Konsiderohet si kulturë e veçantë që pasuron diversitetin e Kosovës, por gjendja sociale e komunitetit rom e mungesa e përkrahjes, jo rrallë e ka lënë nën hije kulturën rome me gjuhën, traditën, zakonet e shumëçka tjetër. Thirrje për t’i promovuar e përkrahur kanë qenë kryefjalë e organizimeve të premten, në Ditën Ndërkombëtare të Komunitetit Rom. Për to e për sfidat është diskutuar në ngjarjen “Ter Talks”, në “Kino Armata” e cila u hap me himnin e komunitetit rom dhe atë të Kosovës për të vazhduar me trajtimin e temave rreth barrierave të komuniteteve në Kosovë dhe shqetësimet që preokupojnë qytetarët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.
Kjo ngjarje mblodhi në bashkëbisedim publikun me panelistët Habit Hajredini, drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë në Kryeministri, Sebastian Sherifoviq, aktivist për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve në Kosovë, Marigona Shabiu, drejtoreshë ekzekutive në organizatën “Youth Iniciative for Human Rights” dhe Elina Kika, avokate. Është organizuar prej organizatës “Roma Veristas Kosova” dhe “Opre Roma Kosovo”.
“Përmes këtij eventi po paraqitet kultura rome, si një kulturë e cila paraqet pasurinë e shtetit të Kosovës në Ditën Ndërkombëtare të komunitetit”, ka thënë organizatori i kësaj ngjarjeje, Nuhi Berisha, njëkohësisht edhe pjesë e organizatës “Roma Veristas Kosova”.
Krahasuar me më parë, ka një përmirësim dhe shpresë për një jetë më të mirë për romët, megjithatë shumë familje të komunitetit RAE në Kosovë ende jetojnë në kushte shumë të vështira.
“Zëri i komuniteteve në Kosovë, kohëve të fundit po dëgjohet më shumë, besoj se kjo qeveri po u jep më shumë kurajë dhe vëmendje tri komuniteteve rome, egjiptiane dhe ashkali, pasi që më i privilegjuar zakonisht ka qenë komuniteti serb, kemi nevojë për më shumë vëmendje pasi që ky komunitet ka nevojë për ta ndryshuar gjendjen aktuale në Kosovë për këto komunitete”, ka thënë Berisha teksa ka folur për gjendjen e këtij komuniteti në Kosovë.
Komunitetet joshumicë, e sidomos romët, shpeshherë bashkohen në ngjarje e aktivitete nëpërmjet të cilave synojnë të fuqizohen dhe të ngrenë zërin e tyre në organizata të ndryshme, kryesisht në ato që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut. “Çdoherë që ne mundemi të ndihmojmë, ne jemi pranë aktivistëve të komuniteteve. Në të gjitha aktivitetet që i bëjmë, gjithmonë ka përfshirje dhe tentojmë të mbërrijmë te komuniteti rom në mënyrë që ata të vijnë dhe të përfitojnë prej programeve tona. Unë besoj dhe shpresoj që ata që kanë kaluar në programet tona të jenë më të fuqizuar që të jenë më të përgatitur dhe t’i kërkojnë dhe të luftojnë për të drejtat e tyre”, ka thënë Marigona Shabiu.
Në Kosovë jetojnë rreth 9 mijë romë, mirëpo papunësia dhe diskriminimi kanë bërë që shumë nga ato familje të jenë pa të ardhura financiare.
Edhe
Në ditën e tyre, romët kërkojnë të drejtat elementare
“Shumë romëve u është premtuar se ata do të punësohen, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, duke filluar nga Qeveria deri te liderët më të vegjël. Republika e Kosovës i ka ligjet më të mira që ekzistojnë në Ballkan, por problemi është se ato ligje nuk respektohen”, ka thënë Sebastian Sherifoviq.
Fatin e diskriminimit dhe të përjashtimit nga shoqëria shumë rëndë e pagoi Kujtim Veseli, pjesë e këtij komuniteti, i cili më 11 korrik të vitit 2019 u gjet i vdekur në shkallët e një kompleksi banesor në Fushë-Kosovë, ku edhe po banonte. Avokatja Rina Kika, në bashkëpunim me shumë të rinj nga komuniteti rom, aktivisht organizuan protesta e peticione në të cilat synohej të arrihej drejtësi për të riun rom. “Rasti i Kujtimit është emblematik për shumë prej sfidave që përballen fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Iniciativa ‘Drejtësi për Kujtimin’ ka qenë vazhdimësi e protestave që janë zhvilluar dhe organizuar nga komuniteti rom, të cilët kanë qenë mjaft të revoltuar për rastin dhe për atë se si ka mundur të ndodhë dhe pse s’po ndodh asgjë”, ka thënë avokatja e rastit të Kujtim Veselit.
Në këtë ngjarje u konsiderua se të tri komunitetet shpeshherë jetojnë në margjina të shoqërisë, në përpjekje me nivele të larta të papunësisë dhe arritje të ulët arsimore. Eventi me të cilin u shënua Dita Ndërkombëtare e Komunitetit Rom u kremtua me kulturën rome ku performoi grupi muzikor “Jimmy Band”, përderisa u servuan edhe ushqime tradicionale rome.