SOT

Nga Prizreni në Turqi, suksesi i bursistëve të muzikës

Shkolla e muzikës “Lorenc Antoni”

Këngët turke prizrenasi Andi Kazazi i këndon me ëndje.

Me zërin e tij është pranuar me 100% bursë në konservatorin e Ankarasë. 

Në të ardhmen e sheh ta zhvillojë karrierën si muzikant në Turqi. 

“Nga mosha e vogël kam filluar me muzikën turke, me koncerte të ndryshme. Gjithmonë kam kënduar muzikë turke. Këtu kam vazhduar operën, ishte kënaqësi, por me dëshirë e vazhdoj muzikën turke. Erdh lajmi që me 100% bursë të pranohem për studime në konservatorin ‘Ankara’. Jam shumë i lumtur për këtë. Pasi t’i përfundoj studimet mendoj të jem këngëtar i muzikës turke në Turqi. Kam marr pjesë më shumë se 20 koncerte në Turqi, Kosovë etj.”, thotë Kazazi. 

Edhe flautistja Berra Kruemali, pas një dekade studimesh shkollë të muzikës, për studime u pranua me bursë të plotë në Turqi.

“Për 10 vjet kam qenë nxënëse e kësaj shkolle në degën instrumental, flaut. Për studime jam pranuar me 100% bursë në konservatorin e Ankarasë, në Turqi. Për këtë sukses falënderoj shumë profesoreshën time Kaltërina Krasniqi dhe drejtorin e shkollës. Konkurrenca ka qenë e madhe, por kam pasur fatin të pranohem për studime në Turqi. Të ardhmen mendoj ta përfaqësoj Kosovën në mënyrën më të mirë. Kam marr pjesë në gara të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Prej tyre kam rrëmbyer edhe çmime të para”, thekson Kruemali.

Aurora Ahmetaj luan me piano që nga mosha 7-vjeçare dhe tashmë ndjek klasën e 10-të, në shkollë të muzikës. Pas shkollës së mesme, ajo gjithashtu synon studimet jashtë Kosovës. 

Ajo ka fituar çmime të para, të dyta e të treta në gara të ndryshme dhe luan vepra të kompozitorëve të mëdhenj si Beethoven, Mozart e të tjerë. 

“Që nga mosha 7-vjeçare kam filluar të luaj në piano. Kam marr pjesë nga gara e koncerte të shumta. Kam marr çmime të para, të dyta e të treta. Studimet i mendoj t’i vazhdoj në Vjenë, jashtë vendit. Me piano luaj vepra të kompozitorëve të mëdhenj si Beethoven, Mozart, Frederic Chopin etj. Ndërsa prej këngëtarëve shqiptarë pëlqej Nexhmije Pagarushën, Vaçe Zela etj. Një mesazh për të tjerët, ta ndjekin rrugën e tyre drejt sukseseve duke i dëgjuar këshillat e profesorëve”, deklaron Ahmetaj. 

Vesel Krasniqi, drejtori i shkollës së muzikës “Lorenc Antoni”, theksoi se pavarësisht sfidave me numrin e nxënësve, interesimi për muzikë nuk mungon, sidomos për piano, kitarë dhe instrumente frymore. 

“Edhe në shkollën tonë ka një rënie të nxënësve, kjo si shkak i migrimeve. Këtë vit në shkollë të mesme janë paraqitur gjithsej 18 nxënës, 6 prej tyre janë instrumentalë dhe 12 janë teorikë. Në shkollën e ulët kemi interesim shumë më të madh, sidomos në instrumentin e pianos, në instrumentin e kitarës dhe instrumentet frymore si flauti dhe klarineta. Në këtë shkollë përfshihet edhe baleti. Shkolla gjithsej ka 390 nxënës me shkollën fillore dhe të mesme. Nxënës nga shkolla jonë kanë vazhduar kryesisht studimet jashtë vendit si: Turqi, Gjermani, Austri etj. Pra nga kjo shkollë nxjerrim kuadro të mira, e të talentuar”, thotë Krasniqi.  

Shkolla e muzikës “Lorenc Antoni” njihet si shkollë e cila nxjerr talente të reja që po shkëlqejnë në skenat vendore dhe ndërkombëtare.