Bienalja evropiane e artit “Manifesta 14” e ka përzgjedhur si njërën prej pikave të veta, dhe synon ta rivitalizojë. Por deri atëherë, “Kujtesa kolektive për (ish)bibliotekën ‘Hivzi Sulejmani’”, publikim i fondacionit “Shtatëmbëdhjetë” në bashkëpunim me bienalen “Manifesta” – i lansuar në ceremoni në oborrin e kësaj biblioteke të dikurshme – sjell një lloj historie joformale dhe atë e shkruan nëpërmjet materialeve të pakta arkivore, e të dominuar prej rrëfimeve që shpalosin kujtime
Ka vite që ka mbetur e strukur në lagjen “Tophane”, midis ndërtesave shumëkatëshe që ngrihen përditë, por ish-biblioteka “Hivzi Sulejmani” ruan kujtimet e jo pak vetave. Kujtimet kanë qenë ato që të premten pasdite ia kanë “rihapur” dyer objektit që besohet të jetë ndërtuar këtu e gati një shekull më parë, me tis të arkitekturës austro-hungareze, i braktisur tash më shumë se gjysmë dekade. Bienalja evropiane e artit “Manifesta 14” – e cila sivjet zbarkon në Prishtinë – e ka përzgjedhur si njërën prej pikave të veta, dhe synon ta rivitalizojë.
Por deri atëherë, “Kujtesa kolektive për (ish)bibliotekën ‘Hivzi Sulejmani’”, publikim i fondacionit “Shtatëmbëdhjetë” në bashkëpunim me bienalen “Manifesta” – i lansuar në ceremoni në oborrin e kësaj biblioteke të dikurshme – sjell një lloj historie joformale dhe atë e shkruan nëpërmjet materialeve të pakta arkivore, e të dominuar prej rrëfimeve që shpalosin kujtime. Janë 40 qytetarë të intervistuar që krijojnë mozaikun për këtë institucion me histori të bujshme, por pak të dokumentuar. Rrugëtimi i saj është kapitull më vete. Ndarja më e thjeshtë është ajo në katër periudha historike. U quajt “Miladin Popoviq”. Nisi punën në vitet ‘40 me pak punonjës, e tek pas një dekade do të kishte 12 punonjës e rreth 60 mijë libra. Lexues i titujve prej këtij fondusi duhet të ketë qenë edhe Omer Keçi (83), i cili është rikthyer në objektin e bibliotekës me lansimin e raportit, që vjen i dizajnuar në formën e kartës që dikur kishin lexuesit.
“Moment i paharruar, kur vinin fëmijët pyesnin: a po punon biblioteka në gjuhën shqipe, në gjuhën turke, serbe, më vinte mirë kur fëmijët interesoheshin për libra”, ka kujtuar Keçi për KOHËN, pas fjalimeve formale të lansimit të publikimit. Imazhet e pritjes për të marrë një libër i janë rikthyer edhe Nyhebije Xhafës (71).
“Dikur pritnim rendin për të hyrë në bibliotekë, tash nuk po shihen, kanë telefona, kompjuterë”, ka thënë ajo.
Prej vitit 1977 e deri më 1992, konsiderohet se biblioteka njohur zhvillimin më të shpejtë. Në vitet, ‘90 regjisorja e njohur, Lendita Zeqiri, kishte qenë filloriste. Kishte fatin të jetonte afër bibliotekës, që tek pas vitit 1999 mori emrin “Hivzi Sulejmani”.
Edhe
“Rezidenca 17”, hapësira që bashkon aktivistë e artistë
“Në katin e parë ish regjistrimi, në katin e dytë ish-biblioteka për një moshë të caktueme. Ka qenë shumë e strukturueme…”, është rrëfimi i saj në publikim, bashkë me 39 rrëfime të tjera.
Objekti pritet të rihapë dyert në korrik të këtij viti si qendër e rëndësishme e bienales nomade “Manifesta” që për edicionin e 14-të e rijetëson objektin si institucion ndërdisiplinor, pas gjashtë vjetëve të harruar e me disa projekte të dështuara. Më 2017 ishte menduar edhe për muze të veprave të maestros Ibrahim Kodra, dhe kishte një projekt për këtë.
