Muzikë rap, disa të rinj që bëjnë xhiro me “skateboard”, të tjerë që shijojnë një birrë dhe kalimtarë që pozojnë pranë mureve shumëngjyrëshe, i kanë dhënë gjallëri hapësirës së njohur si Rruga B në kryeqytet.
Të shumtë janë artistët që ditën e diel i kanë finalizuar grafitet, me të cilat do të lënë gjurmë në Prishtinë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Për të dytën herë, Kosova i është bashkuar festivalit ndërkombëtar të grafiteve “Meeting of Styles”, duke sjellë më shumë se 100 artistë të muraleve, që kanë “pushtuar” me ngjyrë e kreativitet hapësirën e rezervuar për ta. Rreth konceptit “Between the lines” (Midis rreshtash), festivali i grafiteve u shtri në tri ditë. Gjysma e Rrugës B shërbeu si hapësirë mbi të cilën artistë të vendeve të ndryshme realizuan muralet shumëngjyrëshe, duke dëshmuar që arti thyen kufijtë. Dhe “mes rreshtash” duke lënë të kuptohet se me gjithë dallimet, arti bashkon të gjithë.
Rreth 1 mijë e 800 metra katrorë janë mbuluar me vija – qofshin diplomatike, regjionale a kufitare që krijojnë vepra arti, të cilat bartin mesazhe të ndryshme. Të shumta janë veprat abstrakte që do mbesin si dëshmi e festivalit treditor.
Annushka Bessonova, të dielën, e ka përfunduar misionin e saj në “Meeting of Styles”. Ajo ka udhëtuar nga Rusia për t’u bërë pjesë e festivalit në Prishtinë.
Artisti nga Zvicra, i njohur me nofkën Crbz, po ashtu ka ardhur për të parën herë në Kosovë dhe është bërë pjesë e një festivali, prej të cilit ka marrë përshtypje shumë të mira.
Agon Xhelili, drejtor i organizatës “Q’art”, që e organizon festivalin për Kosovë, ka thënë se ky edicion ka shkuar shumë mirë dhe është dyfishuar hapësira ku janë realizuar vepra, por edhe numri i
Të mrekullueshme duken grafitet që i dha “Meeting of Styles” Prishtinës në këtë edicion... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)