Futboll

Tuci: S’duhet ta nënvlerësojmë Andorrën

Indrit Tuci

Kombëtarja e Shqipërisë në futboll të enjten nga ora 20:45 luan në udhëtim tek Andorra, në ndeshjen që është e vlefshme për kualifikimet e Botërorit 2026. 

Shqipëria konsiderohet favorite për ta fituar ndeshjen, por sulmuesi Indrit Tuci ka theksuar se nuk duhet që të nënvlerësohet përfaqësuesja e Andorrës. 

Sulmuesi i Kayserisporit, Tuci, shtoi se do të jetë vështirë që të realizohet gol ndaj Andorrës, pasi që është ekip që mbrohet shumë.

“Përgatitjet janë shumë intensive për ndeshjen ndaj Andorrës. Për momentin po mendojmë vetëm për Andorrën. Pasi të kalojmë Andorrën do të mendojmë edhe për Anglinë. Jemi duke i analizuar shumë mirë kundërshtarët. Më e rëndësishmja është ndeshja e parë me Andorrën. Nuk duhet t'i nënvlerësojmë lojtarët e Andorrës sepse  dinë të penalizojnë, kanë lojën e tyre. Është një lojë që nuk i pëlqen asnjë ekipi. Mbrohen me çdo kusht që të mos pësojnë gol. Shpresojmë që ta fitojmë ndeshjen e parë ndërsa për ndeshjen e dytë do të flasim më pas”, ka thënë 25-vjeçari Tuci për faqen zyrtare të FSHF-së. 

Më 16 nëntor është ndeshja Shqipëri – Angli, në “Air Albania” në Tiranë. 

fShqipëria e synon vendin e dytë në grup, për të vazhduar në fazën e plejofit. Pozita e dytë mund të sigurohet që të enjten, me fitore ndaj Andorrës dhe me kusht që Anglia të fitojë ndaj Serbisë në ndeshjen që zhvillohet në të njëjtën kohë në “Wembley”.