Kulturë

Ministria e Kulturës në bllokadë për përzgjedhjen e projektit të teatrit të operës

Foto: Alban Bujari/ Koha Ditore

Ministria e Kulturës nuk e di ende saktë se çfarë do të bëjë me çështjen e përzgjedhjes së projektit për teatër të operës dhe baletit, “Dr.Ibrahim Rugova”. Institucioni më i lartë kulturor në vend këmbëngul se nuk heq dorë nga hapësira afër Fakultetit Teknik për ndërtimin e këtij objekti. Por Komuna e Prishtinës ka kohë që ka nisur me procedurat që në atë pjesë t’i hapet rrugë ndërtimit të një kampusi universitar. Kjo çështje për institucionin lokal është punë e kryer.

Qeveria e re ka në plan ndërtimin e teatrit të operës dhe baletit. Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka thënë se parcela afër Fakultetit Teknik mbetet synimi i tyre. Por për vendin, ku në dhjetor të vitit 2009 është vënë guri themeltar për këtë projekt, duhet një ujdi e re me Komunën e Prishtinës. E institucioni që udhëhiqet nga ajo duhet të bëjë rivlerësimin e projekteve që ka pranuar në konkurs ndërkombëtar.

“Shumë shpejt do të ndodhë një takim zyrtar me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ne jemi në rivlerësim të projektit. Ne duhet t’i shohim procedurat e parcelës. Nuk mund të bëjmë projekt pa e pasur parcelën”, ka thënë Dumoshi. Sipas saj, Ministria e Kulturës duhet ta çojë përpara projektin për teatër të operës dhe baletit pikërisht në parcelën ku e ka paraparë.

“Ekzistojnë dokumente, si Plani zhvillimor që ende janë valide dhe në atë vend është paraparë teatri i operës dhe baletit ‘Dr.Ibrahim Rugova’. Nuk mund t’iu ikim planeve që janë dokumente shumë të rëndësishme të Komunës”, ka thënë Dumoshi.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se ministrja Dumoshi nuk ka kërkuar takim me të. Sipas tij, vendimi për caktimin e lokacionit për teatrin e operës dhe baletit është mbi 10 vjet i vjetër. Sipas tij, në ndërkohë, në vitin 2013, është miratuar Plani Zhvillimor Urban që atë pjesë e identifikon për destinim të institucioneve publike.

(Gjerësisht, sot në Kohën Ditore”)