Kulturë

Ngjyrat për masë kritike nisin të lënë shenjat në “Rrugën B”

“Rruga B” tashmë ka nisur të transformohet me murale dhe janë 120 artistë nga 28 vende të botës që tashmë kanë zbarkuar aty. “Masa kritike”, është tema e sivjetme dhe me plot ngjyra dhe është një thirrje e nxitje për ta rrokur të mirën. Mega-edicion e cilësojnë organizatorët dhe kanë arsye për këtë

Janë gjithsej 120 artistë të cilët kanë nisur të zbërthejnë konceptin e temës “Critical Mass” (Masa kritike) në kryeqytet. Synon të përqendrojë masën për ndihmë botës së varfër materialisht e shpirtërisht. Vijnë nga 28 vende të botës që mesazhin e përcjellin nëpërmjet kulturave të ndryshme në artin e grafiteve.

Janë afro 700 metra mur anësor në dispozicion të shpalosjes së veprave. Është hera e dytë në fakt që ndërhyhet në njërin segment të “Rrugës B”. Kishte qenë viti 2018 kur “Meeting of Styles” për herë të parë e kishte lulëzuar një pjesë betoni të kësaj pjese me plot ngjyra. E kishte transformuar në një lloj galerie urbane. Disa ditë para edicionit të shtatë të “Meeting of Styles”, grafitet e moçme u mbuluan me të zezë. Me emrat e artistëve, u ndanë hapësirat.

Të premten pasdite nisën të marrin formë të rejat. Vizatimet e skicave qenë lëvizjet e para të artistëve. Sa shkonte koha e hidheshin ngjyrat, veçse krijohej imazhi i veçantë i pjesës së Prishtinës që tash e sa vjet njihet për muret me ngjyra.

Njëri kah i rrugës ku janë zhvilluar punimet ka qenë e bllokuar për qarkullimin e veturave. Është kthyer në hapësirë argëtimi e loje, me shtandet “Urban Bazzarit” të “Meeting of Styles” e skenës për muzikë. Për tri ditë do të finalizohet puna e muraleve që do të qëndrojnë aty për disa vjet. Organizatorët kanë paralajmëruar se për edicionin e ardhshëm synojnë një lagje të paprekur prej veprave të tilla.

Besjana Kastrati nga organizata “Q’Art” që ka autorizim për të organizuar “Meeting of Style” me bazë në Wiesbaden të Gjermanisë, ka vlerësuar se Prishtina ka përfituar prej këtij Festivali. Sipas saj janë përafërsisht dy mijë metra katrorë, numër rekord deri më tani për edicionin në kryeqytet, sikurse edhe i artistëve pjesëmarrës.

“Nëse flasim për këtë edicion, hapësira është më e madhe, për atë arsye edhe numri i artistëve është më i madh, janë 120 artistë. Ata vijnë prej 28 shteteve të botës që përfshijnë Azinë, Amerikën Latine, Evropës komplet, Lindjes së Mesme, thuaja nga krejt bota. Ky është mega-edicion pasi janë rreth dy kilometra mur që do të shndërrohen në galeri të hapur në Prishtinë nën temën ‘Masa kritike’”, ka thënë Kastrati derisa ka vlerësuar se arti i grafiteve është bërë i njohur për qytetarët e Prishtinës nëpërmjet “MOS Kosova”.

“Tash, i madh e i vogël janë duke e ditur se çfarë janë grafitet, muralet. Prishtina veç po shkon duke u mbushur dhe besoj që qëndrojmë afër qyteteve të mëdha me sasi dhe me volumin e muraleve. Ne si organizatë po ndihemi mirë që kemi sjellë emra, flasim për mbi një mijë artistë që kanë ardhur në kuadër të Festivalit me të cilët Kosovën e kemi vendosur në hartën e artit të rrugës”, ka thënë Kastrati.

Image
Në zbërthimin të temës, vepra e artistit argjentinas, Facundo Etchdverry, me emrin artistik “Guri” veçse ka marrë formë. Me ngjyra tërheqëse ka paraqitur portretin gjigant të gruas

Sipas konceptit të edicionit të sivjetmë që organizohet nën temën “Critical Mass” në të gjitha shtetet që kanë licencën e “MOS”, detyra e këtij edicioni është të rregullohet bota nëpërmjet artit, me mundësitë e artit.

“Çdo gjë e vogël dhe e qetë që një shpirt mund të bëjë për të ndihmuar një shpirt tjetër, për të ndihmuar një pjesë të kësaj bote të varfër që vuan, do të ndihmojë jashtëzakonisht. Veprimet do të bëjnë që masa kritike të shkojë drejt një të mire të qëndrueshme”, ka cituar “Meeting of Styles” shkrimtaren amerikane Clarissa Pinkola Estes për arsyetimin e temës së sivjetme.

