Arbëri

Halimi: Dy vjet qeveri propaganduese, shpresa e qytetarëve është ikja

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, i cilësoi propaganduese dy vjetët e parë të Qeverisë Kurti. Ajo shkroi në Facebook të mërkurën se shpresë për qytetarët është ikja nga vendi, e Qeveria sipas saj, po vazhdon me prodhimin “e realiteteve paralele nga makineria e agit-propit”.

Halimi tha se pos retorikës boshe e përçarjes shoqërore, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, nuk do të lë asnjë shenjë për të mirë në histori. Liria e mendimit, për Halimin, u shndërrua si mendim kritik për Qeverinë dhe një tabelë qitjeje “për këdo që ia drejtoi gishtin për paaftësinë”.

“Qendra e ndryshimit të premtuar nuk ishte Kuvendi e as Qeveria e Republikës së Kosovës, por selia e partisë Vetëvendosje ku stisej prosperiteti që fyen realitetin. Të ngujuar në të kaluarën, do të mbetët partia e histerisë së historisë, që asnjë shenjë për të mirë nuk e lë askund, përpos retorikës boshe duke mbjellë urrejtje, përçarje e polarizim shoqëror. Gjithmonë nga perspektiva e së kaluarës, lëkunden gjithë themelin e vlerave të shtetësisë së Kosovës, duke u tallur e vetëkënaqur në emër të numrave të tyre abstrakt”, tha ajo tutje në postim.

Zëdhënësja e partisë opozitare tha se shoqëria kosovare është më lartë se “spiralja e paaftësisë së partisë në pushtet”, dhe së shpejti “do të vetëmenaxhohen duke shpëtuar veten e shtetin”.!