Kulturë

Kujtimet e bukura e të trishta të fëmijërisë si retrospektivë me art

Arti i Ornela Aliajt

Arti i Ornela Aliajt është një lloj loje, satire, humori. Ajo ka thënë se këto kujtime të saj ua ka treguar njerëzve. Pasi praktika e saj bazohet në biseda me njerëz, edhe veprat e saj të ekspozuara në “Galeria 17” kanë qenë ndihmesë e procesit të saj kreativ

Veprat janë si një hapësirë ku zgjatohet e shtrembërohet një deklaratë për të ndërtuar një histori. Gjashtë ekrane të instaluara në galeri shfaqin gjashtë video të këndit e subjektit të njëjtë. Vetë artistja është në kuadër. Por ato sjellin të tjera rrëfime e histori. Mbi të gjitha kujtime. Artistja nga Tirana, Ornela Alia, ka thënë se praktika e saj artistike kryesisht bazohet në kujtime të fëmijërisë. Se edhe ekspozita “50 milje…” është ballafaqim i tyre dhe i mënyrës sesi artistja i perceptonte konceptet në atë kohë dhe sesi i sheh tani. Dy histori i ka të freskëta e që i përfshin në prezantimin e saj të parë në Prishtinë

Rrëfimin për ekspozitën “50 milje në veri të Aeroportit të Rinasit të Tiranës”, autorja e saj Ornela Alia e përkufizon si vend për të spekuluar mbi integritetin e një rrëfimi, një ëndrre a një vendndodhjeje. Sekuenca kujtimesh nga fëmijëria e saj janë në ekranet që janë ndezur për veprat e saj në “Galeria 17” në mbyllje të ngjarjes “Pop-up art week”. 

Veprat janë si një hapësirë ku zgjatohet e shtrembërohet një deklaratë për të ndërtuar një histori. Gjashtë ekrane të instaluara në galeri shfaqin gjashtë video të këndit e subjektit të njëjtë. Vetë artistja është në kuadër. Por ato sjellin të tjera rrëfime e histori. Mbi të gjitha kujtime. 

Artistja nga Tirana, Ornela Alia, ka thënë se praktika e saj artistike kryesisht bazohet në kujtime të fëmijërisë. Se edhe ekspozita “50 milje…” është ballafaqim i tyre dhe i mënyrës sesi artistja i perceptonte konceptet në atë kohë dhe sesi i sheh tani. Dy histori i ka të freskëta, që i përfshin në prezantimin e saj të parë në Prishtinë. 

“Mundohem që përmes humorit të tregoj një histori apo të tregoj sesi gjërat kanë ndryshuar. Të njëjtën gjë e kam bërë edhe këtu. Kjo është histori e vërtetë e helikopterit që është rrëzuar. Unë jam nga Kukësi, kam qëndruar atje për katër vjet dhe pastaj jemi shpërngulur në Tiranë. Ishte rrëzuar një helikopter i NATO-s në kohën kur ishte gati të fillonte lufta në Kosovë. Ra shumë pranë shtëpisë sonë. Ky është një prej kujtimeve që unë kam nga ajo kohë”, ka thënë Alia. 

Derisa ka shpalosur kujtimin tjetër të saj, ka thënë se ato janë krejt të ndryshme midis vete. 

“Një tjetër kujtim që kam nga shtëpia atje ishte se ajo shtëpi ishte e mbuluar me trëndafila rozë dhe ngjyra reflektonte në dhomën e ndejës. Kështu që unë doja t'i krahasoja të dyja këto me njëra-tjetrën se sa të kundërta janë. Njëra është shumë e dhimbshme dhe shumë e frikshme e tjetra shumë qetësuese. Doja të spekuloja me historinë dhe mbi lokacionin e një vendi, si dhe ta vendosja veten në një situatë ku jam ndodhur shumë herë duke qenë shqiptare dhe sesi gjithmonë duhet shpjeguar se ku ndodhet si shtet”, ka thënë artistja Alia. 

Arti i saj është një lloj loje, satire, humori. Ajo ka thënë se këto kujtime të saj ua ka treguar njerëzve. Pasi praktika e saj bazohet në biseda me njerëz, edhe veprat e saj të ekspozuara në “Galeria 17” kanë qenë ndihmesë e procesit të saj kreativ. I tillë është edhe audioinstalacioni që shoqëron veprat vizuale. Ka marrë formë me bisedat e njerëzve që shfaqin emocione. 

