Kulturë

Lule Elezi me elegancë e virtuozitet në piano harmonizohet me potencialin e Operës

Krejt veprat në repertor kanë qenë mundësi unike që pianistja të zbërthejë e dëshmojë teknika e mjeshtri dhe Lule Elezi është e shquar për këtë (Foto: Arben Llapashtica)

Krejt veprat në repertor kanë qenë mundësi unike që pianistja të zbërthejë e dëshmojë teknika e mjeshtri dhe Lule Elezi është e shquar për këtë (Foto: Arben Llapashtica)

Kritika e ka vlerësuar kaherë për interpretim të fuqishëm e njëkohësisht delikat dhe virtuoze e interpretuese me shumë ndjeshmëri. Lule Elezi s’e ka zor t’i dëshmojë krejt këto teksa koncerti i saj është historik edhe për Operën e Kosovës. Përzgjedhja e veprave në mbrëmjen muzikore dirigjuar prej maestro Olep Arapi, ia ka dhënë mundësinë t’i shpalosë kontrastet në teknika e stile në një lojë që harmonizohet edhe me potencialin e anëtarëve të institucionit katërvjeçar

Me instrumente në duar, mimika të buzëqeshura dhe hapa të vegjël, e hapën natën koncertale njëri pas tjetrit anëtarët e orkestrës së Operës së Kosovës. Salla e Ateliesë në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë u mbush me spektatorë, të cilët kanë ardhur ta përcjellin performancën e pianistes Lule Elezi, e cila bashkë me orkestër, nën dirigjimin e Oleg Arapit, kanë marrë duartrokitje të pafundme.

Ky qe koncerti i radhës që organizon Opera e Kosovës, e cila është themeluar më 2021 dhe ka përcjellë deri tash koncerte e produksione të ndryshme si dhe veprën e parë operistike kosovare

“Goca e Kaçanikut”, kompozuar nga Rauf Dhomi. Misioni parësor i Operës është që të edukojë, përmes programeve që grumbullojnë të rinjtë me artin operistik dhe jep mundësi për krijimin e hapësirave për zhvillim profesional të brezave të rinj. E, koncerti i radhës qe historik edhe për një arsye: Lule Elezi e dëshmuar kaherë, është e para soliste me koncertin e Operës. 

Koncerti ishte një dëshmi e fuqishme e përkushtimit që Opera e Kosovës ka ndaj ngritjes së standardeve artistike dhe afirmimit të talenteve vendore (Foto: Arben Llapashtica)

Me “rënien e bilbilit”, shkopi i dirigjentit i dha shenjë nisjes së programit me orkestrën që përbëhej nga “lojtarë” në instrumente frymore dhe ato me hark. Është performuar pjesa “Uverturë nga opera ‘Don Pasquale’” të Gaetano Donizettit dhe pastaj në skenën operistike është futur pianistja Lule Elezi, për t’i luajtur bashkë me orkestrën, shoqëruar vetëm me harkore “Sonatën patetike për piano dhe harqe”, “No. 8 in C minor, Op.13” të Beethovenit  “Nocturne in C-sharp minor, B. 49” të Chopinit dhe “Intermezzo No. 1” të Manuel Ponces. Krejt veprat janë një mundësi unike që pianistja të zbërthejë e dëshmojë teknika e mjeshtri dhe Lule Elezi është e shquar për këtë. Në program kanë qenë edhe veprat “Suitë nr. 1” nga “Carmen” e Bizetit e me uverturë edhe është përmbyllur koncerti. Ka qenë ajo nga opereta “Light Cavalry” që sjell një tis romantike.  

Lule Elezi është pianiste e njohur për interpretimin e fuqishëm e njëkohësisht delikat, e vlerësuar ndërkombëtarisht si virtuoze dhe interpretuese me shumë ndjeshmëri, veçanërisht ndaj veprave të kompozitorit Frederic Chopin. Me një karrierë të pasur koncertale si soliste dhe anëtare e ansambleve kamertale, Elezi ka performuar në një numër të madh vendesh anembanë botës dhe ka bashkëpunuar me dirigjentë të shquar si Toshio Yanagisawa dhe Boian Videnoff.

Ndërthurja e përvojës ndërkombëtare të dirigjentit Oleg Arapi me interpretimin delikat e plot ndjenjë të pianistes Lule Elezi krijoi një natë të magjisë muzikore (Foto: Arben Llapashtica)

Pianistja Elezi ka shprehur shpreh emocionin dhe krenarinë e thellë që ka përjetuar gjatë një prej mbrëmjeve më të rëndësishme të karrierës së saj muzikore jo vetëm për rëndësinë simbolike dhe artistike të këtij bashkëpunimi, por edhe për ndjesinë e veçantë që i dha dirigjenti Oleg Arapi, me të cilin ka ndarë skenën edhe më parë në Tiranë e Prizren.

“Ishte një mbrëmje madhështore për mua sonte, një nga mbrëmjet më të veçanta të karrierës sime, ngaqë isha solistja e parë instrumentiste që performova me orkestrën e mrekullueshme të Operës së Kosovës, nën dirigjimin fantastik të maestro Oleg Arapit. Ishte një ndjesi vërtet e veçantë, me maestro Arapin kam pasur kënaqësinë të bashkëpunoj edhe më herët me koncertet që i kemi mbajtur në Tiranë e Prizren dhe gjithmonë e vlerësoj maksimalisht punën e tij të palodhur dhe shumë profesionale”, ka thënë pianistja Lule Elezi për KOHËN pas përfundimit të koncertit.

