Arbëri

Rrezikojnë të zhduken traditat e komuniteteve të margjinalizuara

*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani"!

Ruajtja dhe prezantimi i kulturës dhe identitetit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, përballen me sfida të shumta ani pse ato konsiderohen si vlerë e shtuar e shoqërisë në Kosovë. Në aktivitete e ngjarje kulturore, nuk kanë përfaqësim të denjë përderisa mungojnë politikat e qarta të cilat do të kontribuonin në mbrojtjen e tyre nga asimilimi

Gjuha, kultura dhe traditat e komuniteteve të ndryshme e përkufizojnë Kosovën si vend të vlerave të shumta. Ia japin cilësinë e shtetit multietnik e ky diversitet e pasuron shoqërinë.

Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian janë njëri segment i këtij rrëfimi. 

I rëndësishëm konsiderohet përfaqësimi kulturor e sigurimi që komunitetet të kenë prezantim të barabartë në ngjarje e aktivitete kulturore, ndërsa jetike është ruajtja e traditave dhe e kulturës së komuniteteve. Ato i japin formë identitetit të tyre.

Rol të rëndësishëm në përfaqësim e emancipim ka pasur organizata “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve”, gjë të cilën e konfirmon edhe shpërblimi me Çmimin e Bashkimit Evropian për Përfshirjen e Romëve në Kosovë në vitin 2017.

Drejtori ekzekutiv i kësaj organizate, Isak Skenderi, ka thënë se komunitetet jo vetëm se nuk përfaqësohen, por janë të nënpërfaqësuara. Kjo sipas tij vjen nga mungesa e të dhënave që ofrohen për vlerat, kulturën e prejardhjen e komuniteteve. 

“Vlerat dhe kultura janë të rëndësishme për ruajtjen e identitetit, por mungesa e punës në këtë drejtim, ka krijuar në shoqërinë tonë dhe më gjerë, këtë barrierë midis komunitetit pakicë dhe atij shumicë, për shkak të mungesës së informatës rreth këtyre komuniteteve”, ka thënë ai.  

Skenderi ka thënë se traditat e komuniteteve rrezikojnë të zhduken në mungesë të një politike të qartë për ruajtjen e tyre. 

“Ky është rrezik i vazhdueshëm. Gjuha rome është gjuhë që është vlerësuar nga UNESCO-ja si vlerë e botës sonë por është në rrezik nga zhdukja dhe kjo do të thotë shumë për çështjen e mospranimit të komuniteteve dhe nëse nuk fillon integrimi i tyre, segregimi dhe diskriminimi mund të ndikojë në humbjen e kulturës dhe vlerave që përfaqëson komuniteti”, ka thënë ai. 

Arti është një formë e përfaqësimit të kulturës rome. 

Farija dhe Bajram Mehmeti, motër e vëlla, ndër vite kanë prezantuar te publiku pikturat e tyre shumëngjyrëshe. 

“Pikturat të cilat i bëj janë kryesisht ato me të cilat tregojmë kulturën e komunitetit rom, veshjen e tyre. Unë kryesisht punoj me vëllain tim dhe qëllimi ynë është të tregojmë jetesën e komunitetit. Qëllimi është që të tregohet më shumë kultura  e komunitetit. Unë pos pikturave bëj edhe shami të ndryshme. Ideja është që të zgjerohet sa më shumë puna që e bëjmë”, ka thënë Farije Mehmeti. 

Është shprehur se kohëve të fundit pjesëmarrja e tyre në institucione artistike është zbehur.

“Zakonisht më ftojnë të marr pjesë nëpër ekspozita të ndryshme. Më parë ka pasur më shumë ftesa, por gjithsesi institucionet janë të gatshëm të na promovojnë”, ka thënë kjo piktore. 

E, piktori Bajram Mehmeti ka thënë se në secilën vepër të tij mundohet të prezantojë vlerat e komunitetit. 

“Ka pasur mbështetje vazhdimisht, sidomos në vitin 2012 në Galerinë e Arteve ku kemi prezantuar punimet tona dhe kemi qenë shumë të ftuar prej kësaj galerie, njëkohësisht edhe shumë të vizituar. Ishte fillimi për ne atëherë por deri më tani kemi arritur të njihemi edhe te komunitetet e tjera me punimet tona. Në vitin 2023 kam pasur nderin të jem në një ekspozitë në Prizren ku kanë qenë edhe artistë të tjerë. Ka qenë kënaqësi që krahas tyre kam qenë i ftuar për të prezantuar në atë ekspozitë”, ka thënë ky piktor. 

Sipas tij, mbështetja për artistët e komunitetit për ta nuk mungon. 

“Vazhdimisht po promovohet kultura rome, por ne mundohemi ta përçojmë përmes pikturave. Komuniteti po mbështetet në aspektin e artit. Unë jam krenar që i përkas komunitetit rom dhe kam nderin të prezantoj komunitetin me anë të pikturimit”, ka thënë Bajram Mehmeti.

Vlerësohet se integrimi edhe kulturor i pjesëtarëve të komuniteteve është tejet i rëndësishëm që të rinjve t’u ofrohet mundësi për ta zhvilluar talentin e tyre në mënyrë që të kontribuojnë në artin e kulturën. Mirëpo shpesh nuk ka hapësirë për shkak të dallimeve e stereotipave nga shoqëria.

Sipas drejtori ekzekutiv i organizatës “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve”, nuk ka përfaqësim e pjesëmarrje të duhur të komuniteteve rom, egjiptian e ashkali në institucionet kulturore të cilat mund të mbështesin ruajtjen e identitetit.

“Për fatin e keq, komunitetet shumë pak mbështetje kanë pasur nga shoqëritë ku kanë jetuar, por gjithashtu nga institucionet. Kjo mungesë e mbështetjes reflektohet për fat të keq në gjendjen ekzistuese socio-ekonomike në të cilat këto komunitete jetojnë në vendet e tyre, duke përfshirë edhe Kosovën. Varfëria e lartë, pjesëmarrja joadekuate në arsim, punësimi i dobët dhe jeta në kushte të dobëta infrastrukturore dhe në vendet e segreguar janë në fakt produkt i fenomenit anti-gjipsizëm apo fenomeni që luan rol kyç në përjashtimin e komuniteteve”, ka thënë drejtori ekzekutiv i organizatës “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve”. 

Vlerësohet se tradita e vlerat kulturore të komuniteteve joshumicë në Kosovë rrezikojnë të zhduken edhe për shkak të mungesës së literaturës në gjuhë rome. Një tjetër shkak është edhe asimilmi që vjen si rrjedhojë e frikës së komuniteteve nga përjashtimi e diskriminimi.