“Është një mesazh zanor që ma dërgoi një shoqe e imja nga Prishtina. Unë kam shkëputur vetëm këtë pjesë ku ajo shfaqte shumë emocione. Mundohem që në të gjitha punët e mia të fokusohem vetëm tek emocionet. Është paksa edhe dedikim i njerëzve që më rrethojnë. Ka copëza bisedash dhe momentesh që ndajmë bashkë”, ka shpjeguar artistja Ornela Alia.

Mediumet e saj të punës janë video, teksti dhe performanca. Është përmes vlerësimit të saj të kulturës pop dhe përvojave virtuale që ajo drejton procesin e saj krijues. Synimi i saj është të krijojë një karakterizim të papërcaktuar të përkatësisë, duke ndërtuar në të njëjtën kohë kuptimin nga ajo që duket banale. Në të njëjtën kohë, ajo dëshiron të zbulojë brishtësinë e identitetit në një botë komplekse, të orientuar drejt fitimit.

Në ekspozitën “50 milje në veri të Aeroportit të Rinasit të Tiranës” ajo përdor video të shkurtra e të përsëritshme që njihen si “GIF”. Një e tillë që zgjat rreth gjashtë sekonda sjell fragmente të një historie. Mund të tregojë edhe një histori të tërë. Por esenca, përtej formës së prezantimit të veprës, janë bashkëbisedat me miq a me njerëz të zakonshëm. E frymëzojnë. 

Sihana Klisurica, menaxhere e komunikimit në fondacionin “Shtatëmbëdhjetë” që organizon këtë ngjarje, ka thënë se Alia e ka një qasje interesante ku përdor satirën, humorin e thumbimin në shprehjen e saj artistike. 

“Ka një dozë të sarkazmit brenda veprave të saj dhe mënyrës sesi ajo trajton tema të mund të jenë sociale dhe tema të tjera që pastaj i shtjellon përmes mediumeve të ndryshme. Në shikim të parë mund të duket e të tingëllojë si diçka për të qeshur, por në fakt mund të jetë edhe thumbuese deri në një pikë. Mendoj se kjo e bën Ornelën një artiste me interes jo vetëm për ta ekspozuar, por edhe për t’i dhënë mundësi që të shfaqet arti i saj’, ka thënë Klisurica.

Ka bërë të ditur se me artisten Ornela Aliu janë njohur paraprakisht në njërën prej rezidencave artistike të mbajtura në “Rezidenca 17” në Prishtinë. 

Me veprat e saj është përmbyllur edicioni i sivjetmë i “Pop-up art week”. Klisurica e ka vlerësuar të suksesshëm edicionin e dytë të ngjarjes. 

“Ka qenë shumë mirë që këtë javë të ‘Pop-up art week’ ta përfundojmë me Ornelën, sepse mendoj se ekspozita e saj na lë njëfarë shije për të menduar tutje për çështje të ndryshme sociale për vitin e ardhshëm. Në përgjithësi ‘Pop-up art week’ ka qenë i suksesshëm, ka shkuar shumë mirë”, ka thënë ajo. 

Ngjarjen e konsideron si një lloj sfide jo vetëm për artistët e rinj, por edhe për ata me karrierë, për të instaluar e hequr veprat nga galeria brenda një dite. Sipas saj, “Pop-up art week” është freski për skenën kulturore në vend. 

“Kemi menduar se kjo qasje mund të sjellë risi dhe freski në skenën kulturore, në anën tjetër duke ua dhënë këtë mundësi edhe artistëve të rinj, zërave të rinj që të marrin hapat e tyre të parë të karrierës, por edhe artistë të cilët veçse janë të pozicionuar në skenën e artit në vend, të sfidojnë veten e tyre me ekspozita njëditore në kuptimin e montimit të ekspozitës dhe largimit të saj brenda disa orësh”, ka thënë ajo. 

Në kuadër të kësaj jave të artit janë shfaqur ekspozitat “250°C” e Kemil Bekteshit, “Njeriu i kështjellës” nga Blerta Kambo dhe “Një klithmë e heshtur është një hapje” e Manushaqe Ibrahimit.