Për Ministrinë e Kulturës, nuk ka zbritje deri në 60 për qind të mbështetjes trevjeçare për organizatat kulturore por “brenda vitit do të hapet thirrje e veçantë për mbështetjen programore trevjeçare”. “Dallimi që mund të jetë ngatërruar është se kategoria me emrin ‘Mbështetje trevjeçare për zhvillim organizativ dhe programor të OJQ-ve të fushës së artit dhe kulturës’ nuk është përfshirë në kuadër të kësaj thirrjeje publike”, ka sqaruar MKT-ja tek pas raportimit se me këtë e ka goditur skenën e pavarur kulturore. Ani pse po kalon gjysma e vitit, MKT-ja deri më tani s’e ka paralajmëruar një qasje të tillë e as akterët e skenës së pavarur kulturore, nuk kanë qenë në dijeni për një strategji si kjo
Ministria e Kulturës del ta ketë ndërruar strategjinë në raport me subvencionimin e skenës së pavarur kulturore në vend. Përderisa në thirrjen e hapur këto ditë u pa se nuk kishte më përkrahje deri në 100 mijë euro në vit për organizata me program trevjeçar, tash Ministria thotë se një thirrje e veçantë do të hapet gjatë këtij viti. Krejt kjo vjen pasi thirrja e sivjetme është cilësuar si goditje ndaj skenës së pavarur kulturore.
Në ditën kur KOHA ka raportuar se Ministria e zbret mbështetjen trevjeçare për kulturën deri në 60 për qind, institucioni më i lartë kulturor në vend ka dhënë sqarimet e kërkuara më herët.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë bazë të thirrjes së hapur për këtë vit, KOHA ka raportuar se sivjet mbështetja nuk arrin as deri te pragu i thirrjeve të dy vjetëve paraprakë.
Vjet dhe më 2024, tek ajo që ishte kategoria e parë – “Mbështetje trevjeçare për zhvillim organizativ dhe programor të OJQ-ve të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore” – shuma minimale e përkrahjes ishte 50 mijë euro, ndërsa ajo maksimale deri në 100 mijë euro. Disa organizata kanë marrë mbështetje edhe në kufirin prej 100 mijë eurosh në vit. Por sivjet është ndryshuar qasja, pa kurrfarë sqarimi.
Kategoria e parë e thirrjes tregoi qasje tjetër. Thirrja e sivjetme – e hapur ndër më të vonuarat ndonjëherë në kalendarin e thirrjeve – pasi vetëm afati i aplikimeve shkon deri në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit – e titullon kategorinë e parë “Ngjarjet tradicionale në fushën e artit dhe kulturës me program deri në tre vjet”. Shuma minimale e përkrahjes është 10 mijë euro, ndërsa ajo maksimale 40 mijë euro. Nëse krahasohet maksimumi i vjetshëm me atë të këtij viti, zbritja shkon saktësisht në 60 për qind.
Por Ministria e Kulturës ndryshe e lexon thirrjen. Të enjten ka sqaruar se në thirrjen publike për projekt-propozimet në fushën e artit dhe kulturës për vitin 2026 nuk është zvogëluar mbështetja vjetore për asnjë përqindje në lartësinë maksimale të mbështetjes financiare për organizatat në raport me vitin e kaluar.
“Kategoria me emrin ‘Organizimet tradicionale të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore’ do të mbështetet aq sa është mbështetur edhe në vitin 2025, pra 40.000 euro. Dallimi që mund të jetë ngatërruar është se kategoria me emrin ‘Mbështetje trevjeçare për zhvillim organizativ dhe programor të OJQ-ve të fushës së artit dhe kulturës’ nuk është përfshirë në kuadër të kësaj thirrjeje publike, meqë brenda vitit 2026 do të hapet thirrje e veçantë për mbështetjen programore trevjeçare për zhvillim organizativ dhe programor të OJQ-ve të fushës së artit dhe kulturës, ku vlera maksimale e mbështetjes financiare është 100.000 euro, dhe besojmë se kjo mund të jetë ngatërruar me konkludimin se ka zvogëlim deri në 60 për qind, gjë e cila nuk qëndron siç u shpjegua”, shkruhet në përgjigjet e MKT-së.
Sipas këtij institucioni, aktualisht, duke u bazuar në rezultatet e thirrjes publike për art, kulturë dhe trashëgimi kulturore të viteve 2024 dhe 2025, janë nënshkruar kontratat dhe janë ekzekutuar pagesat e shumicës së organizatave kulturore përfituese në kategorinë me emrin “Mbështetje trevjeçare për zhvillim organizativ dhe programor të OJQ-ve të fushës së artit dhe kulturës” për vitin 2026.
“Pra, organizatat kryesore kulturore në vend kanë lidhur kontratat dhe janë duke i zbatuar programet e tyre për vitin 2026”, shkruhet në përgjigje.
Sipas institucionit, për mbështetjen e projekt-propozimeve në kuadër të thirrjes publike në fushën e artit dhe kulturës për vitin 2026 janë planifikuar të ndahen 1 milion euro. Po ashtu, sipas MKT-së, nga thirrjet publike për projekt-propozimet përfituese të vitit 2025 janë nënshkruar kontrata në vlerë 1 milion e 703 mijë euro.
KOHA ka raportuar se vjet, me deri në 40 mijë euro përkrahej kategoria e dytë, që ishte “Organizimet tradicionale të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore”. Sërish bëhej fjalë për mbështetje trevjeçare, ku shuma prej 40 mijë eurosh jepej për një vit.
