Anglia është përfaqësuesja e vetme evropiane e kualifikuar për Kupën e Botës 2026 në futboll. Kjo garanton garë të zjarrtë e interesante në dy xhirot e fundit të kualifikimeve evropiane, që zhvillohen muajin tjetër.
Xhiroja e nëntë është prej 13 deri më 15 nëntor, ndërsa e dhjeta, përkatësisht e fundit, prej 16 deri më 18 nëntor.
Në dy xhirot e fundit do të caktohen edhe 11 përfaqësueset që shkojnë direkt në Botërorin në SHBA, Kanada e Meksikë dhe po ashtu do të mësohen gjitha përfaqësueset që do të paraqiten në plejof për kualifikim në Botëror.
Pas ndeshjeve të tetorit nëpër grupe pos Anglisë udhëheqin edhe Gjermania, Zvicra, Danimarka, Franca, Spanja, Portugalia, Holanda, Austria, Norvegjia, Belgjika e Kroacia. Shumica prej tyre janë në prag të sigurimit të biletës së Botërorit. Prej përfaqësueseve të mëdha vetëm Italia nuk udhëheq në grup. Është e dyta në Grupin I me 15 pikë, tri më pak se Norvegjia.
Anglia është kualifikuar duke i fituar gjashtë ndeshjet e deritashme në Grupin K. Udhëheq në tabelë me 18 pikë dhe më nuk mund të arrihet nga Shqipëria që është e dyta dhe nga Serbia që është e treta.
Shqipëria e Serbia janë në garë për vendin e dytë në grup, që dërgon në plejof. Me një pikë më shumë dhe orar më të përshtatshëm, Shqipëria vlerësohet favorite.
Më 13 nëntor kuqezinjtë luajnë në udhëtim ndaj Andorrës dhe vlerësohen favoritë të mëdhenj. Në të njëjtën kohë Anglia e pret Serbinë. Nëse rezultatet janë ato që pritet – Shqipëria e mposht Andorrën dhe Anglia e mposht Serbinë – atëherë Shqipëria e siguron vendin e dytë. Me një skenar të tillë ndeshja e 16 nëntorit Shqipëri – Angli do të jetë festive. Dhe ndeshja Serbi – Letoni pa asnjë vlerë.
Kosova është ende në garë për kualifikim direkt në Botëror, ndërsa për plejof është në pozitë shumë të mirë. Dy xhiro para fundit të garës kualifikuese, Kosova renditet e dyta në Grupin B me shtatë pikë. Zvicra udhëheq me 10 pikë. Sllovenia i ka tri pikë në pozitën e tretë, ndërsa Suedia është e fundit me një pikë.
Kosova ishte autsajdere e këtij grupi, por shënoi dy fitore ndaj Suedisë së mbushur me yje dhe barazoi pa gola me Slloveninë. Dhe suksesi historik po i buzëqesh – plejofi apo edhe kualifikimi në Botëror.
Më 15 nëntor janë ndeshjet Slloveni – Kosovë dhe Zvicër – Suedi. Ndërkohë më 18 nëntor luhen takimet Kosova – Zvicra dhe Suedia – Sllovenia.
Gara është shumë interesante edhe për plejof. Përfaqësueset e vendeve të dyta nëpër grupe kualifikohen në plejof, së bashku me katër përfaqësueset të mira fituese të grupeve në edicionin e kaluar të Ligës së Kombeve. Sa i takon Ligës së Kombeve, do të kualifikohen fitues të grupeve nga kjo garë, që në kualifikimet e rregullta për Botëror nuk janë në dy pozitat e para nëpër grupe. Kjo lë të hapur shumë opsione.
Në plejof do të formohen katër mini-grupe me nga katër përfaqësuese, ku gara do të zhvillohet me sistem eliminimi. Pas dy gjysmëfinale do të luhen katër finale që japin katër bileta për Botërorin 2026.
Anglia e siguroi kualifikimin të martën mbrëma me fitoren 5:0 ndaj Letonisë. Është turneu i tetë rresht i madh për të cilin kualifikohen anglezët. Ata së fundi munguan në Evropianin 2008, ndërsa në Botëror dështuan të kualifikohen së fundi në vitin 1994. Puna e përzgjedhësit Thomas Tuchel po vlerësohet shumë.
Anglia nuk e ka pranuar asnjë gol në gjashtë ndeshjet e deritashme kualifikuese.
“Është moment i veçant. Është brilante. Atmosfera në dhomën e zhveshjes është shumë e mirë. Ishte synim që të shkojmë në Kupën e Botës dhe e arritëm këtë. Kemi fituar të gjitha gjashtë ndeshjet dhe nuk kemi pranuar gol. Po jemi dominant në ndeshje, po jemi të uritur. Jemi në rrugën tonë”, ka thënë Tuchel.
Dy ndeshjet e fundit, me Serbinë dhe Shqipërinë, Anglia pritet t’i shfrytëzojë për përgatitje të mëtejme për Kupën e Botës. Gjithë shqiptarët shpresojnë që ndeshja në Tiranë të ketë edhe frymën festive.