Është ditë feste për romët, por ata kanë numëruar të drejtat që u shkelen në Kosovë. Krahas diskriminimit, problem thelbësor e shohin edhe papunësinë e edhe shkollimin. Përfaqësuesit institucionalë ua uruan 8 prillin pjesëtarëve të këtij komuniteti dhe e dhanë zotimin për të bërë më shumë për ta
Në Ditën Ndërkombëtare të tyre, romët kanë festuar të shtunën, por edhe kanë ngritur zërin kundër diskriminimit që s’u ndahet.
Driton Berisha, përfaqësues i organizatës “Opre Roma Kosovo”, ka thënë se 8 prilli është ditë kur festohen diversiteti, kultura dhe trashëgimia e komunitetit rom. Por, shprehu brengën se anëtarët e këtij komuniteti nuk gëzojnë as të drejtat më elementare.
“Problemet janë kaq të mëdha që me të vërtetë, na bëjnë shumë të trishtë në këtë ditë, sepse kanë të bëjnë me të drejtat e thjeshta, siç janë të drejtat në punësim, po ashtu edhe në shkollim. Janë vështirësi shumë të mëdha”, ka thënë Berisha.
Organizata që ai drejton të shtunën në sheshin “Zahir Pajaziti” ka shpërndarë fletushka për komunitetet e tjera në Kosovë, me qëllimin që të njihen më mirë me kulturën dhe atë se çfarë romët përfaqësojnë.
Edhe në një konferencë të organizatës “Roma Versitas Kosova” është shprehur brenga për situatën e romëve.
Edhe
Kurti: Diversiteti kulturor është pjesë e identitetit tonë
Fatlum Kryeziu ka thëne se çështja e punësimit mbetet sfidë për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
“Mbi 40 për qind e pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian dhe të tjerëve janë të papunësuar. Gjithashtu papunësia lokale lë shumë për të dëshiruar për këta pjesëtarë të këtyre grupeve dhe ata mbesin anash gjithmonë”, është shprehur Kryeziu.
Ndërkaq Shëndriza Prokshi ka thënë se komuniteti rom është duke u ballafaquar me qasje të limituar edhe në edukim.
“Diskriminimi në edukim është një realitet për komunitetin rom, ndërkaq qeveria e Kosovës ngërthen mekanizma adekuat për implementimin e mekanizmave në fushën e edukimit dhe punësimit, por si të tilla nuk gjejnë zbatim”, ka thënë koordinatorja e organizatës “Roma Versitas Kosova”.
Përfaqësuesit shtetërorë kanë uruar romët për ditën e tyre dhe kanë shprehur mirënjohje për kontributin që ata japin në Kosovë.
Në një postim në Twitter, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se duhet bërë më shumë për ta avancuar barazinë.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, ne festojmë kulturën e pasur, historinë dhe arritjet e komunitetit tonë rom dhe njohim kontributin e tyre të vazhdueshëm në Kosovë. Sot, ne gjithashtu reflektojmë mbi punën që duhet bërë për të vazhduar avancimin e barazisë dhe përfshirjes për të gjithë”, ka shkruar Osmani.
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti ka theksuar se Qeveria e udhëhequr prej tij është e përkushtuar që t’i trajtojë të gjithë qytetarët e Kosovës pa diskriminim.
Edhe
Kurti: Diversiteti kulturor është pasuri e Kosovës
“Kemi punuar dhe angazhohemi vazhdimisht bashkërisht për të drejta të barabarta individuale dhe kolektive të përfaqësuesve të të gjitha komuniteteve. Me këtë synim, së bashku kemi hartuar Strategjinë për Avancimin e të Drejtave të Komunitetit Rom dhe Ashkali 2022-2026, si dhe kemi lansuar Platformën Kombëtare për Raportimin e Rasteve të Diskriminimit ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian”, është shprehur Kurti.
Dita Botërore e Romëve shënohet për nder të Kongresit të parë Botëror të Romëve, i mbajtur nga data 8 deri më 12 prill të vitit 1971 në Londër. Kjo është një nga datat më të rëndësishme në historinë e këtij kombi, kur përfaqësues nga 14 vende të botës sollën vendime për flamurin dhe himnin zyrtar.