Kulturë

Ministria e Komuna larg marrëveshjes për Teatrin e Operës dhe Baletit

Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, e kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, nuk janë dukur fort në disponim pas takimit që kanë pasur të enjten. Për 37 minuta bisedë, ata nuk kanë arritur asnjë marrëveshje definitive për temat që kanë diskutuar. Epilogu i dyshes ishte se janë dakorduar të kenë diskutime të hollësishme për projektet ku përfshihen Ministria e Komuna. Këto dy institucione kanë qëndrime diametralisht të kundërta sa i përket vendit ku do të ndërtohet teatri i operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”.

Ministria e Kulturës është në vlerësim të ofertave që ka marrë nga një konkurs ndërkombëtar. Projektet janë përgatitur për parcelën që ndodhet te Fakultetit Teknik i Komunës së Prishtinës.

E Komuna nga nëntori i vitit të kaluar është duke punuar që në atë hapësirë të ndërtohet një kampus i ri universitar për Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina”.

“Jemi në drejtime të ndryshme, sepse Ministria ka shpallur konkurs për dukjen e teatrit e ne jemi në fazën e fundit të kalimit të Planit rregullativ për Universitetin e Prishtinës në atë pjesë. Kështu që na mbetet t’i ftojmë të gjitha palët në takim dhe të shohim për zgjidhjen më të mirë”, ka thënë kryetari Ahmeti. Ai ka thënë se gjatë takimit nuk kanë pasur mundësi të vendoset për këtë çështje. Sipas Ahmetit, janë dakorduar që në ditët në vijim MKRS-ja t’i drejtohet Komunës me një letër ku do të detajojë se deri ku ka shkuar procesi i tenderit për projektimin e teatrit të operës dhe baletit.

“Ne bashkërisht do të ulemi dhe të shohim se cila është mënyra më e mirë dhe më efektive dhe me koston më të ulët që të dakordohemi. Ne kemi interes që ta kemi teatrin e operës dhe baletit në Prishtinë në një lokacion sa më të mirë. Edhe Ministria e Kulturës ka interes që të ketë sallë koncertale në Prishtinë”, ka thënë ai. Ahmeti ka pasur edhe një propozim.

“Do të ishte mirë që të gjitha fondet që i kemi t’i bëjmë bashkë pasi nuk e kemi luksin të mendojmë për tri a katër salla”, ka thënë ai duke shtuar se të dyja palët kanë gatishmëri për bashkëpunim.

Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, ka thënë se takimi ishte shumë përmbajtjesor. Sipas saj, në takimet e radhës do të ketë diskutime konkrete. (Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)

© KOHA Ditore