Janë 100 artistë nga vendi e bota që janë stacionuar në “Rrugën B”, për ta zbërthyer nëpërmjet artit të rrugës temën “Truth is Light”. Në edicionin e gjashtë, “Meeting of Styles” është rikthyer në vendin ku nisi para gjashtë vjetësh, përderisa tema vjen si kundërpërgjigje përballë realitetit. Pos street-artit, për tri ditë, Festivali sjell edhe të tjera ngjarje unike
Në një pjesë të “Rrugës B” në Prishtinë janë vendosur barrikada. Është bllokuar qarkullimi i veturave për t’u kthyer në qendër arti për tri ditë. Janë 100 artistë që janë bërë bashkë për temën “Truth is Light” dhe kanë filluar intervenimin artistik për të dytën në këtë vend. Grafitet e moçme i ka mbuluar ngjyra e zezë, përderisa tash kanë nisur të marrin formë veprat e reja. Festivali “Meeting of Styles” vjen për të gjashtën herë në organizimin e qendrës për zhvillimin e artit, “Q’Art”.
Janë një mijë e 800 metra katrorë – muri anësor i “Rrugës B” – që u bëjnë vend veprave të street-artit. Prej artistëve, njëzet janë vendorë dhe tetëdhjetë nga Evropa e mbarë bota.
Veçanti e këtij edicioni është panairi i produkteve dhe arteve urbane apo ndryshe si “urban bazzar” dhe punëtoria për të gjithë të interesuarit që duan të mësojnë për artin e grafiteve. Panairi synon të nxjerrë në sipërfaqe kulturën e panjohur në vend, duke mbledhur dizajnerë të rinj dhe krijues të ndryshëm vendorë. Gjithë kjo për të krijuar produkte atraktive, duke i transformuar ato në vepra arti dhe punëdore artistike me motive të qytetit të Prishtinës. Produktet do të krijohen nga “Q’Art” në bashkëpunim me profesionistë të huaj, ku rrobat do të shndërrohen në krijime unike, që më pas do të ekspozohen gjatë Festivalit dhe nëpërmjet platformave virtuale.
Punëtoria do të zhvillohet në bashkëpunim midis artistësh dhe ka për synim ngritjen e aftësive profesionale të pjesëmarrësve. Megjithatë, “Meeting of Styles” në fokus ka edhe shpalosjen e stileve nëpërmjet performancave të artistëve gjatë vizatimit në Festival.
“Meeting of Styles Kosova” në “Rrugën B” është rikthim në atë vend ku nisi para gjashtë vjetësh.

Drejtori i “Q’Art”, Agon Xhelili, ka thënë se është nostalgji kthimi në zanafillën e Festivalit dhe reflektim i suksesit që ka pasur.
“Karakteristikë është se jemi kthyer aty ku ka nisur Festivali më 2017. Ka qenë një arsye pse jemi kthyer. Shumë qytetarë që banojnë në këtë lagje kanë filluar të bëjnë kërkesa që të vijmë t’i ribëjmë këto murale, pasi janë fshirë shumica me kohën që ka kaluar prej gjashtë vjetësh”, ka thënë ai.
Të premten, që në mëngjes kanë filluar përgatitjet për hapje. Disa orë më pas, artistët kanë filluar të hedhin shenjat e para në muret e zeza që zymtësinë ua kanë thyer vetëm emrat e shkruar të artistëve që kanë qenë me qëllim të ndarjes së pjesës së secilit artist për paraqitjen e grafiteve të tyre. Për të parë rrjedhën e punës, pasdite aty është parë edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Në kohën e paralajmëruar si hapje, ka qenë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
E ka vlerësuar Festivalin si kontribut të jetës artistike e kulturore të kryeqytetit në përgjithësi, ndërsa pjesëmarrjen e artistëve të huaj si promovim për shtetin.
“Artistët që vijnë këtu dhe kthehen pastaj prapa dhe tregojnë për vendin tonë, na ndihmojnë ta transformojmë historinë tonë si një vend të pasluftës, në një vend të artit dhe kulturës, vend kreativ, të festivaleve e të një energjie pozitive”, ka thënë Rama.
Intervenimin për të dytën herë në këtë pjesë e ka parë të domosdoshme dhe e ka konsideruar si obligim, organizatorja e Festivalit Besjana Kastrati. Për shkak të ekspozimit të muraleve për një kohë të gjatë ndaj kushteve atmosferike, ka thënë se kishte propozuar të krijohet një pullaz për të ruajtur grafitet për një kohë më të gjatë.
“Kur e kemi organizuar në vitin 2017, kemi bërë shumë kërkesa në Komunën e Prishtinës që të bëhet një pullaz te muri, në mënyrë që të mbrohet pak prej kushteve atmosferike. Ajo nuk ka ndodhur faktikisht dhe normalisht ne si ekip, kur kemi kaluar këtu, e kemi parë si obligim që duhet të kthehemi këtu kësaj here”, ka treguar ajo derisa ka vlerësuar se në disa pjesë ku janë mbrojtur grafitet sado pak, kanë qenë më të ruajtura.
