Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja Vjosa Osmani kanë uruar Ditën Ndërkombëtare të Romëve që festohet çdo vit më 8 prill.
Kurti ka thënë se Qeveria e udhëhequr prej tij është e përkushtuar që të trajtojë të gjithë qytetarët e Kosovës pa diskriminim, derisa ka përmendur Strategjinë për Avancimin e të Drejtave të Komunitetit Rom dhe Ashkali si një të arritur për të pasur sa më pak diskriminim.
“Prandaj kemi punuar dhe angazhohemi vazhdimisht bashkërisht për të drejta të barabarta individuale dhe kolektive të përfaqësuesve të të gjitha komuniteteve. Me këtë synim së bashku kemi hartuar Strategjinë për Avancimin e të Drejtave të Komunitetit Rom dhe Ashkali 2022-2026, si dhe kemi lansuar Platformën Kombëtare për Raportimin e Rasteve të Diskriminimit ndaj komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian”, ka shkruar Kurti.
“Kemi themeluar Ekipin Ndërinstitucional për nxitjen dhe promovimin e punësimit për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, ndërsa 100 të rinjve, me prioritet atyre nga komunitetet joshumicë, iu është dhënë mundësia për praktikë 6 mujore me pagesë në institucionet qeveritare. Kemi filluar edhe zbatimin e Skemës së Punësimit të Garantuar për të Rinjtë, Superpuna, andaj i inkurajoj të gjitha të rejat dhe të rinjtë nga komuniteti rom, që të aplikojnë në këtë platformë”, thuhet tutje në reagimin e kreu të ekzekutivit.
Në dy vjetët e fundit, sipas Kurtit, Qeveria ka mbështetur të gjitha komunitetet përmes masave të zbatuara dhe granteve të ndara.
Edhe
Kurti: Diversiteti kulturor është pjesë e identitetit tonë
“Për krijimin e mundësive të barabarta në arsim kemi ndarë 500 bursa në vlerë 300 mijë euro për nxënësit e shkollave të mesme nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian. Arsimi i lartë ofrohet pa pagesë për të gjithë studentët. Por për të mbështetur edukimin, kemi ndarë 100 bursa shtesë për studentët e këtyre komuniteteve në universitetet publike. Kështu ata do të mund fokusohen në ngritjen e tyre profesionale dhe akademike, pa pasur barrën e anës financiare. Po ashtu, kemi ndarë 200 mijë euro për qendrat mësimore të fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptian, ndërsa 104 romë, ashkali dhe egjiptianë kanë përfituar trajnim profesional, një rritje domethënëse nga vetëm 34 aq sa ishin në vitin paraprak. Të mërkurën pata kënaqësi të veçantë të marr pjesë në hapjen e minibibliotekës me tituj në gjuhën rome. Shpresoj dhe uroj që kjo dhe bibliotekat tjera të pasurohen edhe më shumë dhe të avancohet sa më shumë gjuha dhe kultura rome”, ka shkruar Kurti.
Ai ka falënderuar dhe është shprehur mirënjohës për kontributin dhe angazhimin e komunitetit rom në ndërtimin e vendit tonë.
“Shpresoj për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit, për realizimin e synimeve të përbashkëta, për më shumë barazi edhe më shumë mirëqenie”, ka thënë Kurti.
Osmani uron komunitetin rom: Sot reflektojmë për avancimin e barazisë
Edhe
Kurti: Diversiteti kulturor është pasuri e Kosovës
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kosova ua njeh kontributin e vazhdueshëm të këtij komuniteti dhe ka shtuar se duhet bërë më shumë për të avancuar barazinë.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, ne festojmë kulturën e pasur, historinë dhe arritjet e komunitetit tonë rom dhe njohim kontributin e tyre të vazhdueshëm në Kosovë. Sot, ne gjithashtu reflektojmë mbi punën që duhet bërë për të vazhduar avancimin e barazisë dhe përfshirjes për të gjithë”, ka shkruar ajo në Twitter.