“Objekti i është dhënë ‘Manifestas’ për shfrytëzim dhe rivitalizim në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, UNDP-në, Ambasadën e Holandës dhe Luksemburgut. Përmes tyre po bëhet e mundur gjithë kjo në objektin që më pas do të shfrytëzohet si institucion ndërdisiplinor”, ka thënë Erleta Morina nga Departamenti i Manifestas për Edukim dhe Ndërmjetësim, të cilët kanë bashkëpunuar me organizatën “Shtatëmbëdhjetë” në projektin hulumtues për kujtesë kolektive në të cilin janë përfshirë kujtime të punëtorëve dhe atyre që kanë frekuentuar bibliotekën, ndërsa janë përfshirë edhe materiale arkivore me të dhëna historike për bibliotekën.

Intervistat janë realizuar nëpërmjet metodës kualitative të hulumtimit, nga gjashtë studente të degëve të antropologjisë dhe sociologjisë në Universitetin e Prishtinës. Pjesë e hulumtimit kanë qenë edhe Nita Luci, profesoreshë në degën e antropologjisë dhe Linda Gusia, profesoreshë në departamentin e sociologjisë.
“Procesit të hulumtimit i ka paraprirë një trajnim njëjavor, intensiv që ka qenë i udhëhequr nga profesorët dhe ne nga ‘Shtatëmbëdhjetë’. Hulumtimi ka zënë vend për një periudhë katërmujore, nga gushti deri nëntor të kaluar, ka pasur mbi 40 intervista. Është kompletuar me pjesën e hulumtimeve në arkiva publike dhe private”, ka thënë drejtoresha e “Shtatëmbëdhjetë”, Ajete Kërqeli.
Dokumentimi arkivor mbi historinë e bibliotekës është i kufizuar, e kështu, studentet e reja i qasen përtëritjes së hapësirave duke e socializuar këtë arkiv me kujtimet që ndër vite ishin mbledhur në çdo cep të këtë bibliotekë. “Po e mbajmë këtë mbledhje në oborr, ngase qysh kur kemi filluar intervistat, për të gjithë ky ka qenë një vend ku të gjithë janë bashkuar, të gjithë e kanë kaluar kohën e lirë, edhe ne kemi vendosur edhe eventi të mbahet këtu për të rikthyer edhe një herë vëmendjen te komuniteti dhe hapësira publike”, thotë Bleona Kurteshi, njëra nga hulumtueset në projekt. Ndërsa Ridona Berisha ka thënë se kanë qenë shumë të fokusuar tek ideja e komunitetit dhe ideja e së përbashkëtës.
“Unë gjatë gjithë hulumtimit ia kam kujtuar vetes moton ‘asgjë për komunitetin, pa komunitetin’. Ne si pikënisje i kemi pasur banorët e lagjes, punonjësit dhe gjithë njerëzit që në një formë ose tjetrën kanë pasur një përvojë apo histori në lidhje me bibliotekën”, ka thënë ajo.
Kompletimi i hulumtimit është bërë përgjatë katër muajve. Pjesa e të dhënave të tjera është siguruar nga arkiva publike dhe ato private.
Edhe
Pas zhbërjes të shenjës së fundit të “Manifestas”, partneritet i ri për monumentin
Puna për rinovimin, konceptimin dhe funksionalitetin e ish-objektit të bibliotekës së saj do të fillojë javën e ardhshme, ndërkaq gjatë këtij edicioni të Manifestas hapësirat do të shfrytëzohen për shfaqje të filmave, mbajtjen e orëve letrare, hapjen e ekspozitave e performanca të ndryshme dhe aktiviteteve edukative.
Biblioteka u ndërtua në vitet 1930 fillimisht si një ndërtesë banimi, në vitet 1940 strehoi ish-Komitetin e Partisë Komuniste të Jugosllavisë për Kosovën, pastaj në 1948 u shndërrua në një bibliotekë të qytetit e cila funksiononte deri më 2016.