtë thirrje, Ministria e Kulturës ka ndarë artin dhe kulturën nga trashëgimia kulturore.
Në thirrjen e veçantë për trashëgimi kulturore, kategoria e parë – ku përfshihen vetëm organizatat – titullohet “Organizimet tradicionale, festivalet dhe shoqëritë kulturo-artistike të përfshira në Listën e Trashëgimisë Kulturore në Mbrojtje”. Me deri në 60 mijë euro në vit përkrahen projekte trevjeçare. Te kategoria tjetër, që po ashtu është vetëm për organizata, hyjnë “Organizimet tradicionale të fushës së trashëgimisë kulturore” dhe përkrahen me deri në 40 mijë euro në vit, por vetëm për një vit.
Në kategorinë e tretë, ku përfshihen organizatat dhe individët, bëhet thirrje për “Digjitalizimin e trashëgimisë kulturore” dhe përkrahja shkon deri në 40 mijë euro në vit. Në kategorinë e katërt, të titulluar “Projekte dhe ngjarje në fushën e trashëgimisë kulturore”, mbështetja shkon deri në 20 mijë euro. Në trashëgimi kulturore, projektet që i takojnë kategorisë së pestë, të titulluar “Fondi i mobilitetit”, mund të mbështeten deri në 5 mijë euro. Ndërsa te kategoria e gjashtë, “Funksionalizimi i aseteve të trashëgimisë kulturore në mbrojtje për zhvillim të turizmit kulturor”, MKT-ja planifikon të mbështesë dy projekte në vlerë deri në 30 mijë euro në vit.

Ky koncept i funksionalizimit të aseteve të trashëgimisë kulturore është duke u tentuar të zbatohet tash e katër vjet, herë pas here, por deri më tani ka shumë pak shenja që mund të funksionojë. Në përgjithësi ka dështuar.

Nëse shihen të dyja thirrjet, financiarisht MKT-ja sivjet favorizon trashëgiminë kulturore. Por tradicionalisht në këtë fushë ka më pak projekte.

Dramaturgu Jeton Neziraj, i cili udhëheq Qendrën “Multimedia”, pasi ka analizuar thirrjen për artin dhe kulturën, ka thënë se ajo që bie në sy është ulja radikale e fondeve për skenën kulturore të pavarur, për rreth 60 për qind.

“Në një kohë kur skena kulturore e pavarur edhe ashtu është goditur brutalisht nga rënia e fondeve ndërkombëtare, fonde të cilat kanë qenë substanciale dhe që e kanë mbajtur gjallë skenën kulturore te ne, kjo goditje e radhës është e pajustifikueshme dhe dëshpëruese”, ka thënë Neziraj.

Sipas tij, është tepër ironike që në dy vjetët e kaluar ka pasur një rritje të ndjeshme të fondeve për skenën e pavarur kulturore dhe janë dhënë edhe premtime se kjo skemë është pjesë e një vizioni të qëndrueshëm për kulturën dhe zhvillimin e saj.

“Por duket që krejt paska qenë një mashtrim, një skemë politike, kurth ose sido që ta quajmë. Kjo goditje financiare, fatkeqësisht, e pason atë goditjen tjetër, të mungesës dhe rrudhjes së hapësirave kulturore në kryeqytet, për të cilën ende nuk flitet zëshëm. Është dëshpëruese, vërtet dëshpëruese, kur faturat elektorale e parazgjedhore, mashtrimet 100-euroshe e të ngjashme, duhet t’i paguajë kultura”, ka thënë ai.

Sipas Nezirajt, është dëshpëruese që sapo bëhet një hap para, Ministria shpejt ngutet të bëjë edhe dy hapa prapa.

“Skenës së pavarur kulturore i është vënë laku në fyt, me apo pa vetëdije, por është lak – dhe rezultatin e një laku që shtrëngohet e dimë të gjithë”, ka thënë ai.

KOHA e ka pyetur Ministrinë e Kulturës se përse sivjet mbështetja vjetore për programe trevjeçare është zbritur deri në 60 për qind, përse në trashëgimi kulturore financimi vjetor shkon më lart se në kulturë, sa ka planifikuar MKT-ja buxhet për mbështetjen e projekteve për art dhe kulturë dhe sa për ato në trashëgimi kulturore, si dhe sa ka obligime financiare sivjet për projektet e financuara në vitet e kaluara. Por Ministria e Kulturës nuk ka ofruar asnjë sqarim.

KOHA në fillim të këtij muaji ka raportuar se sivjet MKT-ja është vonuar më së shumti në hapjen e thirrjes dhe se të paktën gjysma e vitit kalon derisa të nisë vlerësimi i projekteve. Po ashtu është mësuar se MKT-ja ka obligime të konsiderueshme financiare si pasojë e rritjes së përkrahjes për skenën e pavarur në dy vjetët e kaluar, rritje e bërë pa planifikim të mjaftueshëm.

Madje, MKT-ja ka përkrahur me deri në 40 mijë euro ngjarje që janë organizuar në mënyrë të njëjtë edhe kur përkraheshin me vetëm 10 mijë euro. Nisma për përkrahje deri në 100 mijë euro në vit ka qenë e ish-ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, tash ministër i Arsimit.

MKRS-ja ka dhënë mbështetje pa kritere të qarta në dy vjetët e kaluar dhe pa filtra për të vlerësuar cilësinë e organizimeve, të cilat shpesh janë arsyetuar vetëm me fatura. Akterë të rëndësishëm të skenës së pavarur kulturore, përfshirë Jeton Nezirajn, shpesh e kanë kritikuar Ministrinë për këtë qasje.

Tash, kjo qasje e hapjes së “kuletës” për shumë projekte duket se do t’u kushtojë pikërisht bartësve kryesorë të jetës kulturore në skenën e pavarur.

Vjet, Ministria në listën përfundimtare të organizatave të përkrahura renditi 313 të tilla, të cilat, sipas MKRS-së, janë mbështetur me 4 milionë e 117 mijë euro. Sivjet, për “përkrahjen e kulturës”, në kategorinë e subvencioneve, sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore, Ministria ka 4.4 milionë euro, krahasuar me 4.3 milionë vitin e kaluar. Vetëm organizatat vjet janë përkrahur me mbi 4 milionë euro dhe shuma totale e të gjitha kategorive ka arritur pothuajse dyfishin.