Këtë të diel, episodi i 5-të i emisionit “Pro X” ju sjell rrëfimin e mezosopranos Flaka Goranci, e cila me zërin e karizmin në skenë ka arritur të depërtojë në skenat më të njohura.
Në emisionin “Pro X”, ajo ka zbuluar si zuri fill dëshira e saj për këndimin dhe cili ishte momenti kur vendosi t’i dedikohej këtij profesioni. Mes triumfit në skenë, Goranci ka rrëfyer edhe për vështirësitë e saj në fillim të karrierës, kur ajo ishte refuzuar dy herë nga Akademia e Muzikës në Prishtinë.
“Unë nuk do t’i përmend vetëm sukseset e mia, por edhe dështimet sepse intervista duhet të shërbejë edhe si motivim për gjeneratat e reja. Edhe rruga ime si studente kantos nuk ishte e lehtë. Fillimi im ka qenë me dy ‘jo’ të mëdha në Akademinë e Arteve në Prishtinë, ku konkurrova dy herë dhe nuk mu dha mundësia që të futem aty si studente”, ka rrëfyer Goranci.
Në emisionin “PRO X” ka treguar se si ka ndikuar kjo në atë kohë në ëndrrat e saj për t’u bërë këngëtare e operës. Megjithatë, Flaka nuk u dorëzua dhe vazhdoi në Akademinë e Muzikës në Tiranë për të vazhduar më pas studimet master në Tel-Aviv të Izraelit.