Me një lloj kundërpërgjigjeje ndaj videove të Ministrisë së Kulturës, ku numërohen sukseset, Sibel Halimi e LDK-së në një minutë e 48 sekonda numëron dështimet. Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për propagandë. MKRS-ja shkon edhe më tej. Akuzon Halimin se i ka keqpërdorur hapësirat e Galerisë Kombëtare të Kosovës, ku ka realizuar videon e skanimit të kulturës
Për Lidhjen Demokratike të Kosovës në dy vjet, Ministria e Kulturës ka bërë vetënumërim në kulturë. Nëpërmjet një videoje të shkurtër, LDK-ja ka bërë një lloj kundërpërgjigjeje ndaj videove promovuese që bën ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, dhe anëtarët e kabinetit të tij. Në anën tjetër për MKRS-në, LDK-ja është duke bërë propagandë.
Në një minutë e 48 sekonda, zëdhënësja dhe anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Sibel Halimi, përshkruan gjendjen e kulturës në Kosovë, sipas partisë që ajo përfaqëson.
Fillimisht pyet nëse publiku i ka parë videot promovuese të Ministrisë së Kulturës, “ku ju prezantohen të arriturat, investimet e sukseset në kulturë?”. Po ashtu pyet nëse publiku e ka dëgjuar ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, tek flet për të arriturat kulturore, për planet ambicioze në kulturë, për reformat e për rritjen e buxhetit.
“Ato janë vetëm pamje e rrëfime të shtrembëruara të një realiteti kulturor që është e kundërta e asaj çfarë shihni dhe e atyre çfarë thuhet”, konstaton Halimi në videon e incizuar në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Më pas thotë se skena kulturore në Kosovë është sot më e varfra në Evropë. “Hapësirat kulturore janë ngushtuar e tkurrur, institucionet qendrore të kulturës ose kanë mbetur pa kulm mbi kokë, ose janë pa drejtues, ose janë me këshilla drejtues të përbërë nga militantë partiakë”, thotë Halimi.
Sipas saj, objektet e trashëgimisë kulturore kanë mbetur pa mbrojtje, duke iu ekspozuar djegies e të tjerat rinovohen, për t'iu dorëzuar shkatërrimit sërish. “Pa plane menaxhimi, pa ide se si të shfrytëzohen dhe kësisoj mbesin me dyer të mbyllura”, konstaton ajo. Aty flet edhe për kinematografinë, ku thotë se sukseset janë ndalur.
“Hovi i zhvillimit të kinematografisë kosovare, me të cilën krenoheshim – është stopuar duke iu falënderuar paaftësisë së kësaj Ministrie”, thotë Halimi. U referohet zyrtarëve të MKRS-së, duke thënë se kanë premtuar se me Ligjin për paga do të rregullohet përfundimisht statusi i performuesve dhe i stafit teknik e administrativ të institucioneve. Por, sipas Halimit, krijuan më shumë pabarazi, më shumë përçarje e më shumë pakënaqësi.
“Dy vjet qeverisjeje në fushën e kulturës, dy vjet premtime e arsyetime, dy vjet vetënumërim kulturor. Dëmi që i është bërë kulturës nga kjo Qeveri është qysh tani i madh. Pse ky dëm duhet të vazhdojë? Artistët e artdashësit meritojnë më shumë”, thotë ajo në përmbyllje të videos.
KOHA ka kërkuar një koment nga Ministria e Kulturës dhe ky institucion është përgjigjur menjëherë, gjë që ndodh rrallëherë. Sipas Zana Fetiut, këshilltare e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, Halimi ka keqpërdorur hapësirën e një institucioni kulturor për të bërë propagandë partiake.
“Ajo ka mashtruar menaxhmentin dhe Këshillin Drejtues të Galerisë Kombëtare të Kosovës, duke mos e treguar të vërtetën në kërkesën e saj me shkrim për shfrytëzimin e hapësirës. Për ta bërë edhe më skandaloze këtë performancë, zonja Halimi thotë një mal me të pavërteta, madje pa iu trembur as qerpiku”, ka thënë Fetiu. Sipas saj, në këtë video nuk paraqitet asnjë dëshmi, asnjë fakt, asnjë shifër, asnjë krahasim, asnjë foto, “pra asgjë e bazuar, përveç akuza në ajër, pasaktësi, të pavërteta dhe një përpjekje e dëshpëruar për ta keqinformuar publikun”.
Sipas Fetiut, Halimi thotë të pavërteta për pagat e performuesve, për ndërtesat e kulturës, për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, për ligjet e gjithçka tjetër.
“Është mision i pamundur që në atë material propagandistik të gjendet një fjali e bazuar”, ka konstatuar ajo.
Sipas Fetiut, videot e Ministrisë janë përmbledhje të punës dyvjeçare dhe vazhdimësi e transparencës karshi publikut.
“Për më tepër, ato janë përplot fakte, shifra e pamje, dëshmi konkrete të punës e rezultatit, ku përmenden edhe sfidat e vështirësitë”, ka thënë ajo.
Ka ardhur në përfundim se ndaj dëshmive të MKRS-së, zëdhënësja e LDK-së ka vetëm akuza e të pavërteta. Sipas Fetiut, ky nivel i diskursit publik është për keqardhje. Ka thënë se Ministria e Kulturës ka qenë përherë e hapur në lidhje me punën e saj dhe e gatshme për diskutim dhe ballafaqim publik, gjithnjë bazuar në fakte e argumente.
“Këtë gatishmëri për diskutim të civilizuar dhe të argumentuar ia ofrojmë edhe zonjës Halimi. Kjo është rruga e vetme që ndihmon kulturën e vendit. Rruga që ka zgjedhur zonja Halimi nuk i ndihmon askujt, pos ndoshta asaj për t'i sjellë disa poenë të lirë politikë”, ka thënë Fetiu.
Por sipas zëdhënëses së LDK-së, Sibel Halimi, GKK-ja është institucion publik, të cilit i janë drejtuar për ta marrë pëlqim për ta xhiruar atë video.
“Nuk jemi shtet diktatorial që të dërgojmë skenarin në mënyrë që Ministria e Kulturës ta lexojë e më pas ta miratojë apo jo kërkesën”, ka thënë ajo. Sipas Halimit, pretendimet për të instaluar mendësi diktatorile “le të mbeten synim i kësaj Qeverie”.
Ajo ka thënë se videot e MKRS-së janë krejtësisht propaganduese. Sipas Halimit, vetë fakti që MKRS-ja ka lidhur Memorandum Bashkëpunimi me RTK-në për të themeluar kanal të veçantë televiziv për të përcjellë aktivitet e MKRS-së tregon se çfarë propagande do të bëjë ky institucion.
“Nëpër videot promovuese të MKRS-së përmenden shumë gjëra e nuk jepen detaje fare si mund të quhet kjo, pos propagandë. Ka tendencë për të paraqitur gjëra që nuk ekzistojnë”, ka thënë Halimi, nga partia e cila prej pasluftës ka pasur shtatë ministra kulture. Ka udhëhequr me MKRS-në për më shumë se 12 vjet. Sipas saj, jo veç LDK-ja, por edhe akterët kulturorë, videot e MKRS-së i përshkruajnë si propagandë e tentim për të shpikur suksese.