Në thirrjen e sivjetme, që është e hapur deri më 22 qershor, kategoria e dytë titullohet “Projektet njëvjeçare dhe ngjarjet tradicionale të fushës së artit dhe kulturës”. Shkalla e mbështetjes vjetore nis nga 10 mijë dhe shkon deri në 30 mijë euro.
Vjet, te kategoria e tretë përfshihej edhe trashëgimia kulturore. Ajo titullohej “Programet njëvjeçare dhe organizimet tradicionale të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore” dhe mbështetja shkonte deri në 40 mijë euro në vit.
Por në thirrjen e këtyre ditëve, të titulluar “Projektet dhe ngjarjet e njëhershme në fushën e artit dhe kulturës”, ku përfshihen organizatat dhe individët, shuma maksimale e përkrahjes shkon deri në 20 mijë euro. Po ashtu, sivjet kategoria e krijuesve të rinj merr mbështetje për projekte deri në 5 mijë euro, ndërsa për ngjarje që kanë mobilitet, deri në 10 mijë euro. Edhe këtu përfshihen organizatat dhe individët.
Në këtë thirrje, Ministria e Kulturës ka ndarë artin dhe kulturën nga trashëgimia kulturore.
Në thirrjen e veçantë për trashëgimi kulturore, kategoria e parë – ku përfshihen vetëm organizatat – titullohet “Organizimet tradicionale, festivalet dhe shoqëritë kulturo-artistike të përfshira në Listën e Trashëgimisë Kulturore në Mbrojtje”. Me deri në 60 mijë euro në vit përkrahen projekte trevjeçare. Te kategoria tjetër, që po ashtu është vetëm për organizata, hyjnë “Organizimet tradicionale të fushës së trashëgimisë kulturore” dhe përkrahen me deri në 40 mijë euro në vit, por vetëm për një vit.
Në kategorinë e tretë, ku përfshihen organizatat dhe individët, bëhet thirrje për “Digjitalizimin e trashëgimisë kulturore” dhe përkrahja shkon deri në 40 mijë euro në vit. Në kategorinë e katërt, të titulluar “Projekte dhe ngjarje në fushën e trashëgimisë kulturore”, mbështetja shkon deri në 20 mijë euro. Në trashëgimi kulturore, projektet që i takojnë kategorisë së pestë, të titulluar “Fondi i mobilitetit”, mund të mbështeten deri në 5 mijë euro. Ndërsa te kategoria e gjashtë, “Funksionalizimi i aseteve të trashëgimisë kulturore në mbrojtje për zhvillim të turizmit kulturor”, MKT-ja planifikon të mbështesë dy projekte në vlerë deri në 30 mijë euro në vit.
Ky koncept i funksionalizimit të aseteve të trashëgimisë kulturore është duke u tentuar të zbatohet tash e katër vjet, herë pas here, por deri më tani ka shumë pak shenja se mund të funksionojë. Në përgjithësi ka dështuar.
Dramaturgu Jeton Neziraj, i cili udhëheq Qendrën “Multimedia”, pasi kishte analizuar thirrjen për artin dhe kulturën, kishte thënë se ajo që bie në sy është ulja radikale e fondeve për skenën kulturore të pavarur, për rreth 60 për qind.
“Në një kohë kur skena kulturore e pavarur edhe ashtu është goditur brutalisht nga rënia e fondeve ndërkombëtare, fonde të cilat kanë qenë substanciale dhe që e kanë mbajtur gjallë skenën kulturore te ne, kjo goditje e radhës është e pajustifikueshme dhe dëshpëruese”, kishte thënë Neziraj.
Sipas tij, është tepër ironike që në dy vjetët e kaluar ka pasur një rritje të ndjeshme të fondeve për skenën e pavarur kulturore dhe janë dhënë edhe premtime se kjo skemë është pjesë e një vizioni të qëndrueshëm për kulturën dhe zhvillimin e saj.
“Por duket që krejt paska qenë një mashtrim, një skemë politike, kurth ose sido që ta quajmë. Kjo goditje financiare, fatkeqësisht, e pason atë goditjen tjetër, të mungesës dhe rrudhjes së hapësirave kulturore në kryeqytet, për të cilën ende nuk flitet zëshëm. Është dëshpëruese, vërtet dëshpëruese, kur faturat elektorale e parazgjedhore, mashtrimet 100-euroshe e të ngjashme, duhet t’i paguajë kultura”, kishte thënë ai.
Sipas Nezirajt, është dëshpëruese që sapo bëhet një hap para, Ministria shpejt ngutet të bëjë edhe dy hapa prapa.
“Skenës së pavarur kulturore i është vënë laku në fyt, me apo pa vetëdije, por është lak – dhe rezultatin e një laku që shtrëngohet e dimë të gjithë”, kishte thënë ai.
KOHA, në fillim të këtij muaji, ka raportuar se sivjet MKT-ja është vonuar më së shumti në hapjen e thirrjes dhe se të paktën gjysma e vitit kalon derisa të nisë vlerësimi i projekteve. Po ashtu është mësuar se MKT-ja ka obligime të konsiderueshme financiare si pasojë e rritjes së përkrahjes për skenën e pavarur në dy vjetët e kaluar, rritje e bërë pa planifikim të mjaftueshëm.