Te përfaqësuesja e Serbisë në futboll ende shpresojnë ta kalojnë Shqipërinë në tabelë dhe të paraqiten në plejofin e kualifikimeve për Botërorin 2026.
Kjo ka pak gjasa të ndodhë, marrë për bazë orarin e dy xhirove të fundit të Grupit K të kualifikimeve evropiane.
Të enjten Serbia luan me Anglinë në “Wembley”, ndërsa Andorra e pret Shqipërinë. Gjasat janë të mëdha që Anglia ta mposhtë Serbinë dhe Shqipëria të fitojë në Andorrë. Dhe kështu vendi i dytë do t’i takonte Shqipërisë, ndërsa vendi i tretë Serbisë.
Më 16 nëntor janë ndeshjet Shqipëri – Angli dhe Serbi – Letoni.
Anglia tashmë e ka siguruar biletën për Botëror. Ka fituar gjashtë ndeshjet dhe synon tjetër fitore ndaj Serbisë në stadiumin ikonik.
Të dëshpëruar, serbët shpresojnë në ndihmën e Andorrës për ta kaluar Shqipërinë në tabelë. Shqipëria është e dyta me 11 pikë, ndërsa Serbia e treta me dhjetë. Letonia i ka pesë pikë, ndërsa Andorra inferiore vetëm një.
Më 24 mars në Tiranë, Shqipëria kishte fituar 3:0 ndaj Andorrës. Dhe çdo rezultat tjetër pos fitores do të ishte dështim i madh për kuqezinjtë. Bastoret thuajse nuk i japin gjasa Andorrës për ta shmangur disfatën e re.
Erik Vales është lojtari i Andorrës që luan në Serbi. Ndonëse për ndeshjen me Shqipërinë është i dëshpëruar, Vales është pyetur për ndeshjen e së enjtes.
“Nuk mund t’iu premtoj rezultat pasi kjo nuk do të ishte e drejtë, por nuk duhet të keni dyshime për angazhimin tonë dhe përgatitjen për ndeshje. Do të bëjmë çdo gjë të mundshme, si ndaj çdo kundërshtari tjetër. Do ta përgatisim ndeshjen me Shqipërinë si të jetë finale. Atmosfera në ekip është shumë pozitive dhe jemi shumë të motivuar për të arritur rezultat të mirë para tifozëve tanë. Kështu të gjithë së bashku do të mund të vazhdonim të përparojmë”, ka thënë Vales për “Mozzart Sport”.
Shqipëria e bëri hapin vendimtar drejt plejofit me fitoren e mahnitshme në Leskovc, më 11 tetor. Ai rezultat solli dorëheqjen e selektorit të Serbisë, Dragan Stojkoviq, dhe çrregulloi plotësisht përfaqësuesen serbe. Velko Paunoviq mori drejtimin e Serbisë ndërkohë që humbja nga Shqipëria ka lënë pasoja të mëdha te kjo përfaqësuese.
“Jam gati për detyra të vështira dhe misione të vështira. Duhet të ngritemi të gjithë nga vështirësitë momentale, pasi përfaqësuesja është mbi të gjitha. Në ‘Wembley’ nuk duhet vetëm të paraqitemi, por edhe të bëjmë diçka për vendin tonë”, ka theksuar Paunoviq.
Selektori i Anglisë, Thomas Tuchel, është i interesuar që kampanjën kualifikuese ta përfundojë me të gjitha fitore. Ai synon vazhdimin e kontratës dhe një dështim para tifozëve të zjarrtë anglezë as që mendohet.