Në edicionet e kaluara, artistët pjesëmarrës të festivalit “MOS Kosova” kishin intervenuar në stacionin e trenit, në rrethrrotullimin në lagjen “Lakrishtë” e në atë që sot njihet si “Korridori i Gjelbër” me “Manifesta 14”. Tema e sivjetme “Truth is Light” është caktuar nga baza e Festivalit në Gjermani dhe përkon me aktualitetin në botë. “Meeting of Styles” është rrjet ndërkombëtar që bazën e ka në Wiesbaden të Gjermanisë, ku një organizim i tillë është bërë atje në vitin 1997 dhe në vitin 2002 është përhapur në vendet e botës. Në Kosovë që në edicionin e parë mori titullin “Best First Edition”. Festivali përfshin gjithsej 32 shtete, si: Anglia, Spanja, Italia, Franca, Holanda e shtete të tjera evropiane, ndërsa nga ato në botë është Brazili, Argjentina, Tajlanda, ShBA-ja, Filipinet e të tjera.
Veçanti e këtij edicioni është edhe “line up-i” me muzikë për tri net të Festivalit nga zhanre të ndryshme, ku nata e parë ka nisur me hip- hop, për të vazhduar dy netët e tjera me rock n’roll dhe drum and bass me artistë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia.
Koordinatorja vullnetare për media e Festivalit, Amina Kaja, e ka vlerësuar Festivalin si qëllim aktivist në mënyrë që artistëve t’u lejohet të ndërhyjnë në arkitekturën dhe infrastrukturën e kryeqytetit, të cilat më pas mund të kthehen në qendra edukimi e kulturore.
“Artistët thjesht me imazhet e tyre paraqesin idetë e tyre, emocionet dhe atë që kanë në mendje dhe duan ta ndajnë me ne. Kjo mendoj se është e bukura e aktivizmit artistik, që secili e shfaq një anë të botës që vetëm ata e shohin të tillë”, ka thënë ajo.
Interesim për ngjarjen është parë nga kalimtarët e banorët e lagjes, të cilët janë interesuar për punëtorinë e grafiteve. Shumë nga ta kanë kërkuar t’i sjellin të rinjtë e familjeve të tyre në punëtori.
Artistët pothuajse janë vërshuar me laramani ngjyrash në muret përgjatë rrugës.
Artisti Ardi Shishku veprën e tij e ka bazuar në temën e Festivalit.
“Sipas konceptit ‘Meeting of Styles’, shpresoj që ka me shndritë vendin. Organizimi është shumë i mirë, është eksperiencë e mirë për të takuar artistë nga shtete të ndryshme”, ka thënë ai. Grafit të përbashkët kanë zgjedhur artistja shtetase zvicerane Line Line dhe artisti nga Senegali Alpha Sy. “Bazuar në temën, po paraqes një vajzë të vogël nën qirinj. Kam vendosur disa drita me ngjyra pink me nuanca të tjera të kësaj ngjyre. Kam qenë në këtë Festival edhe para tri vjetësh, e njoh dhe kam vendosur të vij prapë”, ka thënë artistja Line. Ndërsa artisti nga Senegali ka thënë se kanë zgjedhur motive shqiptare për grafitet e tyre.
“Është hera ime e parë në Kosovë. Kjo në sfond është model nga kultura shqiptare, jam inspiruar nga modelet shqiptare. Kam parë edhe në Turqi të tilla, por mendoj se i përkasin Kosovës”, ka thënë artisti Sy. Një artist tjetër nga Anglia, që për herë të parë merr pjesë, ka vlerësuar jo vetëm Festivalin, por edhe të gjithë kryeqytetin, në të cilin planifikon të zhvendoset.
“Hapësira është shumë e mirë, do të paraqes emrin tim me shkronja grafiti dhe do të pikturoj njeriun e egër në pyje. Unë dhe shokët e mi e duam Kosovën dhe po mendojmë të shpërngulemi këtu, njerëzit janë disi të lumtur, është një vibe ndryshe këtu’, ka thënë artisti anglez, Edward Shearon. Në anën tjetër, për një artist italian është hera e katërt që merr pjesë në Festival.
William Gervasoni është shprehur entuziast që në takimin e parë me Kosovën, njerëzit e vendet, veçanërisht me Festivalin.
“Kam provuar të jem këtu çdo herë që kam mundur. Kam paraqitur një vajzë me shumë dritë në fytyrën e saj, me ngjyrë të kuqe, pink dhe të kaltër të hapur. Është një lloj pozicioni ndërmjet dy llojeve të dritës’, ka thënë artisti Gervasoni.
Përgjatë tri ditëve, festivali “Meeting of Styles Kosova” sjell artin e lirë të pandikuar nga barrierat e faktorët e ndryshëm. Ato vijnë si vlera artistike të artistëve nga kultura të ndryshme, por që bëhen një me artin e rrugës.