Në zbërthimin të temës, vepra e artistit argjentinas Facundo Etchdverry me emrin artistik “Guri” veçse ka marrë formë. Me ngjyra tërheqëse ka paraqitur portretin gjigant të gruas që vjen në përzierje me një paraqitje mistike. Nëpërmjet veprës ka thënë se shpërfaq fuqinë e gruas dhe bën thirrje për të.

“Kam punuar një grua shpirtërore. Është njëfarë metamorfoze. Trupi ndryshon pamjen për shpirtin e saj dhe udhëton për në univers. Për mua është e rëndësishme shpirtërorja në artin tim, ky është edhe koncepti. Prapa janë edhe dy shqiponja, në ballë ka shenjën që paraqet fuqinë e mendjes”, ka thënë artisti Etchdverry për të cilën është hera e parë që vjen në Prishtinë.

I duhen edhe dy ditë për t’ia dhënë detajet, elementet që sipas tij, krijojnë iluzionin e veprës, për ta shpërfaqur fuqinë e saj. “Ka shumë ngjyra, mendoj se i jep energji të mirë hapësirës urbane”, ka thënë ai.

Me formë më abstrakte dhe me ngjyra më të hapura është grafiti i artistit boshnjak Benjamin Çengiq.

“Grafitet si kulturë nuk do të thotë veç të sjellë mesazhe. Origjina e saj vjen edhe prej veç të shkruarit emrin tënd kudo që mundesh. Ndoshta jo prej çfarë ndien, por në shumicën e rasteve është art i zhvillimit të stilit. Është art i të shkruarit të letrave, njëjtë sikurse kaligrafia, por se përdor teknika të ndryshme dhe mediume të tjera. Kjo është ndoshta arsyeja pse shumë njerëz e konsiderojnë si mjet shkatërrimi, sepse ne i hedhim emrat tanë kudo”, ka thënë Çengiq.

Muralin e tij në kuadër të “Meeting...” në Prishtinë e ka vlerësuar më specifik, me qasje më ndryshe prej të tjerave. Ka treguar se bën punime të thjeshta dhe se eksperimenton me format. Organizimi i ngjarjes në ambient publik ka thënë t’i ketë bërë përshtypje.

“Grafiti në formën e vërtetë të tij është ilegal dhe nuk mund të jetë i koncentruar në vende të zakonshme. Por ajo që bën ‘Q’Art’, e shpërndan këtë koncept dhe të jep mundësi të shprehësh lirshëm artistikisht, edhe nëse vepra nuk ka një mesazh. Është hapësirë për kreativitet, për lidhje me letrat, me mënyrën si i zgjedh ngjyrat. Grafiti nuk shihet i pranishëm në shumë vende të Prishtinës, sepse tani po zhvillohet. Grafiti është anarki. Nuk ka pse të jetë ilegal, ta bësh haptazi këtu është e mrekullueshme”, ka thënë Çengiq.

Artisti me emrin artistik “FeoFlip” nga Ishujt Kanare, ka përdorur një teknikë më ndryshe prej gjithë artistëve që kanë nisur punimet në ditën e parë të Festivalit. Ka thënë se vepra e tij do t’i përgjigjet “Masës kritike” me veturat masive në këtë pjesë të kryeqytetit.

“Punoj me bojë dhe më pas shkoj me sprej. Është më e lirë, më ekonomike dhe pastaj kam mundësinë të krijoj teksturën, t’i jap personalitet grafitit tim. Në mëngjes kam bërë një skicë ku kam vizatuar shumë vetura në qytet. Ky qytet është plot me vetura, plot kolaps. Kjo edhe i përgjigjet temës së edicionit të sivjetmë, është një demonstrim i rrugëve”, është shprehur artisti i cili ka qenë në Festival edhe më 2019.

Murali i Ardi Hasimjes në fakt është homazh për mikun e tij që vdiq vitin e kaluar në moshë të re, DJ i njohur Erin Godanci.

“Dua të krijoj një memorie për të. E kam pasur shok. Karakteri i tij është ky, e identifikon ikona ‘smile’ që e ka përdorur edhe në pjesë skenike, pasi ka qenë DJ. Do të përfshij edhe dy karaktere të kësaj ikonës në punimin tim. Është stil i lirë”, ka thënë artisti nga Prishtina.

Ngjyra që bien në sy dhe tërheqin vëmendje ka përdorur artisti “Alexander” nga Hungaria, që ka dashur të identifikohet vetëm me emrin artistik. Grafiti krijon efekte të shumta dhe perceptime të ndryshme.