Pas performancës së saj në piano, orkestrës i janë bashkuar sërish instrumentistët frymorë, duke i dhënë një ngjyrim tjetër pjesës së mbetur të programit me pjesët “Carmen Suite No. 1” dhe “Uvertura ‘Light Cavalry’”. Gjithmonë nën dirigjimin e Oleg Arapit me karrierë të shquar ndërkombëtare, kanë jehuar meloditë në harmoni të përsosur. Me një repertor të gjerë që përfshin kryevepra simfonike dhe operistike, ai ka dirigjuar mbi 200 koncerte në mbarë botën dhe ka bashkëpunuar me solistë të njohur shqiptarë dhe ndërkombëtarë.

Me këtë natë koncertale u vërtetua edhe një herë arti nuk njeh kufij dhe se Prishtina, përmes institutit të ri të Operës, po shndërrohet në një pikëtakim të denjë të talenteve të mëdha (Foto: Arben Llapashtica)

Dirigjenti Arapi ka treguar përvojën e tij në këtë koncert duke e quajtur “përgjegjësi të madhe” drejtimin e orkestrës, në mënyrë që të realizohet koncerti sa më bukur.

“Të dalësh para një orkestre si kjo, kaq e mirë me këta instrumentistë kaq të mirë, kaq të rinj që kanë vullnet të punojnë ishte një përgjegjësi shumë e madhe, sepse unë do të jepja maksimumin, atë që dija kuptohet, në mënyrë që të arrinin ta realizonim një koncert sa më bukur dhe mendoj që ia arritëm qëllimit, sepse duartrokitjet e publikut e vërtetuan këtë”, ka thënë dirigjenti Oleg Arapi pas koncertit, duke iu përgjigjur KOHËS.

Me duartrokitje ende pa bitisur tingujt e fundit të koncertit janë përcjellë performuesit, të cilët janë bashkuar me kolegë artistë nga të gjitha fushat e artit, për të marrë komplimente. Dirigjenti, i cili ka një karrierë të gjatë në RTSH, ka rikujtuar se ky nuk është bashkëpunimi i parë me pianisten Elezi dhe është shprehur i kënaqur me vlerësimin e koncertit nga publiku.

“Me Lulen kam bërë pesë bashkëpunime, kemi bërë të parin vitin e shkuar në Prizren, në kuadër të Lidhjes së Prizrenit, pastaj kemi bërë tri aktivitete të tjera në Shqipëri me orkestrën e RTSH-së dhe ky ishte bashkëpunimi i pestë. Kemi përpara edhe bashkëpunime të tjera që i kemi planifikuar tashmë, jo vetëm në Shqipëri, por mendoj edhe në Itali. Lulja është një pianiste jashtëzakonisht e mirë dhe mendoj që këtë gjë ia tregoi publikut dhe unë jam i kënaqur që publiku e vlerësoi koncertin. Në momentin që publiku duartroket, e mirëpret koncertin, unë e kam bërë detyrën time së bashku me gjithë orkestrën”, ka dhënë ai tutje përshtypjet e tij.

Pianistja Elezi ka shprehur emocionin dhe krenarinë e thellë që ka përjetuar gjatë një prej mbrëmjeve më të rëndësishme të karrierës së saj muzikore jo vetëm për rëndësinë simbolike dhe artistike të këtij bashkëpunimi, por edhe për ndjesinë e veçantë që i dha dirigjenti Oleg Arapi, me të cilin ka ndarë skenën edhe më parë (Foto: Arben Llapashtica)

Disa prej veprave të interpretuara në koncert kanë edhe dorën e kompozitorit Kreshnik Aliçkaj. Ka orkestruar veprat që janë të shkruara vetëm për piano solo – veprën e Chopinit dhe sonatën e Beethovenit. 

“Janë të krijuara vetëm për piano, janë vepra shumë të njohura botërisht. Me kërkesën e Lules i kam orkestruar, i kam bërë për piano dhe orkestër harqesh, që do të thotë se nuk ka qenë edhe e lehtë, sepse kur shkruan veprën e Beethovenit duhet t’u përmbahesh rregullave ashtu siç do ta mendonte edhe kompozitori formacionin orkestral, sikurse edhe te vepra e Chopinit. Ka pasur mjaft kërkesa, balancimet, ngjyrat e shumë teknika të tjera që ka orkestra”, ka thënë Aliçkaj.  

Sipas tij, interpretimi ka qenë shumë i mirë nga pianistja Lule Elezi dhe nga Orkestra. 

“Mendoj se Orkestra e Operës ka shumë potencial, sepse ka edhe shumë instrumentistë të rinj. Janë shumë të interesuar, e duan muzikën shumë dhe e bëjnë punën me përkushtimin më të madh të mundshëm. Ka qenë një koncert i këndshëm dhe i përshtatshëm edhe për pjesën e profesionistëve dhe për publikun”, ka thënë ai. 

Ky koncert ishte një dëshmi e fuqishme e përkushtimit që Opera e Kosovës ka ndaj ngritjes së standardeve artistike dhe afirmimit të talenteve vendore. Ndërthurja e përvojës ndërkombëtare të dirigjentit Oleg Arapi me interpretimin delikat e plot ndjenjë të pianistes Lule Elezi krijoi një natë të magjisë muzikore.  

Me këtë natë koncertale u vërtetua edhe një herë arti nuk njeh kufij dhe se Prishtina, përmes institutit të ri të Operës, po shndërrohet në një pikëtakim të denjë të talenteve të mëdha. Mbushur me emocion, koncerti qe jehonë për fuqizimin e artit të muzikës klasike në Kosovë.

© KOHA Ditore