Shkodra, një nga qytetet me historinë më të pasur kulturore në Shqipëri, po organizon për herë të parë një panair libri, një ngjarje që shënon një hap të rëndësishëm në promovimin e leximit në këtë qytet me traditë të hershme letrare. Ndër vite, aktivitetet e librit në Shkodër janë mbajtur shpesh në forma më të vogla dhe spontane – si promovime autorësh, takime letrare në bibliotekë apo klube leximi – por mungesa e një panairi të mirëfilltë ka lënë një boshllëk të ndjeshëm në kalendarin kulturor të qytetit
Ide e moçme, por e stërholluar ka qenë organizimi i një panairi të librit në qytetin e Shkodrës. Më në fund, organizuar nga famullia “Zoja e Shkodrës”, në oborrin e kësaj katedraleje po merr formë edicioni i parë i panairit të librit me moton “Libri të ban të lirë”, ku do të marrin pjesë rreth 20 botues nga Shqipëria dhe Kosova. Të rezervuara për këtë panair treditor janë datat 5, 6 dhe 7 qershor, duke pasur në plan realizimin e prezantimeve të librave, takime me autorë e përkthyes, si dhe lexime publike bashkë me ta. Ideatorë dhe organizatorë të kësaj ngjarjeje janë Stefan Çapaliku, Dom Vlash Palaj, Gjovalin Çuni dhe Andreas Dushi.
Shkodra, një nga qytetet me historinë më të pasur kulturore në Shqipëri, po organizon për herë të parë një panair libri, një ngjarje që shënon një hap të rëndësishëm në promovimin e leximit në këtë qytet me traditë të hershme letrare. Ndër vite, aktivitetet e librit në Shkodër janë mbajtur shpesh në forma më të vogla dhe spontane – si promovime autorësh, takime letrare në bibliotekë apo klube leximi – por mungesa e një panairi të mirëfilltë ka lënë një boshllëk të ndjeshëm në kalendarin kulturor të qytetit.
Për tri ditë rresht do të mbahen promovime të librave, lexime letrare, takime me shkrimtarë e prezantime të veprave të studiuesve. Në ditën e dytë do të mbahet një takim me përkthyes dhe krejt në fund do të bëhet edhe ndarja e çmimeve. Për këtë edicion të parë, drejtor ekzekutiv i panairit do të jetë shkrimtari dhe studiuesi Stefan Çapaliku.
Ai ka treguar se me përvojën e tij si organizator panairesh, duhej patjetër të organizohej në Shkodër një i këtillë.
“Ideja e organizimit është shumë e vjetër për ta bërë një panair në Shkodër, mirëpo nuk është bërë realitet për 1001 arsye. Kam pasur fatin të jem organizator i panairit të parë të librit në Tiranë në vitin 1998, sepse asokohe punoja në Ministri të Kulturës dhe për shtatë vjet rresht jam marrë me organizimin e panaireve të para të librit, kështu që kisha grumbulluar tërë këtë eksperiencë dhe mendoja se Shkodrës i takon ta ketë një panair libri”, ka thënë Çapaliku për KOHËN.
“Organizimi i ka gjithmonë problemet e veta, nuk është i thjeshtë, pra një ide është e mirë – siç ka thënë Edisoni – vetëm kur realizohet, dhe si duket u krijuan kushtet në bashkëpunim me kolegët e mi të tjerë dhe shpresoj t’ia kemi dalë”, ka thënë ai.
Për idenë e organizimit në ambientet e katedrales, ai ka thënë se është pikërisht vendi ku kanë lindur shtypshkronjat e para dhe janë bërë botimet e para, si dhe shpreson që të ketë pjesëmarrje të lartë në këtë panair.
“Aty ka një oborr të madh në mes të qytetit, është një vend special sepse ka shumë salla promovimesh, ka teknologji, ka mjete të tjera të infrastrukturës, për të cilat në një vend tjetër duhet të shpenzosh para, të marrësh me qira, ndërsa aty të ofrohen falas dhe është bash vendi ku në Shkodër kanë lindur shtypshkronjat e para, ku janë bërë botimet e para dhe ku kanë qenë libraritë. Nëse pjesëmarrja do të jetë e lartë, atëherë sigurisht edhe botuesit motivohen për të ardhur edhe herë të tjera”, ka shtuar Çapaliku.
Njëri nga shkrimtarët pjesëmarrës në sesionet e leximeve të librave, Liridon Mulaj, ka thënë se ky panair për të është një goxha ngjarje, duke qenë se Shkodra ka një traditë të jashtëzakonshme letrare.
“Unë jam njëri nga shkrimtarët pjesëmarrës që do të marr pjesë në natën e parë të panairit në sesionin e leximeve autoriale, bashkë me Ledia Dushin, Durim Taçin, Andreas Dushin e shkrimtarë të tjerë, për mua është një ngjarje, sepse në Shkodër ka një traditë të jashtëzakonshme letrare dhe kombëtare, kështu që panairi në Shkodër është gjithmonë në shtëpinë e vet, paksa i vonuar, por gjithsesi nuk është kurrë vonë për gjëra të mira dhe evente të mira”, ka thënë shkrimtari Mulaj në një përgjigje për KOHËN.
Organizimi i këtij panairi shërben si një platformë e re për bashkëbisedim mes autorëve, lexuesve dhe botuesve, duke nxitur interesin për librin dhe duke krijuar një hapësirë të qëndrueshme për shkëmbimin e ideve, mendimeve dhe përvojave letrare. Kjo nismë nuk është thjesht një festë për librin, por edhe një dëshmi se Shkodra vijon të mbetet një qendër e gjallë e mendimit dhe krijimtarisë në Shqipëri.