“Është stil më i komplikuar, kur njerëzit e shohin thonë ‘çfarë është shkruar këtu’. Është ‘Meeting of Styles’ kështu që të gjithë e shfaqin stilin e tyre. Po përgatis ngjyrën rozë për ta shtuar, mendoj të shtoj pak ngjyrë të kaltër në sfond, është në proces. Këtë e kam skicuar për një orë, mendoj se nesër do ta përfundoj. Skica është e domosdoshme, sepse mund të gaboj dhe nëse e bëj atë duhet ta fsheh disi. Për këtë arsye, bëj vijat dhe më pas i ndjek ato me ngjyrë”, ka thënë artisti hungarez, për të cilin ky është edicioni i katërt që merr pjesë në “MOS Kosova”.

Pos programit qendror që është paraqitja e artit të grafiteve në mure, Festivali paralelisht mban edhe aktivitete të tjera edhe të shtunën e të dielën kur mbyllet edicioni i shtatë. Janë gjithashtu punëtoritë e grafitit për të gjithë pjesëmarrësit e interesuar pa dallim moshe. Mentorë do të jenë artistë të ndryshëm dhe në to parashihet të marrin pjesë 60 të interesuar për artin e grafitit. Aktivitet i veçantë sivjet do të jetë ngjarja “Grafitti Battle”, gara mes artistëve në krijimin e grafiteve më të mirë brenda tre minutash. Artistë të rinj nga skena vendore do të shoqërojnë në mbrëmjet e Festivalit. I veçantë do të jetë koncerti së dielës i DJ Benjamin Stanford i njohur si “Dub FX” nga Melburni i Australisë të cilin organizatorët kishin tentuar ta sillnin në edicionet e kaluara.

“Me artistët tani jemi një familje. Një përqindje të tyre i kemi secilin vit. ‘Meeting of Styles’ është i domosdoshëm, jo veç për komunitetin këtu, por kudo. Një numër i artistëve madje jetojnë në Prishtinë, janë banorë të këtij vendi falë Festivalit. Që do të thotë se kemi bërë punë të mirë, pritje të mirë dhe ja ku jemi”, ka thënë Besjana Kastrati.

Organizata “Q’Art” e ka të drejtën të mbajë “Meeting of Styles” edhe në Shqipëri. Vitin e kaluar kishin shtrirë artin e grafitit në një prej nënkalimeve në Durrës. Për vitin e ardhshëm kanë paralajmëruar se do të përqendrohen në pjesën jugore të shtetit.

Kur ishte hapur thirrja për artistë në muajin prill, Agon Xhelili, drejtor i “Q’Art”, kishte thënë se tema e këtij viti është “njëfarë vetëdijesimi i rëndësisë së rolit që individët kanë në një masë më të gjerë ku secili mundet me një veprim minor të ndikojë shumë në një masë më të gjerë”.

Vetë organizimi i Festivalit parasheh shprehjen e lirë të artistëve, por ku ndalohet aplikimi i artit me elemente të fyerjes fetare, nënçmim të komuniteteve dhe çfarëdo vepre që promovon terrorizëm dhe prek barazinë.

“Meeting of Styles” është rrjet ndërkombëtar me qendrën kryesore në Wiesbaden të Gjermanisë. Krejt Festivali kishte nisur me organizimin e ngjarjes atje në vitin 1997 dhe në vitin 2002 ishte përhapur në vendet e botës. Në Kosovë që në edicionin e parë mori titullin “Best First Edition”. Festivali përfshin Kosovën ndër 32 shtete si Anglia, Spanja, Italia, Franca, Holanda e shtete të tjera evropiane, ndërsa nga ato në botë është Brazili, Argjentina, Tajlanda, ShBA-ja, Filipinet e të tjera. Në ueb-faqen e tyre veçse janë publikuar datat e rezervuara për vendet përkatëse, në mesin e tyre edhe Prishtina.

“I bashkuar dhe i frymëzuar nga pasioni për grafitin, ‘MOS’ synon të krijojë një forum për komunitetin ndërkombëtar të artit për të komunikuar, mbledhur dhe shkëmbyer ide, vepra dhe aftësi, por edhe për të mbështetur shkëmbimin ndërkulturor”, thuhet në prezantimin e “MOS”.

Vitin e kaluar në kryeqytet ishin bërë bashkë 100 artistë për temën “Truth is Light” në njërën pjesë të “Rrugës B”. Edhe aty ishte parë i domosdoshëm e si obligim intervenimi për të dytën herë. Nga organizatorët qe propozuar të krijohej një pullaz që do të ruheshin grafitet nga ekspozimi i gjatë ndaj kushteve atmosferike.

Në edicionet e kaluara, artistët pjesëmarrës të festivalit “MOS Kosova” kishin intervenuar në Stacionin e Trenit, në rrethrrotullimin në lagjen “Lakërishtë” e në atë që sot njihet si “Korridori i Gjelbër” me “Manifesta 14”. “Meeting of Styles” vjen në kryeqytet si vlerë artistike e artistëve nga kultura të ndryshme, por që bëhen një me artin e rrugës.